Pas lajmit të hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të Shpat Kasapit ka reaguar edhe partnerja e tij Selvija, me të cilën ka edhe një fëmijë 3-vjeçar.
Selvija shprehet e shkatërruar në një postim të gjatë në rrjetet sociale, ku tregon se këngëtari ka ndërruar jetë pikërisht në krahët e saj.
Në mesazhin prekës, Selvija shkruan se ditët e fundit kishin qenë të mbushura me shpresë për ta, pasi po prisnin dokumentet e vogëlushit Roel për t’u trajtuar në Itali. Ajo tregon për lodhjen, stresin dhe bashkëpunimin e tyre të përditshëm, teksa ndiqnin hapat e rritjes së djalit të tyre.
“Ndërrove jetë në krahët e mi, o jetë… Sa të lumtur ishim që më në fund Roelit po i bëheshin dokumentet në ltali, që të mund ta çonim sa më shpejt tek logopedët më të mirë. Sa jemi lodhur, sa jemi stresuar… dhe askush nuk e di! Sa të afërt kemi qenë, sa bashkëpunues në privatësinë tonë, duke shijuar rritjen dhe zhvillimin e Roelit. Nuk prite ta dëgjoje duke të thirrur babi… nuk prite, Shpat. Nxitove dhe na le këtu vetëm, pa ty. E le Roelin jetim, o Shpat… Në kohën kur më së shumti kishte nevojë për ty.”, shkruan Selvija.
Së fundmi, në media kishin qarkulluar lajme për një ndarje të mundshme mes çiftit, por reagimi i Selvijes tregon të kundërtën.
Partnerja e këngëtarit shprehet më tej: “Si t’ ia shpjegoj Roelit që babi nuk është më? Më thoje gjithmonë se do të më doje deri sa vdekja të na ndante… por pse u ndave nga jeta në krahët e mi, pse ma këpute zemrën kështu, o jetë?”
Mesazhin e saj rrëqethës, Selvija e përfundon me lutjen që një ditë të takohen sërish.
Lajmi, i raportuar fillimisht nga mediat e Maqedonisë së Veriut, ka tronditur jo vetëm familjarët dhe miqtë e tij, por edhe mbarë publikun dhe komunitetin artistik në të gjitha trevat shqiptare.





