Dhimbje dhe lot, po i jepet lamtumira anëtarëve të familjes Lala

0
31

I veshur me të zeza. Kështu i përcjell sot Durrësi viktimat e tragjedisë së tërmetit katastrofik që tronditi vendin mëngjesin e së martës së 26 nëntorit. Njerëz me të zeza, makina të zeza për t’i bërë nderimet e fundit 8 anëtarëve të familjes Lala që nuk i mbajti dot toka dhe gjetën vdekjen nën rrënojat e banesës së tyre në zonën e Kënetës në Durrës. Dhimbja i kalon kufijtë për të afërmit e tyre por edhe për çdo shqiptar që këto ditë jetoi çdo minutë me ankthin e tyre. Tetë arkëmorte do të dalin sot para syve të të afërmve e qytetarëve të Durrësit për t’u përcjellë në banesën e fundit.

Gjyshja Sahadetja, djali Iliri, nusja Marjeta, mbesa Grisilda, fëmijët e Marjetës, Amelia, Emilio, Dionisa dhe Enisi do kalojnë sot për herë të fundit në qytetin që i priti dhe i mori përjetësisht.

I vetmi i mbijetuar i kësaj familje është Ramë Lala, i cili është nisur për mjekim të specializuar në Itali.

Në homazhet që po zhvillohen në Pallatin e Kulturës në Durrës janë të pranishëm dhe Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, që i shoqëruar nga ministri Blendi Çuçi është parë të fshijë lotët teksa kalonte para turmës së veshur me të zeza.