Është ndaluar në Francë biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK. Beqiraj mësohet se është kapur rastesisht pasi ka fluturuar me një aeroplan të vogël mbi një zonë të ndaluar. Sipas mediave franceze ai ka fluturuar me aeroplan mbi nje central nuklear.
Pas ndalimit të tij nga autoritetet franceze, priten procedurat e ekstradimit. Gjykata e Posaçme i ka caktuar Beqirajt më herët masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme. Atij gjithashtu i janë sekuestruar pasuri dhe disa llogari bankare.
Edhe Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim në lidhje me arrestimin në Francë të Ermal Beqirajt.
Në njoftim thuhet se Beqiraj u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
44-vjeçari po qëndron në paraburgim dhe nesër pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
“Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, Francë, si dhe pas shkëmbimit të informacionit mes dy strukturave, autoritetet franceze kanë konfirmuar arrestimin, në qytetin e Amiens, Francë, të shtetasit E. B, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale””, thuhet në njoftimin e Policisë.






