SPAK ka urdhëruar kontrolle të reja lidhur me hetimet për dosjen e Belinda Ballukut, e cila është marrë e pandehur për shkeljet me tenderin e Llogarasë dhe është nën hetim për shkeljet me 7 lotet e Unazës së Madhe. Burime për Report Tv bëjnë me dije se me vendim të gjyqtarit të hetimeve paraprake Erion Çela, janë miratuar të paktën 15 kontrolle, përfshirë edhe tek familjarë të ish-numrit 2 të qeverisë.
Mësohet se është ushtruar kontroll në banesën e Mired Recit, djalit të tezes së Belinda Ballukut, por edhe personave të tjerë të lidhur me të, në kuadër të hetimeve që po kryhen edhe në drejtim të pasurisë. Mired Reci rezulton ortak me 50% në shoqërinë XL Market (aktualisht me status të pezulluar në QKB), ndërsa 50% të aksioneve i zotëron Meland Qirko, kunati i ish-zv.kryeministres Balluku. Po ashtu, ata rezultojnë bashkëpronarë edhe në një tjetër shoqëri, Hippo Tregu Elektrik, sërish me status të pezulluar në QKB.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar celularë dhe dokumente me vlerë për hetimin, ndërsa mësohet se prokurorët e posaçëm kanë kërkuar edhe informacion jashtë vendit, përmes letërporosive.
SPAK ka ushtruar disa herë kontrolle për hetimet për dosjen Balluku, përfshirë edhe në janar dhe në dhjetor, te kompanitë e biznesmenëve të cilët kanë fituar tenderë të rrugëve me vlerë miliona euro, që SPAK po i heton, si dhe zyrtarë të institucioneve në varësi të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës që drejtonte Belinda Balluku.
Në fund të vitit të kaluar, më 26 dhjetor SPAK ushtroi kontrolle në disa prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në vend. Kontrollet janë shtrirë te kompania “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj fitues i tenderit për rrugën Thumanë–Kashar. Është kontrolluar edhe Ilir Shtufi, pronar i “Nova Construction – 2012” shpk, një prej 3 operatorëve që fitoi tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë, edhe kjo procedurë sot në hetim nga SPAK.
Në vijim të hetimeve për dosjen Balluku dhe disa bashkëpunëtorëve të saj, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontroll edhe në banesën e Viola Haxhiademit, drejtoreshës së KESH-it, që deri para pak javësh mbante postin e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës. Pjesë e kontrolleve të SPAK ka qenë edhe drejtoresha e kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Sindi Dushku si dhe banesat e Sajmir Kuçit, Marsel Hoxhës dhe Jonida Çeços.
Dy javë më pas kontrollet janë ushtruar tek: ‘Alko Impex’ e Arbër Abazit e ‘2T’ e Artan Sakos, fitues të lotit të 7 të Unazës së Tiranës. tek ‘GPG; e Paqsor Buzit dhe ‘Senka; e Ylli Senkës, fitues të Lotit të 5 të Unazës, tek firma Albstar, fituese e Lotit të 3-të të punimeve për Unazën e Madhe të Tiranës dhe tek firma ‘Salillari’ e Pëllumb Salillarit, fitues i Lotit 1 të Unazës së Madhe. Kontrollet janë ushtruar nga BKH në Tiranë, Fier dhe Lushnje.
Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me tunelin e Llogarasë dhe 7 lotet e Unazës së Madhe të Tiranës. Ndërkohë, ajo po hetohet edhe për procedura të tjera infrastrukturore, përfshirë rrugën Kashar–Thumanë./shqiptarja.com




