Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në konferencën për mediat sot kritikoi ashpër librin “The Albanian Files”.
Berisha shprehet se libri është dosje e zezë për grabitjen e pronave në jug. Ai shtoi se Rama e ka kthyer Shqipërinë në çiflig personal.
Fjala e Berishës
Libri i kuq ‘Albanian Files’, me parathënie të Edi Ramës, është libri me të cilin Edi Rama fakton shqiptarëve dhe botës se konsideron Shqipërinë një çiflig të tij, e para.
E dyta, se këtë çiflig ia ka dhënë për zhvillim karteleve të drogës, baronëve të drogës, organizatëve kriminale shqiptare dhe ndërkombëtare.
Libri i kuq ‘Dosja shqiptare’ është akuza më e rëndë ndaj një kryeministri apo presidenti republike, ndaj një diktatori të çdo lloj diktature qoftë ai, që dëshmon se ky njeri nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh ligjet kombëtare dhe as ndërkombëtare.
Se për këtë njeri, njëlloj si për sulltanët e shekujve më parë, që kishin ligj themelor të perandorisë së tyre toka, ajri dhe uji janë pronë e perandorit, ato u jepen me leasing qytetarëve për mirëqenie.
Edhe për Edi Ramën, zonat më panoramike të brigjeve të detërave dhe liqeneve të Shqipërisë, të kodrave dhe maleve të vendit, janë pronë e tij, që u jepen për zhvillim trafikantëve kriminelë të urryer.
Ju i keni parë se si në jug, banorët në brigjet e vendit po shpërngulen pothuaj manum militari, po emigrojnë dhe po largohen nga kriminelë trafikantë të egër, që u shkojnë me strajca, me thasë me para, ua blejnë tokat dhe i nisin nga trojet e tyre.
Një qëndrim të tillë ndaj shqiptarëve nuk ka mbajtur asnjë pushtues në histori.
Tentakulat e mafies së rrezikshme që po rrafshon kodra dhe po zhbin çdo gjë në jug, de facto po shpopullon me forcën e narkoeurove brigjet e Shqipërisë.
Dua t’u rikujtoj këtu ju, përfaqësuesve të medieve dhe gjithë shqiptarëve, cili ka qenë projekti i qeverisë së mëparshme për bregun.
Qeveria e mëparshme tregoi një kujdes shumë të veçantë për bregun dhe zhvillimin e turizmit.
Për këtë qëllim, përveç ndërtimit të infrastrukturës në të gjithë bregun, ajo mori një kompani britanike të famshme, të shquar, e cila studioi bregun në të gjithë gjatësinë e tij.
Dhe kjo kompani, që ta dini ju, përcaktoi me studimin e saj zonat ku nuk mund të ndërtohej.
Nuk përcaktoi zonat ku duhej të ndërtohej.
Kjo kompani, pasi përcaktoi zonat ku nuk duhej të ndërtohej, së bashku me qeverinë shqiptare, zhvillimin e bregut ia besoi autoriteteve lokale të bregut.
Mbi këtë bazë, kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i cili ishte një gardian i pakorruptuar i interesave të banorëve të bregut, mori një kompani greke për të bërë tashmë planet e zhvillimit të komuniteteve nga komunitetet.
Unë u them ju se ajo kompani bëri një punë të shkëlqyer.
Dhe në qoftë se ajo kompani, them edhe njëherë, do zbatohej projekti i saj, shqiptarët do kishin sot një breg krejt tjetër.
Nuk do ishte asnjë nga batërditë dhe krimet e tmerrshme mjedisore të kryera në bregun e detit në Shqipëri.
Çfarë ndodhi?
Edi Rama, me të ardhur në pushtet, e përmbysi si studimin britanik, dhe unë njerëzisht u kërkoj ju të bëni kontroll në arkiva dhe ta gjeni se u kujtohet ju kur falanga të krimit të PS dhe Erion Veliajt arritën me shpifjet e tyre, trillimet e tyre, arritën të publikojnë, të fabrikojnë një raport gjoja të pavarur të një eksperti të pavarur të bankës, në të cilat përpiqeshin të implikonin për korrupsion qeverinë shqiptare.
Në një kohë kur qeveria kishte zbatuar me rigorozitet absolut memorandumin e firmosur me Bankën Botërore.
Por, hapi arkivat, pas një përballje të fortë mes qeverisë dhe Bankës, BB dërgoi këtu zëvendëspresidentin e saj Filip Beiru, i cili kërkoi falje publike qeverisë shqiptare për akuzat të pabaza të lëshuara në atë raport, të fabrikuara të gjitha në kuzhinën e Xhorxh Sorosit dhe Edi Ramës në Tiranë.
Por kjo është midis të tjerash.




