Tuesday, May 26, 2026
Ballina Aktualitet Mbahet sot në Bruksel Konferenca e 8-të Shqipëri-BE 

Mbahet sot në Bruksel Konferenca e 8-të Shqipëri-BE 

0
10

Sot në Bruksel zhvillohet Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e cila hap zyrtarisht rrugën për kalimin e Shqipërisë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në BE.

Konferenca vjen pas vendimit të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të shteteve anëtare të BE-së (COREPER), i cili konfirmon përmbushjen e objektivave të ndërmjetëm në grupkapitullin “Themeloret”, si dhe përcakton objektivat përmbyllës për Kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, dhe Kapitullin 24, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në konferencë në krye të delegacionit shqiptar, të përbërë nga ministra të kabinetit qeveritar.

Agjenda:

18:50 – Mbërritja e Kryeministrit Rama dhe delegacionit në Këshillin e Bashkimit Evropian

18:55 – Foto familjare

19:00 – Hapja e Konferencës Ndërqeveritare

Rreth orës 20:15 – Konferencë për shtyp në përfundim të takimit

Kujtojmë se takimi paraardhës i këtij niveli u mbajt në nëntor të vitit 2025, kur u hap grup-kapitulli i fundit i negociatave me BE, “Bujqësia dhe Kohezioni”. Gjë që sipas kreut të qeverisë u arrit në një kohë rekord, për vetëm 12 muaj!

Viti që lamë pas shënoi një sërë momentesh kyçe sa i takon këtij procesi, që pikënisjen e pati në korrik të 2022-it, kur u çelën negociatat. 16 vjet pas firmosjes së marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, u bë realitet ëndrra e kahershme e shqiptarëve për rrugëtimin e vendit drejt Unionit.

Megjithatë, siç e ka deklaruar edhe Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, “tanimë mbyllja e grup-kapitujeve është çmimi real për Shqipërinë”.  

“Vijoni me reformat”, ka qenë apeli i vazhdueshëm nga ndërkombëtarët, por realizimi i të gjithë detyrave mbetet një proces kompleks. Vetë kryeministri ka deklaruar se ka disa fusha ku nevojitet më shumë punë.

“Sfida e sfidave”, për të është grup-kapitulli që lidhet me sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Zjarr Tv Ad