Bamir Topi flet për çështjen e Hagës dhe për pë*rplasjet e Kryeministrit me Presidentin: Ishte vendim i gabuar i Ramës/ Ja pse i vlerësoj qëndrimet e Metës dhe çfarë pres nga 25 Prilli…

0
20
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ekskluzive për “Telegraf”/ Dorëzimi i çështjes së Detit në Gjykatën e Hagës, vendim personal dhe i gabuar i Ramës, i cili e mbajti të fshehtë duke anashkaluar qëllimisht Parlamentin dhe Kreun e Shtetit. Devijimi i fajshëm nga detyrimi kushtetues; pse i vlerësoj qëndrimet e Presidentit Ilir Meta; mandati i dytë i PS-së pa Gjykatë Kushtetuese dhe ndryshimet që pres të ndodhin më 25 prill.

Prof. Dr. Bamir Topi, ish- President i Republikës

– Çështja është shtetërore dhe jo atribut ekskluziv i Qeverisë.

–  Dështimi në negociata dhe mungesa e transparencës, kosto politike e Qeverisë Rama.

–  Kujdesi duhet të jetë i madh,  pasi nuk ka altruizëm midis kombeve.

Çështja e detit në gjykatën ndërkombëtare, vendim personal e i gabuar i kryeministrit  RAMA

Prof. Dr. Bamir Topi, ish- President i Republikës shprehet se; çështja e Detit me Greqinë, është shtetërore dhe jo atribut ekskluziv i Qeverisë, si dhe dërgimi i saj në gjykatën ndërkombëtare, vendim personal e i gabuar i kryeministrit  RAMA. Ish- Presidenti Topi, pohon se dorëzimi i çështjes së Detit në Gjykatën e Hagës, është një paaftësi dhe dështim i politikës qeverisëse të Kryeministrit Rama. Ka patur një devijim të fajshëm nga detyrimet kushtetuese, për transparencë dhe vendimmarrje në Parlament dhe në konkordancë me Kreun e Shtetit. Ish- Presidenti Topi, ngre edhe një pyetje ndaj Kryeministrit: Si mund të justifikohet, që i gjithë mandati i dytë qeverisës i Kryeministrit Rama, po kalon pa Gjykatë Kushtetuese? Prandaj, Ish- Presidenti Topi, pohon se çështjet e pushtetit për zotin Rama, prevalojnë kundrejt interesave të integrimit të Shqipërisë.

– I nderuar Zoti President Topi, Ju si e mendoni, mbi çfarë baze është marrë vendimi nga Kryeministri Rama, për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare, për të zgjidhur Çështjen e Detit me Greqinë?

-E kam ndjekur me vëmendje të veçantë, debatin për delimitimin në ujrat detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, tashmë një histori pa kokë e pa bisht, që dëshmon se në kontekstin historik, shqiptarët gjërat serioze i marrin shumë lehtë, për të mos thënë me mendjelehtësi. Nuk po diskutoj kurrsesi treguesit e patriotizmit tek politikanët vendimarrës, por atë sjellje të çuditshme që gjithçka mund të jetë, por serioze e institucionale nuk është. Kjo çështje vjen e trashëguar nga qeveria, vendimarrja e së cilës u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, kur kjo ekzistonte në vitin 2010-të, pra rreth 10-të vite më parë.

Sot pas 8-të viteve në qeverisje, Kryeministri Rama e shpalosi si të vd*ekur një negociatë, e cila nuk u ekspozua kurrë, duke sjellë pështjellim, dyshime, paragjykime e deri në ak*uza për shitje të interesave kombëtare.

Personalisht, nuk kam arsye ta konsideroj tradhëti, pasi nuk është e tillë. Në analizën time, dorëzimi i çështjes së Detit në Gjykatën e Hagës, dëshmon së pari, një paaftësi e dështim të dukshëm në planin politik të qeverisë shqiptare, e cila thuajse nuk negocioi asnjëherë me qeverinë e z. Micotaqis dhe më shumë bëri reality show, me përfaqësuesit e qeverisë së majtë të Ciprasit.

Së dyti, grupi negociator me pak përjashtime nuk të jepte përshtypjen e profesionistëve më të mirë të fushës, por veç zyrtarë që në këtë kohë ishin të emëruar në strukturën e administratës së Ramës.

Së treti, ka patur një devijim të fajshëm nga detyrimet kushtetuese, për transparencë dhe vendimarrje në Parlament dhe në konkordancë me Kreun e Shtetit.

Së fundmi, të krijohet bindja se qysh në fillim Kryeministri ka qenë pesimist, në arritjen e një kompromisi me Greqinë, duke e lënë procesin në rrugë pa krye për ta larguar së fundmi nga vetja, si një patate e nxehtë që nuk mund ta mbante në duar, për më tepër në vigjilje të një viti elektoral.

Ngjarjet në detin Egje dhe interesat gjeopolitike, strategjike dhe ekonomike midis Turqisë dhe Greqisë, na japin një dëshmi të qartë që këto çështje janë të vështira, që kanë bërë që të implikohen në deklarata lider të rëndësishëm botërorë, çka tregon se simpatitë apo antipatitë kanë dalë sheshit. Kush na siguron që procesi do jetë i drejtë, në specifikat që ka problemi i delimitimit të ujrave midis ishujve grekë e bregdetit shqiptar.

Edhe nëse do të shkohet në Gjykatë, informimi publik është i rëndësishëm dhe vendimarrja sipas Kushtetutës, jo sipas vullneteve personale.

Kjo do të nënkuptojë një strukturim serioz të grupit, që do identifikojë çështjet për gjyq dhe për më tepër profesionalizmin dhe studion ligjore përkatëse.

Kjo çështje mund të përfundonte në Gjykatë, si një probabilitet i mosarritjes së dakordësisë në fund të një përpjekje dhe pasojë e një konsulte të plotë me institucionet kushtetuese, por e deklaruar papritmas, tingëllon si një inferioritet politik, psikologjik dhe si një zgjidhje pragmatike në vigjilje të nevojës politike për hapjen e negociatave, për të cilën Greqia nuk më rezulton që ta ketë kushtëzuar.

Sot pas 8-të viteve në qeverisje Kryeministri Rama, e shpalosi si të vd*ekur një negociatë, e cila nuk u ekspozua kurrë, duke sjellë pështjellim, dyshime, paragjykime e deri në ak*uza për shitje të interesave kombëtare

Si rezultat, kemi një vendim personal të Kryeministrit dhe jo të Kuvendit dhe Presidentit për ta çuar në Hagë. Kjo gjë jo vetëm përbën shkelje kushtetuese, por e çon Shqipërinë pa një zë të unifikuar, e cila lexohet nga jashtë Shiqipërisë si pikë e dobët.

Padyshim, duke ruajtur respektin për Institucionin e Gjykatës Ndërkombëtare, personalisht nuk jam i bindur në drejtësinë pa influenca subjektive të karakterit emotiv. Mendimi është i imi dhe nuk përbën herezi, për më tepër që sot nuk mbuloj asnjë karrike institucionale, pasi retrospektiva e ngjarjeve të rëndësishme për Shqipërinë, na fut në dyshime me rregullin kokëfortë të precedentit historik. Mënyra si janë parë gjërat për ngjarjet në ish- Jugosllavi, minimalisht na veshin me skepticizëm.

Të gjithë e kemi të freskët motivimin e çmimit Nobel, të akorduar për shkrimtarin austriak Peter Handke, duke e zhveshur nga motivimi moral, si admirues i Millosheviçit dhe mohues i mas*akrës së Srebrenicës përmes kontestimeve të shumta. Megjithatë, ai njihet si fitues zyrtar i Nobelit për vitin 2019-të. A duhet ta vemë në dyshim moralin e komisionit për Nobelin? Pse jo!

Dhe më rëndësishmja nga të gjitha, është mungesa e transparencës për institucionet dhe publikun.

I njoh vehtes cilësinë e njeriut të informuar jo pak për këtë çështje, por përsa ka ndodhur këto 7-8 vite jemi në errësirë të plotë. Pjesa më negative, mbetet fakti se për çdo gjë në këtë proces, jemi informuar nga zyrtarët grekë, të cilët jo vetëm kanë qenë më të sinqertë me shoqërinë e tyre, por nëpërmjet artikulimit unilateral kanë krijuar edhe një epërsi në krijimin e një opinioni, sikur gjërat po shkonin në favorin e tyre. Në këtë kontekst ishte e pafrytshme dhe me doza inferioriteti, kur Rama perifrazonte, duke i dhënë të drejtën apriori homologut grek.

Pra, loja në planin politik, konsiderohet e humbur nga Rama dhe mosrespektimi i Presidentit në këtë çështje, më jep pasiguri në këtë proces.

Mungesën e altruizmit, e pamë me keqardhje në fillim të këtij viti midis vendeve europiane, madje midis shteteve anëtare të BE-së, në kulmin e pandemisë nga Corona*virusi, e cila imponoi një falje publike në emër të Bashkimit Europian, për egoizmin e disa vendeve ndaj të tjerëve për mjetet e përballimit të epidemisë. Kjo duhet të na imponojë organizim dhe disiplinë të fortë, për të përballuar një argument jo të lehtë edhe për shkak të aleancave, empative apo antipative, pjesë të marrëdhënieve njerëzore dhe midis shteteve.

– Cilat janë çështjet që Shqipëria dhe Greqia, nuk kanë rënë dakord deri tani midis tyre dhe kërkojnë gjykim ndërkombëtar?

– Besoj se përtej grupit që raporton tek Kryeministri nuk e di askush, madje duke parë marrëdhëniet tepër të acaruara midis tij dhe Presidentit, më jep të drejtën të dyshoj se nuk ka informacion as Kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Edhe në sistemet monarkike, këto gjëra informohen në Parlament. Në këto kushte, nuk kam përgjigje për pyetjen tuaj.

– A mendoni se ka konsensus të përbashkët midis Shqipërisë dhe Greqisë për pyetjet që do t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare (Marrëveshje Speciale)?

– Në përfundim të një procesi të gjatë komunikimi, që i takon funksionalisht Ministrisë së Jashtme e grupit negociator, kemi arritur të kuptojmë se është rënë dakord për të mos rënë dakord dhe në mënyrë konsensuale të shkohet në Gjykatë. Ky besoj është i vetmi konsensus. Në këto çështje nuk toleron kush. Apriori shumëkush e mendon se Greqia, e cila ka det e ishuj pa fund (më shumë se 3000 ishuj), ndërkohë që Shqipëria, ka vetëm një të tillë, do të ishte fleksibël. Në fakt rezulton ndryshe. Ata kanë motivim të thellë nacional për çështjen që diskutojmë.

Ndërsa nacionalizmi shqiptar, është përgjithësisht deklamativ e folklorik, fqinjët rreth nesh veç konservimit të territoreve të tyre, e kanë shkruar historinë më mirë se ne në interesin e tyre, për territoret shqiptare që nuk janë më tonat. Atëherë si mund të ketë konsensus. E kam dëgjuar shpesh këto ditë nga shumë analistë që thonë, se palët do bien dakort për çështjet.

Çështjet dihen. Ato janë të lidhura ekskluzivisht me vijën ndarëse. Ajo vijë ndan territore, burime natyrore dhe interesa gjeostrategjike. Kur shkon në Gjykatë, secili tenton të marrë avokatin më të mirë. Nga historia kam mësuar se; nuk ekziston altruizëm midis kombeve, por marrëdhënie, që tentohen të shkojnë tek fqinjësia e mirë e interesi reciprok.

Ka patur një devijim të fajshëm, nga detyrimet kushtetuese për transparencë dhe vendimarrje në Parlament dhe në konkordancë me Kreun e Shtetit

– A e ka tagrin Kryeministri Rama që të çojë Çështjen e Detit me Greqinë, pa u konsultuar paraprakisht me Presidentin e Republikës, me Parlamentin, pa bërë Referendum popullor, siç bëri Sllovenia me Kroacinë?

– Kurrsesi nuk mund të ketë një adresim në Gjykatën Ndërkombëtare, pa marrë pëlqimin e Parlamentit dhe Kreut të Shtetit.

Kjo nuk është një procedurë administrative e zakonshme, por një çështje e shtetit shqiptar. Çështje të tilla madhore, nuk kushtëzohen nga raportet e rënduara midis institucioneve. Ndjeshmëria dhe përgjegjësia historike, i imponon secilit individ kujdes maksimal në respektimin e ligjit dhe procedurës, edhe në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese.

– Zoti President, a gjykoni se shtyrja e mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht këmbënguljes dhe kushteve të BE ndaj Shqipërisë, është e qëllimshme nga Kryeministri Rama?

– Ka një mospërputhje, së pari, logjike e më pas politike, midis synimeve të Qeverisë për të hapur negociatat me BE dhe lënies së vendit pa gjykatat më të rëndësishme, atë Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, e cila punon në kushtet e reanimacionit klinik. Të jesh Kryetar i mazhorancës politike, ku në Kuvend shpesh ke marrë vota me 2/3, askush nuk të justifikon. E kam të vështirë të ndaj qëllimin nga paaftësia, sepse të dyja janë përzier keq. Si mund të justifikohet që i gjithë mandati i dytë qeverisës, po kalon pa Gjykatë Kushtetuese?

Nëse i ka interesuar apo jo këtë nuk e di, por personalisht e shikoj th*ikë me dy presa. Një qeveri apo Kryeministër normal, duhet ta kërkojë Gjykatën Kushtetuese, si bashkudhëtuese gjatë qeverisjes për të qenë i monitoruar dhe i mbrojtur nga “lajthitjet” ligjore, në aktet e nxjerra gjatë ushtrimit të detyrës. Shumë gjëra nuk do të kishin shkuar në pë*rplasje, e pasiguri po të ishte Gjykata në funksion.

Është mëse e drejtë, kërkesa e ndërkombëtarëve për mbylljen e këtij procesi brenda vitit, ndryshe i bashkohem zërit të atyre, që nëse nuk rregullojmë strukturën kushtetuese të institucioneve ne nuk e meritojmë hapjen. Tek e fundit, çdo keqbërës në krye të qeverisë, duhet ta paguajë me një çmim të lartë politik paaftësinë e tij. Ndryshe, ky vend do të futet në një rreth vicioz, nga ku edhe mbijetesa biologjike, do të jetë në dorë të aventuriereve. Kjo ka ndodhur vetëm në një rast, në komunizëm nga ku mesa duket nuk jemi larguar ende me mentalitetin e disave që aplikojnë kapitalizmin, duke qenë absolutisht në simbolikën e “Bllokut”, në tipologjinë e kompozimit e të sundimit në praktikat e qeverisjes.

-A rrezikohet procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, ngaqë mazhoranca e Rilindjes Socialiste, miratoi Kodin e ri Zgjedhor pa konsensus me opozitën, siç kishin kushtëzuar Bundestagu gjerman dhe Bashkimi Europian?

– Ka kohë që çështjet e pushtetit për z. Rama, prevalojnë kundrejt interesave të integrimit. Agjenda europiane nuk është kompromentuar nga konjukturat politike brenda BE-së, siç tentohet të paraqitet situata. Ngjarjet e mëdha që lidhen me integrimin si NATO, Marrëveshja e Asocim Stabilizimit, etj., kanë patur mbështetje nga vendet anëtare, pasi janë bindur për reformat politike në Shqipëri. Sjellja skeptike e disa vendeve në BE, ka arsye të përligjura që lidhen me kredibilitetin e institucionit të zgjedhjeve që nuk bindin.

-Zoti President, a ju bën përshtypje, heshtja e SPAK-ut ndaj fakteve, provave të një skandali të madh të korr*upsionit për inceneratorët? Mosveprimi i SPAK-ut çfarë domethënie përcjell tek shqiptarët dhe ndërkombëtarët?

– Kjo është një pyetje delikate, pasi është një përzierje e veprimeve të administratës së lartë, reagimit të natyrshëm të opozitës dhe aksionit ligjor që pritet të vijë nga SPAK.

Çështja e inceneratoreve, është një temë tepër e atakuar në media dhe mesa kam parë Kryeministri në një përballje me gazetarët, ku është vënë në vështirësi.

Nuk besoj të ketë kundërshti nga askush pse ndërtohen inceneratorët, por si janë zhvilluar procedurat e tenderimit nga shpallja e projekteve, njoftimi i tenderit, kushtet e vlerësimit e deri tek shpallja e fituesit. Nga kjo procedurë, merret informacion për CV -në e kompanive dhe individëve, kredibiliteti profesional e garancitë financiare, burimet e financimit dhe transparenca, për mënyrën e bashkëveprimit me institucionet bashkiake dhe supervizionin nga qeveria me inspektoriatet e saj. Personalisht, nuk jam marrë me këtë çështje, ndonëse të krijohen shumë dritëhije që burojnë dhe nga denoncimet e opozitës. Sigurisht i takon strukturave të posaçme të bëjnë detyrën e tyre. Ndoshta po merren me këtë punë dhe politika duhet të kuptojë që një proçes serioz hetimi, ka kohën dhe metodën. Kam besimin se pavarësisht se po paragjykohen, anëtarët e SPAK-ut do të veprojnë, pasi janë të detyruar të japin përgjigje ligjore për një çështje, ku dyshohet për korr*upsion në vendimmarrje e procedurë, ku janë në mes para publike.

Sidoqoftë ky institucion, është para sfidave e pritshmërive të mëdha dhe këtë gjë ata e dinë mirë.

Unë e kam konsideruar Presidentin Meta, në mënyrë konstante një njeri me eksperiencë të fortë politike, duke qenë gjithmonë i mendimit që në krye të shtetit, duhet një njeri me profil të fortë politik, pasi turbulencat që vijnë nga mazhorancat politike, prekin dhe ekuilibret e shtetit

– Ju e njihni mirë karakterin e kryeministrit Rama. Ju pyes: Çfarë e detyroi kryeministrin Rama të sillej ag*resiv ndaj gazetarëve në emisionin “Opinion”? (Kryeministri Rama, u vetshpjegua se është tip emocionues).

– Tashmë karakteret e politikanëve, njihen nga publiku dhe nuk ka mbetur gjë pa dhe për të zbuluar. Vlerësimi i karakterit të një politikani ndryshe bëhet nga një psikolog, ndryshe nga një intelektual, që ndjek politikën dhe ndryshe nga militantët apo kundërshtarët politikë. Këtu do të gjesh të gjitha ngjyrat, por në fund përfundon në një tabllo bardh e zi me një gri në sfond.

Sidoqoftë, kur je një figurë e lartë publike, e aq më shumë një Kryeministër, duhet të mos humbësh qetësinë, kur gazetarët të vendosin në vështirësi. Ka një sjellje të dyfishtë të Kryeministrit në studio, i cili e ka të vështirë të ndajë tek gazetarët ish-kolegët në gazetari, nga oponentët publik, apo opozitarët politikë. Siç duket kjo e vendos në vështirësi. E ka të vështirë të ndajë gjërat serioze, nga gallatat me ata në tryeza, ku konsumohen veç verës dhe shumë konfidencë që në një moment, këputet dhe kthehet në armiqësi, e cila shtohet me ezaurimin e pushtetit, me të cilin ikën qetësia psikologjike dhe shtohet ndjenja e një faji, për të cilin nuk kërkohet kurrë ndjesë.

Kurrsesi nuk mund të ketë një adresim në Gjykatën Ndërkombëtare, pa marrë pëlqimin e Parlamentit dhe Kreut te Shtetit. Kjo nuk është një procedurë administrative e zakonshme, por një çështje e shtetit shqiptar

– A mendoni se 25 Prilli, do të jetë kthesë historike e Shqipërisë në rrugën e vështirë 30 vjeçare të tranzicionit?

– 25 prilli, është veçse një datë në kalendar, e cila shpresoj të rikthejë moralin në politikë e qeverisje. Shqipëria, ende nuk është në kushtet që ta quajmë kthesë historike. Është shumë e madhe kjo fjalë për t’u vendosur në kontekstin shqiptar. Ne kemi ndjekur një rrugë anakronike, duke përkeqësuar standardet në qeverisje dhe përfaqësimin politik.

Kthesat historike, kërkojnë koshiencë të fortë kombëtare, ku interesat meskine rrëzohen me neveri, nga më shumë se gjysma e shoqërisë dhe artikulohen me zë të lartë nga intelektualët, të cilët i shoh përditë më shumë në rradhët e fundit të partive politike, si mjet për të ushqyer jetën e tyre ekonomikisht të zbehtë, për të zbehur në vazhdim portretin e tyre të skalitur me shumë vështirësi, si dhe për t’iu dorëzuar në fund politikës pa kushte.

Ata së fundmi, kanë kuptuar se mund të jesh profesor me tituj të shumtë dhe mund të gjesh të mbyllur dyert e Universiteteve, ku drejtuesit e mbajnë mirë me Qeveritë, duke u futur në konjukturat e saj.

Në fund të përgjigjes time 25 prilli, po nuk u promovua si i tillë, do kthehet sërish në betejën për një votë të pamerituar, ku sërish do ridalin thasët me miell për kontigjentë elektorale, që mjerimin ekonomik e kanë të lidhur ngushtë, bile në mënyrë organike me mjerimin e inteligjencës së tyre, të cilët e kanë të pamundur të shikojnë përtej një date zgjedhore, qoftë kjo 25 prill 2021.

-Zoti President, me qëndrimin e deritanishëm të Ilir Metës, ndaj Kryeministrit, a është Presidenti i Republikës në mbrojtje të Kushtetutës, apo Ilir Meta, është kryetari i Opozitës?

– Unë e kam konsideruar Presidentin Meta, në mënyrë konstante, një njeri me eksperiencë të fortë politike, duke qenë gjithmonë i mendimit që në krye të shtetit, duhet një njeri me profil të fortë politik, pasi turbulencat që vijnë nga mazhorancat politike, prekin dhe ekuilibrat e shtetit. Kështu që unë jam i prirur të shikoj tek z. Meta Presidentin.

Zjarr Tv Ad