Demokratët dorëzojnë në Kuvend projektligjin për Reformën Territoriale: Kërkojmë 33 bashki më shumë! Deputetët e PS t’i thërrasin logjikës

0
18

Deputetët e Partisë Demokratike kanë dorëzuar ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për Reformën Territoriale.

Drafti i demokratëve përmban një pikë ku kërkohet që në vend të ketë 94 bashki, pra 33 më shumë se numri aktual. Në një deklaratë për mediat deputetja Dhurata Çupi deklaroi se kjo është vendosur në bazë të kërkesës së qytetarëve për të qenë më të përfaqësuar në pushtetin lokal.

“Ka qenë një punë voluminoze dhe sot depozituam projektligjin për miratim. Jemi munduar që çdo propozim i qytetarëve të merret parasysh. Nga 61 bashki sot kemi propozuar 94 numrin total që janë kërkuar gjatë konsultimeve me qytetarët në të gjithë vendin. Kemi qenë në të gjitha qarqet e vendit. Kemi dorëzuar interesat e qytetarëve.

Ka pasur një interes të jashtëzakonshëm të qytetarëve sepse ata janë të interesuar për t’u shkuar shërbimet publike më pranë.

Ky projektligj është në interes të qytetarëve shqiptarë. Ishte një komision i ngritur me konsesusin e partive politike. Sepse tashmë në 8 vite nga viti 2015 është treguar që kjo reformë e miratuar pa konsultim të gjerë qytetar shkoi drejt dështimit.

 Ne kemi dëgjuar target grupet e ndryshme që njohin mirë reformën zgjedhore dhe ne sot kemi një reformë pothuajse të dështuar. Uroj t’i thërrasin logjikës deputetët e PS dhe të miratojmë një reformë për qytetarët shqiptarë”, u shpreh ajo.

Kërkesa e PD drejtuar Kuvendit

Në mbështetje të nenit 81, pika 1 të Kushtetutës dhe nenit 68, pika 1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, bashkëlidhur gjeni për shqyrtim dhe miratim projektligjin “Për Ndarjen Administrativo-Territoriale të Njësive të Qeverisjes Vendore në Republikën e Shqipërisë”, shoqëruar me relacionin përkatës, të propozuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Ju lutem, marrjen e masave për nisjen e procedurave parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në Kuvendin e Shqipërisë, në përputhje me nenet 68 e vijues të Rregullores.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.

Zjarr Tv Ad