Nga Armir SHKURTI
Pa gruan një strehë mund të jetë depo, shpellë, kapanon, magazinë, fjetinë, bujtinë… por kurrë shtëpi!
Në legjendën e Rozafës ( nuk di nëse me a pa vetëdije ) krijuesi ka kodifikuar pikërisht këtë besim të ardhur nga mugëtira e lindjes së njeriut:
GRUAJA ËSHTË SHPIRTI I SHTËPISË.
Tre vëllezër vendosnin gurë mbi gurë. Por natën ata rrëzoheshin.
Atëhere vëllezërve IU KËRKUA KURBAN.
NJË GRUA?
Jo! Shumë më tepër!!
NJË NËNË E RE!
Sakrifica e nënës për fëmijën s’i përket vetëm njeriut. Edhe klloçka kthehet në bishë për të mbrojtur zogjtë. Në një rrjedhë logjike të historisë Rozafa, për të mbrojtur foshnjen e saj, do të luftonte për të mbetur e gjallë. Për habi … ajo pranon të murroset e gjallë!
Pse?
Pikërisht sepse tek gruaja, po aq i fortë sa instikti i nënës është edhe përgjegjësia e SHPIRTIT TË SHTËPISË. Madje pikërisht për këtë, sakrifikon edhe jetën duke vazhduar mëmësinë EDHE PËRTEJ KËSAJ JETE! Se nëna rron tek fëmija deri në frymën e fundit të tij.
Ndarja në dy gjysma të barabarta të kësaj nëne të re është metafora e mahnitshme e kësaj simbioze të përsosur nënë – grua. Më saktë: FAMILJES, të cilës AJO i jep kuptim me gjithçka: me dashurinë, lindjen dhe rritjen e fëmijëve, kujdesin, mundin dhe sakrificat e saj .
Gjysmën e trupit Rozafa kërkon t’ia lenë jashtë murit, për tu kujdesur e rritur foshnjen. GJYSMËN TJETËR E DHUROI PËR SHTËPINË.
Po po! Murosja e saj u bë shpirti i fortesës.
Kjo është forca, autoriteti, shenjtëria e gruas! Mjafton thjesh prania fizike e saj diku që ai mjedis të marrë formën e saj. Që ata mure të kthehen në shtëpi.
Kështu ka ushtruar pushtetin e saj gruaja në mijëvjeçarë. Pa të bërtitura. Pa teka ( madje edhe PA TAKA ). Pa urdhëra. Pa dhunë. Thjesht me autoritetin dhe pushtetin absolut , hyjnor të SHPIRTIT TË SHTËPISË. Të themelit të familjes.





