Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është takuar me presidentin Bajram Begaj në Pallatin e Brigadave, në kuadër të konsultimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Ndërkohë, procesi i konsultimeve po zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, pasi Partia Demokratike dhe forcat e tjera opozitare kanë refuzuar ftesën e kreut të shtetit. Opozita ka bërë të qartë se nuk do të bëhet pjesë e diskutimeve për përcaktimin e datës së zgjedhjeve, duke vënë në pikëpyetje zhvillimin e këtij procesi në rrethanat aktuale.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e ka cilësuar nismën e presidentit si një teatër, ndërsa edhe Partia e Lirisë ka konfirmuar mospjesëmarrjen në konsultime.
Nga ana tjetër, Tedi Blushi ka argumentuar se situata aktuale nuk mund të trajtohet si normale, në një kohë kur studentët janë në rrugë dhe po protestojnë për kërkesat e tyre. Sipas tij, nuk mund të zhvillohen konsultime për kalendarin zgjedhor sikur vendi të mos përballej me shqetësime.
Në këto kushte, tryeza e thirrur nga Begaj po vijon pa përfaqësimin e opozitës, ndërsa diskutimet për datën e zgjedhjeve zhvillohen në një atmosferë përplasjesh politike dhe protestash studentore, raporton gazetari Ergys Gjençaj.
Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, zgjedhjet vendore të vitit 2027 duhet të mbahen në një ditë të diel, në periudhën 15 prill – 15 maj. Presidenti duhet ta shpallë datën në përputhje me afatet ligjore, ndërsa 6 nëntori konsiderohet afati i fundit për nxjerrjen e dekretit.
Deri më tani nuk ka një propozim zyrtar të përbashkët nga partitë politike për datën e votimeve. Muaji maj mbetet periudha që po shihet si më e mundshme, ndërsa 2 maji përjashtohet për shkak se përkon me Pashkët Ortodokse.
Një nga datat që përmendet si alternativë është 9 maji, e cila përkon edhe me Ditën e Europës.
Përtej kalendarit zgjedhor, refuzimi i opozitës për t’u përfshirë në konsultime dhe protestat e studentëve e bëjnë edhe më të tensionuar klimën në të cilën po zhvillohet ky proces.

