23 ditët që e kthyen Ramën në ushtar të Ballukut

0
0

Përplasja e fundit e kryeministrit Rama me shoqatën e gjyqtarëve, që e akuzonte për presion ndaj tyre, më shumë sesa një ndërhyrje e ekzekutivit në punët e drejtësisë ka të bëjë me një mbrojtje, me mish e shpirt, ndaj zv/kryeministres së pandehur, Belinda Balluku.

Që në 20 nëntor, kur GJKKO miratoi një kërkesë të prokurorit Prençi për të mos e lejuar më Ballukun të shkelë në zyrë, shefi i saj ka nisur një kryqëzatë për të shpëtuar ministren që akuzohet se ka avulluar 50 milionë euro në tenderin e tunelit të Llogarasë. Kjo betejë 23 ditore, që pritet të finalizohet me shqyrtimin që do i bëjë pezullimit të saj Gjykata kushtetuese më 12 dhjetor është karakterizuar nga një kryqëzatë verbale e paprecedentë e vetë Ramës dhe e mediave të kontrolluara prej tij. Lapsi.al ka bërë një kronologji të kësaj përpjekjeje titanike duke mbajtur shënim, ditë mbas dite, të gjitha veprimet dhe fjalët e shefit të qeverisë.

Në 20 nëntor, kur u mor vendimi që “e pezulluara” Balluku nuk mund të ushtronte më funksionet e saj, ajo nxitoi drejt zyrës së kryeministrit, ku u mbyllën së bashku për disa orë të gjata, në shoqërinë e juristëve dhe avokatëve të qeverisë. Alternativat që kishin përpara qenë: ose zv/kryeministrja të zëvendësohej (me shkarkim apo dorëheqje) ose ajo të mbrohej duke i shpallur luftë drejtësisë. Pas diskutimesh të gjata, ku u morën parasysh edhe hipotezat se në të ardhmen nga një pezullim i tillë mund të kërcënohej dhe vetë Rama, fakti se SPAK këtë herë e kishte kaluar vijën e kuqe, duke vepruar pa leje, i nxitur nga partnerët, si dhe rrethana politike, që nëse Balluku dorëzohej, shpejt presioni do drejtohej menjëherë të Rama, u vendos që të kundërshtohej masa e pezullimit. Atë pasdite të enjteje, kur ende vendimmarrësit nuk kishin dalë nga dyert e kryeministrisë, në mediat pro qeveritare u hodh ideja e një “grushti shteti”, sipas të cilit, pushteti gjyqësor po rrëmbente kompetencat e ekzekutivit duke vendosur se kush mund të qe dhe kush jo anatar qeverie.

Rama nuk foli flakë për flakë atë natë. Ai nxitoi drejt një darke të vrerosur nën shoqërinë e komisioneres së zgjerimit, Marta Kos, që kish mbërritur në Tiranë. Ai u prononcua të nesërmen, në 21 nëntor, në një konferencë shtypi përkrah saj. Aty ai konfirmoi se nuk ka ndërmend ta “shesë” Ballukun duke vendosur standartin e mbajtjes së saj në detyrë edhe duke qenë e pandehur madje pa pasur mundësinë për të kryer funksionet.
Ai e konsideroi vendimin “e një prokurori dhe një gjykatësi që mblidhen bashkë”, si “një akt brutal”, që shkel kompetencat e një pushteti tjetër”, në këtë rast atij ekzekutiv duke shpallur se këtë përplasje mes pushteteve të pavarura, do e dërgojë për ta zgjidhur në Gjykatën Kushtetuese.

Nga ky moment Edi Rama nuk ka ditur të ndalet. Kur në 26 nëntor u zbardh ankimimi pranë Gjykatës Kushtetuese i shefit të qeverisë, kundër pezullimit të zëvendëses së tij, aty u vunë re dhe nota thellësisht qesharake. Prokurori dhe Gjykatësi akuzoheshin se po pengonin integrimin evropian të vendit, sepse Belinda Balluku, e pezulluar, nuk do të shqyrtonte dot deri në 800 projekte që brenda vitit 2027 duheshin përfunduar në bashkëpunim me BE-në.
Të dielën në 30 nëntor, në podkastin e vet të përjavshëm, ai hodhi idenë se sipas Komisionit të Venecias edhe Gjykatës së Strasburgut: “Gjyqësori NUK duhet të pezullojë ministra”. “Prandaj ministri ose rri në detyrë, ose largohet nga detyra me dorëheqje, nga Kryeministri, apo in extremis me dënim të formës së prerë sipas ligjit. Tjetër nuk ka. Prokuroritë e Gjykatat nuk hyjnë fare në këtë mes dhe nuk e bëjnë kurrësesi këtë. Asnjëherë. Askund në Europë”, këmbënguli ai.

Po të vëzhgohet me vëmendje, rezulton se këto deklarata u bënë dy ditë para se Gjykata Kushtetuese të hapte shqyrtimin paraprak të çështjes Balluku. Natyrisht që këto deklarata u kundërshtuan nga opozita e cila pretendonte se nuk ka asnjë rast kur Komisioni i Venecias të jetë shprehur për pezullimin e një ministri.
Sali Berisha e akuzoi Ramën për “presion të jashtëzakonshëm mbi Gjykatën Kushtetuese” dhe për mashtrim publik. Ai tha se kryeministri “mashtroi shqiptarët dhe Europën”, duke i atribuuar Venecias gjëra “që ai kurrë nuk i ka thënë”. Berisha solli shembuj të pezullimeve, shkarkimeve dhe dorëheqjeve të ministrave në vende europiane, duke theksuar se “antidemokratike do të ishte mosveprimi ndaj një superskandali të Ballukut”. Sipas tij, argumenti i Ramës për paprekshmërinë e ekzekutivit “do të thotë që për ekzekutivin nuk ekziston ligji”.

Por shefi i qeverisë i shfrytëzoi këto polemika për të diktuar edhe njëherë rrugën që duhet të ndiqte drejtësia. Këtë herë në një bashkëbisedim live në rrjetet sociale, në 1 dhjetor, ai e konsideroi pezullimin e ministres: “absurd totalisht si koncept”, sepse de jure quhet pezullim, “por de facto është shkarkim”, duke paralizuar autoritetin vendimmarrës të ministrit.
Në 3 dhjetor filloi aplikimi i një strategjie tjetër, demostrimi në sy të publikut se si pezullimi i Ballukut, po pengonte përpjekjet e nje qeverie që shqetësohet për njerëzit. Aq në hall dukej të qe kryeministri sa e lidhte këtë çështje me mospërparimin e një linje ajrore qe do lidhte Shqipërinë me Kanadanë.

“kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthimpërgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve, por kjo procedurë nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit, pasi autoritetin ekskluziv Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër”, shkroi Rama në X.

Duke e kuptuar se shembujt e zgjedhur shpesh flirtonin me kufijtë e qesharakes ai u ul sërish përballë kamerës së laptopit të vet, në 4 dhjetor, për të inskenuar një bisedë me një mbështetës që i kish drejtuar një pyetje: “U bë sebep një mik i mirë për ta bërë këtë komunikim me një mesazh që më shkruan e kuptoj shqetësimin tënd lidhur me precedentin e rrezikshëm që krijoni pezullimi i ministres, së nesër bëhet rrugë dhe prokuror dhe gjykatës të heqin kë të duan nga qeveria. Po ajo e linjës ajrore me Kanadanë mu duk pak e tepërt. Mbase është shumë e tepërt, por shembujt që unë sjell i sjell për të thënë sa i tepërt është pezullimi i një ministri. Ndryshe nga cdo funksionar që mund të pezullohet, ministri i pezulluar jo vetëm që nuk firmos dot vetë asgjë, por bën që askush tjetër të mos marrë vendim dhe të firmosë në emër të dikasterit. Sepse Kushtetuta ia jep atij dhe vetëm atij ministrit autoritetin ekskluziv të padelekueshëm tek askush tjetër” tregoi ai duke shtruar gjoja i shqetësuar pyetjet: “PO me 35 vendimet e tjera të qeverisë si do ja bëjmë? PO me lejet e ndërtimit për investimet në energji të rinovueshme, në godina publikë që kanë kaluar në KKT por nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar si do ja bëjmë”.

Në podkastin e së dielës së 7 dhjetorit kryeministri shkoi përtej për shqetësimit për Ballukun duke vënë në dyshim edhe mbajtjen në paraburgim, pa vendim të formës së prerë edhe të dy të arrestuarve si bashkëpuntorë me të në krim, drejtorëve të KESH dhe të ARRSH, të cilët për sa kohë ministrja e tyre gjendet e pezulluar nuk zëvendësohen dot. “Fakti është se ata nuk hetohen në gjendje të lirë, dhe kështu cila është pasoja? Pasoja është se lihen pa kokë edhe dy institucione të tjera kyçe për vendin, të cilat mbulojnë infrastrukturën kombëtare të rrugëve dhe infrastrukturën kombëtare të energjisë” ligjëroi gjithë pathos ai.

Nuk duroi më shumë se një ditë pushim dhe në 9 dhjetor në vigjilje të hapjes së procesit në kushtetuese Rama u përfshi në polemika edhe me shoqatën e gjyqtarëve që e akuzonte për presion mbi punën e tyre. “Gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore” u përgjigj ai duke u kujtuar gjyqtarëve në mënyrë sa meskine qa edhe kërcënuese pagat e tyre: “Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh po po, 1600 Euro plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre”.

Këtë kryqëzatë të nisur gjoja në kundërshtim të grushtit të shtetit dhe marrjes së kompetencave e tradhëton lehtësisht shprehja e mësipërme, ajo e denoncimit të një “vendimi befasisht të turpshëm”. Ajo dëshmon se këtë herë diçka nga veprimet e SPAK dhe GJKKO-së Ramës mund ti ketë dalë nga kontrolli. Dhe nuk bëhet fajlë për një dosje do si do. Po për një aferë si ajo e tunelit të Llogarasë, ku janë zhdukur 50 milionë euro, ku dyshohet fort se Balluku ka vepruar e urdhëruar nga Rama dhe ku po hetohet, ndoshta me një yshtje nga jashtë, një procedurë abuzive e qeverisë. Janë pikërisht këto elementë dhe jo puçi imagjinar ato që e kanë shndërruar për 23 ditë me radhë Edi Ramën në një ushtar të shpëtimit të Ballukut./Lapsi.al

Zjarr Tv Ad