Socialistë e demokratë, të ditur e trutharë, të ndershëm e kusarë, punëtorë e zuzarë, ja pse jemi të ndarë

0
266
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Martin Leka

S’ka më keq se kaq për një vend.

Nuk po flas për ndarjen klasike, atë të kufijve, ku shqiptarët u ndanë në shtete të ndryshme gjatë Traktatit të Londrës – 1913.

Ndarje është fjalë e madhe, mund të thotë dikush. Por në fakt si vetë fjala, e madhe është edhe ndarja.

Shqipëria është e ndarë në socialistë e demokratë.

Nuk e shohin njëri-tjetrin me sy. Nuk e duan. Më shumë se tre dekada, nuk mësuan të jenë bashkë, edhe pse në parti të ndryshme. E shohin veten si armiq. Nuk mësuan se partitë janë grumbullime vullnetare dhe ato përfaqësohen nga ide. Pra, nuk e kanë idenë se partitë duhet të luftojnë për ide e programe. Bile, nuk e kanë idenë se çfarë idesh kanë partitë. Shqiptarët shkojnë turravrap pas liderëve. Kuturu, symbyllur.

Po ziheshin një ditë një foltorist demokrat e një socialist. Njëri me Saliun e tjetri me Ramën. Pasi debatuan gjërë e gjatë për gjithë “politikat” e partive, pasi nuk lanë emër e mbiemër e përemër pa marrë nëpër gojë, biseda pati tone tensioni.

Foltoristi – Ju jeni të korruptuar

Socialisti – Më pak se ju

Foltoristi – Ju jeni hajduta

Socialisti – Kujt i thu hajdut ti more

Foltoristi – Jo ti po të tjerët

Socialisti- Ju keni vjedh më shumë. Shih Rrugën e Kombit

Foltoristi – Vetëm me “intercatorët” keni vjedh miliarda euro

Socialisti – Avash ti more se e teprove, edhe ne vjedhim po të pakten bëjmë punë… (çohet nga tavolina gjithë inat e ndahen pa u përshëndetur)

Shqipëria është e ndarë në të Pasur e të Varfër.

Kjo ngjan si paradoks, sepse të pasur e të varfër ka në gjithë botën. Por duroni gjer në fund. Pasunarët e Shqipërisë janë të gjithë pasunarë të rinj. Kanë vetëm 20 vjet që janë kamur. Me ritmin e këtyre zengjinëve tanë, sot Elon Musk do të kishte pronë të tij gjithë Amerikën, ose gjithë Evropën. Me pak matematikë spekulative, njerëzit më të pasur të botës i bie të jenë në Tiranë. Karakteristika numër një e pasunarëve shqiptarë është se në mos i urrejnë, nuk i duan të varfërit. E dini kë duan më shumë ata? Politikanët. Qeveritarët më saktë. Nuk ka rëndësi në janë të majtë a të djathtë a kush dreqi e di ç’janë. Kushdoqoftë në pushtet, ata e duan. Ndryshe, nuk do ishin pasunarë.

Shqipëria është e ndarë në Veri dhe Jug

Për shkak të liderëve politikë.

Jugu është i bukur. Ka plazhe fantastike. Ka qytete historikë që të mahnisin. E plot gjëra të tjera që çdokush prej nesh i dimë.

Veriu është po ashtu i bukur. Epika e maleve, liqene dhe qytete si Shkodra, të lënë pa frymë. Adriatiku gjithashtu lag Lezhën e Shkodrën. E plot gjëra të tjera që çdokush prej nesh i dimë.

Por janë të ndarë. Për shkak të liderëve që na kanë udhëhequr. Dy kanë qenë liderët ekstremë që kanë identifikuar Jugun dhe Veriun e Shqipërisë, para dhe pas viteve ’90 ose Shqipërinë që ndan dy epoka: Enver Hoxha e Sali Berisha. Njëri në cepin jugor, Gjirokastër, tjetri në cepin verior, Tropoja. I pari dihet, ishte diktatori që edhe pse predikoi simbiozën e bashkëjetesës Jug-Veri, la hapësira të thella në zhvillimin e tyre. I dyti, me shenjat e qarta të një neodiktatori dhe autokrati, e dha haptas shenjën e ndarjes së vendit gjatë vitit ‘97, kur urdhëroi dhe lejoi armatosjen e ushtrisë dhe militantëve nga veriu të mësyjnë jugun.

Jemi të ndarë thëllë, edhe pse nuk e shohim.

Në shqiptarë e kosovarë.

Në besnikë e tradhëtarë.

Në të ditur e trutharë.

Në të ndershëm e kusarë.

Në punëtorë e zuzarë.

…Ja pse jemi të ndarë!

Zjarr Tv Ad