Bledion Nallbati, deputet i PD, i ftuar në ”Kafe Shqeto” në Syri Tv, u shpreh se emergjenca në PD, nuk është zgjedhja e një kryetari, por gjetja e gjuhës së përbashkët për të bërë opozitën. Sipas Nallbatit tashmë po shkrihen akujt e PD me ‘Rithemelimin’, pasi bashkimi ngelet mënyra e vetme për të fituar luftën kundër Ramës.
Fjala e Bledion Nallbatit
Ajo që është emergjente sot në PD është pikërisht kjo që sapo thatë që të ketë një rakordim të gjithë faktorit opozitar përsa i përket betejës kundër qeverisë, betejë parlamentare dhe e opozitës në përgjithësi në gjithë aspektet e veta. Kjo është emergjenca në PD, nuk është zgjedhja e një kryetari, ne duhet të gjejmë gjuhën me gjithë faktorët dhe aktorët opozitarë në Shqipëri dhe të rakordojmë me ta mënyrën e të bërit opozitë, përballjen me qeverinë sepse ky është qëllimi dhe synimi ynë të bëjmë opozitën dhe të luftojmë këtë regjim që sot ka kapur Shqipërinë në gjithë fushat e veta dhe po abuzon në mënyrë të padiskutueshme me pushtetin dhe paranë publike.
Nuk mund të themi që ka një linjë zyrtare të autorizuar që bën rakordim, por ne jemi takuar dhe vazhdojmë të kontaktojmë me kolegët tanë, që janë pjesë e Rithemelimit për të gjetur një zgjidhje për të ndërtuar këtë lloj raporti që është i domosdoshëm.
Për mua, nuk ka pasur asnjëherë akuj, i kam pasur të shkrira akujt gjatë gjithë kohës dhe më duket se po shkrihen akujt dhe me pjesën tjetër të grupit, pasi e theksova se pas zgjedhjeve të 14 majit u duk që është domosdoshmëri bashkëpunimi me gjithë faktorin opozitar dhe aq me tepër me Rithemelimin.