Thursday, July 30, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Dy muaj protesta, Gonxhja: Gjenerata Z të lexojë më shumë, ne i...

Dy muaj protesta, Gonxhja: Gjenerata Z të lexojë më shumë, ne i dimë hallet e qytetarëve

0
12
Zjarr Televizion Adccccc

Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka zgjedhur një tjetër mënyrë për t’iu përgjigjur protestës 59-ditore kundër qeverisë: jo me përgjigje për shqetësimet e qytetarëve, por me një këshillë për të “lexuar më shumë”.

I ftuar në emisionin “Quo Vadis”, Gonxhja deklaroi se protestuesit duhet të kuptojnë historinë ekonomike të Shqipërisë dhe se vendi nuk mund të krahasohet me shtetet e Bashkimit Europian, pasi sipas tij qeveria ka pasur përpara “gropa financiare” për të mbyllur.

Ministri tha se shqetësimet e qytetarëve njihen nga qeveria, por sipas tij zgjidhja nuk vjen menjëherë, pasi fillimisht duhen “mbushur gropat” e trashëguara ndër vite.

Ndërkohë, për protestuesit që prej 59 ditësh dalin në rrugë, Gonxhja përdori një tjetër argument të njohur tashmë nga mazhoranca: sipas tij, protesta nuk është thjesht pakënaqësi qytetare, por mund të ketë edhe ndikime të huaja.

Duke folur për tubimet para Parlamentit dhe Kryeministrisë, ministri akuzoi disa pjesëmarrës se kanë përdorur gjuhë të ashpër dhe tha se policia ka detyrë të reagojë kur cenohen institucionet.

Por mesazhi që ra më shumë në sy ishte ai drejtuar brezit të ri. Gonxhja tha se “gjenerata Z duhet të lexojë më shumë”, duke lënë të kuptohet se një pjesë e kritikave ndaj qeverisë vijnë nga mungesa e njohurive historike dhe ekonomike.

Në një kohë kur qytetarët kërkojnë përgjigje për korrupsionin, ekonominë, pronat dhe mënyrën e qeverisjes, ministri zgjodhi t’u kujtojë atyre rrugët e Greqisë, problemet e vendeve të tjera dhe “gropën” e pensioneve.

Pjesë nga biseda:

Gonxhja: Duhet t’i themi ne gjeneratës Z se kanë ende kohë të lexojnë më shumë. Shqipëria ka shumë pak vite me CV ekonomike, nuk mund të krahasohet me vende që kanë qenë koloni. Janë vende që sot janë boshti i BE-së. Ne sot duhet të aplikojmë standarde për Shqipërinë që nuk i kanë aplikuar Bullgaria, Rumania e as Greqia. Të më thonë shqiptarët nëse komisariatet, institucionet dhe allishverishet që kishte dhe ka Greqia sot, a mund të ishin ato standardet e BE-së. Kanë qenë arsye gjeopolitike arsyet që u pranua Greqia. Kanë qenë standarde më të ulëta atëherë për pranimin në BE. Sot ka standarde më të larta. Nuk ka absolutisht standardi i sotëm që plotësojmë, krahasuar me vendet rreth nesh. E dini çfarë bëhet me standardet e BE-së? Të shkoje nga Selaniku në Igumenicë, ka qenë si të shkoje në Dakar në rrugët e tyre. Deri vonë Greqia ka qenë copë-copë në infrastrukturë. Ne e kuptojmë që mund të jemi të qartë se duam të jetojmë më mirë, por gropa e pensioneve ishte 1 miliard euro. E kemi ende në rrezik.

Gonxhja: Për pak kohë isha ministër i Ekonomisë. Gropa që kishin lënë paraardhësit e mi, kolegët e PD-së, ishte një skemë pensionesh.

Borakaj: Si e shikoni këtë protestë?

Gonxhja: Sot ka çuna me maska, që unë i kam portretizuar dhe kam thënë se kur bllokon hyrjen e Parlamentit dhe godet institucionin, duhet ta marrësh me mend që policia do të bëjë çdo lloj presioni që të mos e godasësh.

Borakaj: Dje ka qenë si shtetrrethim?

Gonxhja: Nuk flas për dje, flas për fillimin, kur gjuhej nga rreshti i dytë me gurë dhe me xhama. Në rreshtin e dytë ka nga ata që në podkastet e tyre thonë: “Më 28 do e vrasim”. Ne e hapëm rrugën një herë, dy herë, dolëm nga mbrapa, duke u prishur punë bizneseve.

Borakaj: Do të dilni nga mbrapa edhe në shtator?

Gonxhja: Ajo që është për t’u keqardhur është që Tirana, në vend që në qershor të ishte në kulmin e sezonit turistik, zgjeron perimetrin e sigurisë. Çfarë jemi duke bërë? Jemi një vit e gjysmë larg, gati për të hyrë në BE. Një vend që fut prizën në BE është i automatizuar. Do të doja shumë që kjo të ishte një keqkuptim i madh, papjekuri.

Borakaj: Çfarë ka mbrapa?

Gonxhja: Unë nuk jam ministër i Brendshëm. Ne jemi dëshmitarë të asaj çfarë ka ndodhur më parë me interesat e Iranit. Kemi vende në Ballkan që thonë se Kosova është e tyre. Ka rryma në Ballkan që janë gati ta destabilizojnë rajonin. Adriatiku mbyllet dhe kurorëzohet duke u bërë pjesë e BE-së. Bëhet një mbyllje e një unaze, si në ato filmat që shohim. Mbyllet një unazë që e çon Shqipërinë atje ku i takon. A ka ndonjë defekt Shqipëria? Pse, se nuk e dimë ne? Do të na e thotë brezi Z. Ju thashë që gropa financiare ishte 1 miliard euro.

Borakaj: Sa është sot?

Gonxhja: Sot është gati 150 milionë euro. Pjesën tjetër çdo vit e mbulonte shteti. Nëse llogarit sa humbte shteti në deficit, shteti ka dhënë miliarda. Nuk mund të na bëjë askush…

Borakaj: Sa janë rritur pensionet, krahasuar me çmimet?

Gonxhja: Po nëse nuk mbush gropën, nuk mbahet shtëpia. Kjo shtëpi, po nuk investoi në paga, në ekonomi, aty ku rikthehet ekonomia, po nuk mbushe gropën, nuk arrin te pika zero, nga ku duhet të fillosh të rrisësh pensionet.

Zjarr Tv Ad