Gjykata Kushtetuese ka pranuar sot një nga shumë kërkesat e Erion Veliajt për të rishikuar masën e arrestit të tij me burg duke e rikthyer atë në Gjykatën e La e cila duhet të arsyetojë më mirë faktin nëse mund të vazhdojë të mbahet i izoluar një politikan i zgjedhur nga populli. Për këtë pikë anëtarët e kushtetueses votuan 5 me 3 në favor të kryebashkiakut në detyrë. Kaq u desh që mediat pro Veliaj të paralajmëronin lirimin e tij kjo edhe në kuadër të vendimit që morën Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së lartë për të kufizuar paraburgimet pa dënim. Po a kemi të bëjmë këtu me një hap të rëndësishëm drejt lirimit të “Lalit”?
Po të lexosh me vëmendje vendimin e Kushtetueses, gjë që Lapsi.al e ka bërë, nuk rrezulton fiks kështu. Sepse së pari një pjesë e madhe e kërkesave të Veliajt u rrëzuan.
Aty u hodh poshtë pretendimi për cenimin e së “drejtës së mbrojtjes për shkak të kohës së pamjaftueshme në dispozicion për njohjen me aktet e dosjes”.
Gjithashtu Trupi gjykuese me 8 anëtarë, nuk arriti dot shumicën, duke e konsideruar kështu të rrëzuar, pretendimin e Veliajt për cenimin e “parimit reformatio in peius (mos rëndimit të pozitës) që kërkonte anullimin e marrjes së provave të reja në Gjykatën e Posaçme të Apelit, të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi edhe pretendimin e kryebashkiakut në detyrë lidhur me mungesën e “dyshimit të arsyeshëm”, për “rrezikshmërinë e veprës dhe personit” që e mbyllën atë në arrest me burg.
Pra ashtu sikurse shihet Kushtetuesja nuk i pranuar një pjesë të kërkesave të Veliajt. Ajo i dha ati të drejtë në pretendimin se nuk duhej të mbahej në kafaz të xhamtë në procesin e shkallës së parë dhe mbi të gjitha për pikën e mbajtjes së një politikanë të zgjedhur në izolim.
Kjo është edhe pika që ka ngjallur debati pasi Kushtetuesja e ktheu atë për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Por po të lexohet me vëmendje materiali Kushtetuesja nuk ka thënë se një politikan në pozitat e kryebashkiakut në detyrë, që është aty me votë popullore duhet të lirohet detyrimisht. Ajo ka vërejtur se Gjykata e Lartë nuk i ka dhënë një përgjigje mjaftueshëm të arsyetuar këtij pretendimi të ngritur në rekurs nga Veliaj. Kjo do të thotë se ajo nuk ka marrë anë mbi faktin nëse statusi i një të zgjedhuri duhet apo jo të sjellë masë më të butë sigurie, por ka kërkuar që Gjykata e Lartë ta trajtojë dhe ta argumentojë në mënyrë të qartë këtë çështje në shqyrtim.
Shpjegim në këtë mënyrë i kësaj pike i ul trumbetimet e mediave pro Veliaj se ai është në prag të daljes nga biruaca. Gjykata e Lartë mund ta shqyrtojë këtë kazus dhe të arrijë në përfundimin e argumentuar (ajo që i kërkohet) që një i zgjedhur mund të mbahet në burg si gjithë të tjerët. Pra me këtë hipotezë nuk ka shumë vend për entuziazëm. Por, nga ana tjetër fakti që Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë do duhet të rishprehet për këtë pikë, i jep Erion Veliajt një shanc më shumë. Tani fati i tij është në mënyrë të dyfishtë në duart e kësaj gjykate, një herë për detyrën që i la Kushtetuesaj dhe tjetrën, tani më afër, në 28 maj, ajo do të shqyrtojë kërkesën e Lalit për ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, dhe zëvendësimin me një tjetër masë më të lehtë.
Lapsi.al




