Nga Mentor Kikia
E kam shumë problem kur rri në radhë në kufi, me makinë. Sepse është kohë e çuar dëm, por mbi të gjitha unë nervozohem shumë me ata që kalojnë në korsinë tjetër dhe duan të futen pa radhë. Unë i kam shumë zët ata që nuk respektojnë radhën. E kam gati patologji këtë.
Unë udhëtoj shpesh drejt Malit të Zi dhe ne verë ka shumë radhë në kufi. Unë jam gati ta dëmtoj makinën time dhe nuk ua lejoj të tjerëve të futen pa radhë, para meje.
Ndaj, kur pashë që policia malazeze kishte dhunuar Prof. Petraq Milon, sepse sipas saj, ai kishte tentuar të futej pa radhë në pikën kufitare, sec pata një ngazëllim. Do të doja ta kisha rrahur unë. Sepse unë kam dashur gjithmonë të rrah një njeri që lë pas 1000 makina për tu futur pa radhë në kufi.
Por ka dy probleme në këtë histori.
1-Unë mund ta rrihja Z.Milo, por policët jo. Policia mund ti vinte një gjobë që ti dhimbte me shumë sesa shpullat që i dhanë policët.
2-Unë nuk kam parë asnjëherë ndonjë polic malazez në kufi, të bërtasë apo të rrahë ndonjë shkodran apo ulqinak(ata mendojnë se dogana është e tyrja) dhe as ndonjë shofer me targa të Kosovës dhe Shqipërisë, që thyejnë rregullat sepse e kanë për turp të presin në radhë. Do të doja me gjithë shpirt, por nuk më ka rastisur.
Madje, një herë në Han të Hotit, unë zura derën e kolibes së policisë që të mos i shërbenin dy makinave shqiptare se kishin ardhur pa radhë e hynë para meje. Por desh më rrahën mua në vend të tyre.
Ne te njejten pike kufitare, disa vajza franceze që po vinin në Shqipëri si turiste panë të njëjtët gjë si unë dhe u revoltuan po si unë. Ato zunë rrugën dhe bënë apel: Shqiptarë, respektoni radhën(fotoja e mëposhtme eshte reale).
Nëse policia malazeze do ti kishte rrahur të gjithë ata që shkelin radhën(ah sikur…), Muriqani e Hani i Hotit do të ishin bërë sot modeli i qytetarisë. Por as policët malazezë e as policët shqiptarë nuk e rr…. fare për këtë sjellje ordinere të shqiptarëve e kosovarëve dhe vetë malazezëve shpesh.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, me të cilin shqiptarët janë mërzitur shumë pse nuk mbrojti Z.Milo, tha me të drejtë se ata policët nuk vajtën ashtu kot tek makina e Z.Milo. Diçka ka bërë ai!
Pikërisht këtu të ndalemi. Z.Milo diçka ka bërë. Po çfarë ka bërë, se për radhën edhe sikur ta ketë shkelur, nuk e kanë rrahur? Dhe, a është sjellja e policëve e justifikuar për atë që mund të ketë bërë ai?
Këtu, të dashur pellazgë, ilirë, dardanë, këndej e matanë kufirit, me viç e pa viç nga pas, nuk duhet ta kemi inatin me Dritanin, por me Edin tonë. Dritani është kryeministër i Malit të Zi, nëse nuk e dini, edhe pse quhet Dritan. Ndërsa Edi, që hiqet si i tërë Ballkanit, është i joni. Ky paguhet me taksat tona, jo Dritani. Përmes mekanizmave që ka çdo shtet, si Ministria e Brendshme, Ministria e Jashtme, ambasadat përkatëse etj, shteti shqiptar duhet të kërkojë shpjegime se çfarë arsyeje ka që dy policë te huaj tërheqin zvarrë një shtetas shqiptar. Nuk ka rëndësi kush është. Ai është një shtetas që mban pasaportë shqiptare. Ai ka shtetin e tij, që supozohet se duhet të interesohet kur atë e rrahin, e përdhosin, e degjenerojnë nëpër pika kufitare.
Nuk na e ka fajin as Dritani e as polici, por shteti jonë.
Kur një polic grek, në pikën kufitare në Kakavijë, ia hodhi pasaportën gati në fytyrë një shtetasi turk(gjë që e bënte çdo ditë me shqiptarët), ajo ra përtokë. Shtetasi turk njoftoi ambasadën dhe refuzoi të ulej ta merrte pasaportën, derisa polici spurdhjak u ul e mori vete.