Arta Vorpsi dhe Elsa Toska janë dy kandidate për në Gjykatën Kushtetuese. Sipas disa dokumenteve që janë publikuar në Bold Neës rezulton se ata nuk kanë marrë pikët e nevojshme që u duhen studentëve për t’u regjistruar në Shkollën e Magjistraturës.
Vorpsi dhe Toska, dy këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese, u përfshinë në një testim nga Shkolla e Magjistraturës në Maj 2018 së bashku me mbi 45 ndihmës ligjorë të tjerë në institucionet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Testimi u organizua në përmbushje të përcaktimeve të ligjit të Vetingut, sipas të cilit, ndihmësit ligjorë që arrin një minimum prej 60 pikësh, si edhe kalonin me sukses procesin e rivlerësimit, kishin mundësinë të fitonin statusin e magjistratit.
Juristet Arta Vorpsi dhe Elsa Toska kanë marrë përkatësisht 56 dhe 57 pikë, rezultat më i ulët sesa limiti minimal prej 60 pikësh nga 100 të mundshme, që kërkohet për pranimin e studentëve të rinj në Shkollën e Magjistraturës.
Megjithatë, dy këshilltaret ligjore kanë marrë viston e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për të vijuar garën për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, duke vënë në pikëpyetje procedurat e ndjekura për vlerësimin e tyre.
“Qëllimi i vendosur nga ligji… (për testimin, shën.red), nuk është që t’i japë rol përcaktues vetëm testimit profesional, por të ndihmojë organet e rivlerësimit…për të vlerësuar si aftësitë profesionale për subjektet e rivlerësimit ex officio mbi rezultatet e testimit profesional, ashtu edhe të punës së kryer prej tyre në institucionet ku punojnë” u shpreh Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, në përgjigjën për “BN”
Në vijim të këtij shpjegimi ligjor, Sokol Sadushi thekson se “konkluzionin përfundimtar mbi nivelin e aftësive profesionale të subjekteve ex officio nuk e bën Shkolla e Magjistraturës, por është dhe mbetet një detyrim ligjor i organeve të rivlerësimit” (Vetingut), shkruan Bold News.
Arta Vorpsi dhe Elsa Toska janë tashmë kandidate zyrtare për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, pasi ato u kualifikuan me vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në Korrik 2019.





