Basha ka kundër edhe bluzën e Zelenskit

0
98
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Alfred Lela

Bluza alla Zelenski e Lulzim Bashës, një ‘prurje’ e tij në komunikimin vizual përgjatë muajve të fundit, përbën një parodi më vete. Kjo nuk është përpjekja për të kritikuar Bashën dhe as shtabin e tij, por për të shenjuar simbolet e komunikimit vizual apo verbal të një udhëheqësi politik dhe çfarë thonë ato për të. Ngre krye në këtë rast ironia e rrethanave, shoqëruar me një naivitet i cili e ka bazën te pikënisja e gabuar që komunikimi politik ka në thelb risinë. Në fakt, ai duhet të ketë në qendër personazhin politik dhe natyrën e tij/saj, dhe çdo gjë i mvishet karakterit personal dhe publik të tij. Jo e kundërta, pra personazhi nuk u mvishet gjetjeve apo risive.

T- shirt apo bluza në të gjelbër ushtarake, që z. Basha ka parapëlqyer në një numër të daljeve të fundit, ka tre qëllime. Së pari, ta tregojë të ri (apo më të ri se të tjerët) udhëheqësin e rikthyer vakancash apo tërheqjesh. Së dyti, ta tregojë atë në betejë (apo në luftë). Së treti, një nëntekst edhe më qendror në fakt, Basha don ta imagjinojë veten dhe të imagjinohet prej të tjerëve si i riu kundër të vjetrit, e reja kundër të vjetrës. Pra, nëse Zelenski është e para, Putini është e dyta. Lexo Basha përkundër Berishës, Ramës dhe Metës.

Intuitivisht, personazhi politik përfiton në simbolikë nga një brand që ndërkohë ekziston dhe mund ta përdorë atë, siç është rasti me Vladimir Zelenskin, lideri e ri në luftë, shefi i një shteti të vogël apo mesatarisht të tillë, kundër një superfuqie si Rusia e Putinit. Deri këtu gjetja shkon dhe e bën punën. Por, simbolika fillon e dobësohet, madje mund të qesharakëzohet, kur faktet u mbivendosen dhe peshojnë rëndë sipër përpjekjeve për metafora.

Sepse, në raportin Zelenski-Putin në asnjë rast Basha nuk i ngjan udhëheqësit ukrainas. Nëse kërkohet një figurë që ndërton një raport që ilustrohet nga Basha, është ajo e Dimitri Medvedev, një pupaci të Vladimir Putinit. I tillë është raporti i Bashës, të paktën ai publikisht i përftuar, me Sali Berishën, për shembull. Një raport varësie. Lideri ukrainas, të cilin Basha mëton ta ndjekë me bluzën ushtarake apo me mizanskenën e luftës, nuk e ka këtë merimangë në mbulojën e ngrehinës së personazhit të vet publik.

Çka e ‘vret’ Bashën më shumë se kjo është një shtresëzim tashmë i vjetër, kthyer gati në folklor, i betejave të tij ‘të pambarimta’ dhe humbëse, dhe qesharakëzimit të tyre nga media, mainstream apo sociale. “Beteja sapo ka filluar’ qarkullon si një nga batutat më përshkruese të Bashës si politikan.

Të marrësh një politikan që kërkon ta rishpikësh dhe ta fusësh mu në zemër të këtij folklori dëmtues është një naivitet i skajshëm në komunikim politik. Krejt e kundërta duhet të kishte qenë shtegu i marrë. Një personazh politik që vjen nga lagjet e vjetra të politikës, ku ka shërbyer gjatë më shumë se ka udhëhequr, nuk duhe të ketë në qendër të mesazhit të renë/përmbysësen. Një politikan që nuk njihet për beteja të fituara, nuk bën të ngjyrosë profilin publik me spikama të ushtarakes dhe as të verbalizojë në terma të luftës. Një kryetar që ka uzurpuar një prej dy partive të vjetra të spektrit (e cila qëllon të jetë edhe e djathtë), nuk shkon të ligjërojë si luftëtar i moralit dhe të resë.

E ka lirinë për t’i bërë të gjitha këto, natyrisht, por bashkë me të i duhet edhe durimi i të mos marrit seriozisht.

Dhe kjo duhet të jetë në zemër të përpjekjes për komunikim publik të Bashës. Si ndërtohet një lider të cilët njerëzit e marrin seriozisht.

Zjarr Tv Ad