Armir Shkurti: Kishë e vogël kjo e jona, për të mbajtur kaq ikona

0
27

Kam kaq kohë që dua ta them, por po vdesin dendur figura e unë nuk dua të merret sikur e kam me dikë prej tyre. Madje nuk e kam me asnjë prej të vdekurve. Më heqin petllën idiotët e gjallë që fyejnë të vdekurin me epitete dhe cilësime të pamerituara: “iku një ikonë e ekranit”, “u shua një erudit”, “boshllëku që na la gjeniu” e **rlliqe të këtij soji, që fyejnë përnjimend të ndjerin. Nëse një çakërri i thua “të hëngsha syrin”, natyrisht që po e tall. Nëse një xhuxhi i thua “gjigand” patjetër që po e fyen. Kështu është edhe kur një të vdekuri i mvesh çilësi që s’i ka patur në jetë ose i tejfryn ato që i ka patur…

“Nuk flitet keq për të vdekurin”! – lexoj rëndom kur dikush reagon ndaj “ikonës”, gjë që turma më pas e interpreton si blasfemi. Po! Nuk shehet i vdekuri! Por as nuk fyhet duke i mveshur rrena!

Gjithashtu: nuk kam synim këtu të diskutoj në asnjë rrethanë lavdet, qoftë të pamerituara, si njeri. “Ishte i mrekullueshëm”, “ishte njeri i mirë” edhe kur s’është ashtu, nuk ka problem. Halli është me “ikonat”. Po aq hall është me ikonografinë e zoografit Rama dhe kishëzën tonë të vockël.

Rilindja dhe rilindasit i gjen në rrugica, rrugë madje edhe shkolla të Tiranës. Nuk e kam për Naimin, Asdrenin, Çajupin, Mjedën, por për shokë e të njohur të Edi Ramës, pjesë e emrit të përdhosur “rilindje”, që kanë ndërruar jetë nga zemra, dambllaja madje edhe nga aksidente me makinë apo vetëvarur në litar. Apo edhe të çuar përtej nga tepërimi me kokainë. Drejtorë, tregëtarë, këngëtarë, pronarë, deputetë, opinionistë pa asnjë heroizëm, përveç stoicizmit të të duruarit dhe mbështeturit të liderit, janë sot emra rrugësh e më keq akoma: shkollash!

Në Tiranë kemi rrugë me emrin e shkrimtarit italian Alessandro Leogrande, që ndërroi jetë në vitin 2017 prej zemrës, por nuk kemi një rrugë me emrin Dante Aligeri ( që do ti rrinte për trupi rrugës nga hyn Rama në kryeministri )

Pra zoografi ka krijuar një ikonografi të tijën, me shenjtorë të rremë, që kanë nxjerrë jashtë kishëzës sonë ata që e meritojnë apo e kanë merituar. Këta idhuj e shenjtorë të rremë kanë krijuar edhe narrativën e rreme për të sotmen, palé për nesër.

Le të kthehemi tek ne. “Rilindja” me zoografin, ikonat dhe ikonografinë e vet ka punën e vet. Punë që nuk ze, nëse ne nuk fluturojmë me pras në bythë dhe delirojmë në nivele adhurimi skizofrenik për njerëz të njohur kur ikin nga kjo botë. Kuptoj varfërinë shpirtërore dhe boshllëkun në të. Kuptoj mediokritetin kulturor dhe intelektual të shumë prej atyre që dekorojnë kufoma me medalje e çmime të pamerituara. Por s’kuptoj ison polifonike që vazhdon e i hedh lopata muti superlativash, pa doganë e pa moral një të vdekuri i cili besoj do të të kish përshyrë në surrat nëse kthehej një çast të vetëm në këtë dynja!

Zjarr Tv Ad