Haradinaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

0
24

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka propozuar sot para kabinetit qeveritar që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për të marrë një vlerësim se si duhet të veprojë tash e tutje qeveria në dorëheqje.

Në mbledhjen e thirrur për sot Haradinaj tha se nuk mund të bëhet vlerësimi i temave urgjente dhe atyre jourgjente, ndaj siç ai u shpreh, është mirë të merret vlerësimi i Kushtetueses.

“Vlerësimi i temave që janë më urgjente është pak i vështirë, s’di kush e ka atë të drejtë për ta bërë. Ajo që më mbetet të bëj është që t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Unë jam kundër kësaj, por jam i detyruar t’i drejtohem Kushtetueses”, ka deklaruar ai.

Një gjë të tillë e ka kritikuar zëvendëskryeministri që vjen nga PDK, Enver Hoxhaj, i cili tha se paraprakisht do të duhej të kishte një koordinim mes koalicionit qeverisës.

Pavarësisht diskutimeve, Haradinaj tha se ndihet i obliguar t’i drejtohet Kushtetueses dhe për këtë kërkon mirëkuptim të kabinetit qeveritar. Me këtë rast, ai kërkoi që sa më shpejt të përpilohet një pyetje që t’i drejtohet Gjykatës.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje para një jave, pas ftesës që mori nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

 

 

Zjarr Tv Ad