Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një komunikim për qytetarët përmes rrjeteve sociale, vijoi sulmet ndaj “armiqve” Lulzim Basha dhe Ervin Salianjin, duke i quajtur të përdorur nga Rama.
Të njëjtën retorikë Berisha përdori dhe për Dash Sulën.
Duket se Berisha e ka tashmë të qartë moton e tij, “sulmo këdo që kërkon një PD ndryshe”.
Berisha: Natyrisht në kaluam në proces siç e dini ju dhe ky proces u zhvillua me një moto: Për një PD më të hapur, më të fortë, më të bashkuar. Kjo ishte motoja jonë.
Unë nuk dua të harxhoj kohën e atyre që na ndjekin, por kjo moto ishte e domosdoshme sepse ajo që ndodhi me ne, sigurisht krijoi një përçarje dhe mendoj se ky proces u finalizua. Mendoj se demokratët u bashkuan. Por përsëri mbi bazën e kontributit që kanë unë nuk ja mohoj asnjeriu.
Nuk bëhet fjalë këtu për Bashën dhe pasaardhësin e tij Salianji. Për këta nuk mund të bëhet fjalë se, këta janë fatkëqinj. Njerëz të përdorur në shkallë ekstreme nga Edi Rama.
Mund të thuash janë deshër të errësirës. E patë se çfarë bëri Dash Sula.
Këta janë një lloj Dash Sule me petkun e demokratit. Nuk kanë asgjë të përbashkët me PD-në, as njëri as tjetri.




