Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se një qeveri e ardhshme e PD-së do të ndjekë një politikë me “zero tolerancë” ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha tha se goditja e pasurive të krijuara nga aktiviteti kriminal do të jetë një nga prioritetet e një qeverisjeje të ardhshme demokrate.
Sipas tij, do të krijohet një agjenci kombëtare e posaçme që do të merret me identifikimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me pastrimin e parave.
“Agjenci kombëtare e posaçme, të gjitha objektet e ndërtuara me larje parash konfiskohen”, deklaroi Berisha.
Ai e lidhi luftën ndaj krimit të organizuar edhe me sigurinë e turistëve dhe qytetarëve, duke argumentuar se goditja e aseteve të grupeve kriminale është një nga mënyrat kryesore për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend.
“Vetëm goditja me zero tolerancë e krimit të organizuar është përgjigjja më e mirë për garantimin e jetës së turistëve dhe shqiptarëve në Shqipëri”, u shpreh Berisha.






