Tuesday, August 18, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Tabaku: Integrimi nuk është fotografi në Bruksel, bizneset shqiptare janë lënë të...

Tabaku: Integrimi nuk është fotografi në Bruksel, bizneset shqiptare janë lënë të papërgatitura

0
8

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka kritikuar qeverinë për mungesën e përgatitjes së bizneseve shqiptare për përballjen me standardet e Bashkimit Europian.

Sipas Tabakut, integrimi europian nuk duhet të mbetet vetëm në konferenca dhe ceremoni zyrtare, por kërkon investime dhe reforma konkrete në ekonomi.

Ajo thekson se qeveria nuk ka ngritur në kohë skema financimi, laboratorë, institucione certifikimi dhe kapacitete teknike për sipërmarrjen.

Reagimi

Integrimi europian nuk është një fotografi në Bruksel. Nuk është një ceremoni, një konferencë apo një datë në kalendarin e qeverisë.

Integrimi, është transformimi i shtetit, i ekonomisë dhe i mënyrës se si funksionon tregu.

Për një zyrtar, standardet europiane mund të jenë thjesht kapituj dhe direktiva të lexuara nga zyra. Për një sipërmarrës, ato janë investime, pajisje, teknologji, kredi dhe vende pune. Bizneset dhe qytetarët janë ata që do të përfitojnë nga ky proces, por edhe ata që do të paguajnë kostot e papërgatitjes.

Qeveria pati vite për t’i përgatitur bizneset shqiptare. Megjithatë, nuk ndërtoi në kohë skema financimi, laboratorë, institucione certifikimi dhe kapacitete teknike. Sipërmarrja u mbajt larg procesit, pa konsultim të vazhdueshëm, pa transparencë sektoriale dhe pa një kalendar të qartë detyrimesh.

Ndërkohë, biznesi shqiptar hyn në konkurrencën europiane nga një treg i deformuar prej monopoleve, favorizimeve, korrupsionit dhe ligjeve me porosi. Në këtë treg nuk fiton gjithmonë ai që prodhon më mirë, investon në teknologji dhe paguan rregullisht taksat. Shpesh fiton ai që ka lidhjen më të fortë.

Por tregu europian është i hapur dhe konkurrues. Ai nuk fal mungesën e standardeve dhe e ndëshkon papërgatitjen.

Bizneset shqiptare gjenden sot mes një ekonomie të kapur dhe të pandershme, nga njëra anë, dhe një qeverie që nuk dialogon me to dhe nuk i ndihmon të përballojnë sfidat e integrimit, nga ana tjetër.

Shqipërisë i duhen plane të qarta tranzicioni për çdo sektor, financim real për përshtatjen e sipërmarrjes, asistencë teknike dhe konkurrencë e ndershme.

Integrimi europian nuk fillon në tavolinën e negociatave. Fillon në fermë, në fabrikë, në dyqan dhe në buxhetin e çdo familjeje.

Halli nuk është të përmbushim kushte në letra por qëllimi duhet të jetë që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian me një ekonomi më të fortë dhe me biznese shqiptare që konkurrojnë, prodhojnë dhe eksportojnë jo me bizneset e ndershme të sakrifikuara dhe të privilegjuarit të mbrojtur. Apo me një klimë ku biznesi është lënë në mes të katër rrugëve qëllimisht!

Zjarr Tv Ad