Një vrasje me armë zjarri tronditi qytetin e Elbasanit mbrëmjen e të dielës.
Biznesmeni Mondi Mëhalla, i njohur edhe si Edmond Hyka, u qëllua brenda automjetit të tij me dy plumba në kokë, duke ndërruar jetë në vendngjarje.
Biznesmeni, i cili rezulton me precedentë penalë në fushën e narkotikëve, u vra sapo hipi në mjetin e tij tip “Range Rover”, para karburantit që administronte, në Unazën Juglindore, në dalje të qytetit të Elbasanit.
Ai dyshohet se është qëlluar me armë zjarr nga dy persona, të cilët kanë qenë në një mjet tip “Audi”, dhe që janë larguar menjëherë nga vendngjarja.
Të paktën 10 persona janë shoqëruar dhe po merren në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e krimit.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht për shqyrtimin e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave të tjera materiale.
Hetimet vijojnë në disa pista paralelisht, ndërsa operacioni policor në terren mbetet në zhvillim. Autorët e atentatit mbeten ende të paidentifikuar.
Edmond Hyka, i njohur si Mond Mëhalla, ka rezultuar i hetuar nga Prokuroria dhe Policia e Elbasanit për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, pasi më herët ishte proceduar dhe arrestuar nga autoritetet e një shteti të huaj si i dyshuar për trafik droge.
Mëhalla ishte pronar i “Hollywood Lounge Bar”, zotëronte pikën e karburantit “Xhaxhi Oil”, në oborrin e së cilës u vra, si dhe kompaninë e transportit dhe taksive “EL-Taxi”.




