Edhe këtë mëngjes studentët kanë nisur marshimin në universitetet dhe fakultetet e kryeqytetit, duke vijuar protestën kundër qeverisë dhe duke kërkuar bojkotimin e procesit mësimor.
Pas Politeknikut, marshimi ka nisur drejt Universitetit të Arteve, ndërsa më pas të rinjtë pritet të vijojnë në fakultetet e tjera të Tiranës, ku do t’u bëjnë thirrje studentëve që t’u bashkohen protestave dhe të braktisin auditorët.
“Protestë deri në dorëheqjen e Ramës”, është mesazhi që shoqëron lëvizjen e tyre, ndërsa studentët theksojnë se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave.
Ata bëjnë me dije se kanë zhvilluar diskutime dhe kanë vendosur bashkëpunim me grupe studentësh në universitete të ndryshme, përfshirë edhe studentët e Mjekësisë, me synimin për të zgjeruar bojkotin dhe për të bashkuar zërat e të rinjve.
Me herët, studentët ironizuan kryeministrin Edi Rama në lidhje me kërkesën e tij për dialog, ndërsa ata i kërkojnë dorëheqjen.
Mbi disa karrige tek Universiteti Politeknik, studentët kanë vendosur disa fotografi të dhunës policore ndaj të rinjve, krahas së cilave kanë vendosur edhe disa letra në të cilat është shkruar: ”Diktator”.

