Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka shprehur mbështetjen për Erion Braçen si kandidat i PS për Bashkinë e Tiranës, ndërsa ka komentuar edhe përjashtimet e fundit në radhët e opozitës.
Gjatë një interviste në emisionin “Puls” nga Bruna Çifligu në A2CNN, Duka u shpreh se Braçe është një figurë me eksperiencë dhe me imazh pozitiv në publik.
Sipas tij, në një kohë kur mazhoranca akuzohet për korrupsion, një figurë si Braçe, që ka ngritur vazhdimisht problematika në Parlament dhe shpesh ka qenë kritik edhe ndaj PS-së, do t’i bënte mirë kryeqytetit,
“Erioni është njeri me shumë eksperiencë, edhe në momentet kur mazhoranca anatemohet për korrupsion, pavarësisht se mundohet t’i mbulojë ato veprat korruptive dhe t’i paraqesë si suksese, një figurë si Braçe, i cili është i pakonsumuar në qeverisje dhe ka një imazh pozitiv, jo vetëm majtas sa i përket ndershmërisë dhe ka ngritur çështje dhe problematika në Parlament, në përgjithësi në favor të qytetarëve dhe në favor të banorëve të zonave rurale, pavarësisht se në disa raste ka qenë ndesh me PS-në, do t’i bënte mirë kryeqytetit sikur të ishte në krye të tij”, tha ai.
Sa i përket zhvillimeve në PD, ai u shpreh kundër përjashtimeve, duke përmendur konkretisht rastet e Boshku dhe Burgija, të cilët tha se i njeh si njerëz të ndershëm.
“Nuk jam dakord me përjashtimet. Mund të jap fakte për dy të Durrësit, Boshku dhe Burgija. Unë kam bërë fushatë elektorale në zgjedhjet e kaluara. Burgija s’ishte shumë aktiv në fushatë, por kurrsesi s’ka çuar vota te PS-ja. S’kam asnjë të dhënë”, shtoi Duka.




