Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji i është përgjigjur akuzave të bëra ditën e djeshme nga kreu i PD Sali Berisha, në një takim me fermerët në Berat.
I kritikuar nga fermerët në lidhje me quajtjen e Salianjit si të vetëpërjashtuar, Berisha u shpreh se ish-deputeti kishte bërë pazare me Ramën dhe kërcënonte demokratët.
Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji i ka quajtur akuzat si qesharake, ndërsa shtoi se ai që ka bërë pazare me Edi Ramën, është vetë Berisha, ndërsa u shpreh se ky i fundit e sulmon pasi ka frikë garën e ndershme.
“Sulmet e Sali Berishës nuk janë as të rastësishme dhe as të sinqerta. Janë shprehje e qartë e frikës nga gara dhe humbjes së privilegjeve që e kanë bërë të destabilizohet dhe të shfaqë gjendje të rënduar psiko-emocionale! Kur mungojnë argumentet, dalin shpifjet. Kur mungon besimi te vetja, sulmohet tjetri. Unë nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve me pushtetin e Edi Ramës ndërsa Sali Berisha dhe rrethi i tij po! Kam paguar personalisht për qëndrimet e mia edhe me burg, me goditje politike, me sulme të vazhdueshme. Jo sepse u përkula, por sepse nuk u përkula. Të më akuzosh mua për lidhje me krimin është jo vetëm qesharake, por dëshmi e një paniku të thellë politik.
Këto janë metoda të vjetra: shpif, baltos, frikëso sepse nuk përballon dot garën. Me mua nuk ja del dot! E vërteta është kjo: nuk i trembem askujt dhe nuk shmangem nga asnjë përballje. Përkundrazi, kërkoj garë të hapur, të ndershme, përpara demokratëve. Problemi nuk është mendimi ndryshe. Problemi është frika nga mendimi ndryshe.Problemi është frika nga një alternativë që nuk kontrollohet. Demokratët nuk kanë nevojë për etiketime dhe përjashtime, por për garë të vërtetë dhe përfaqësim të ndershëm. Kush i shmanget garës, e ka humbur atë që pa hyrë. Unë jam këtu. Në betejë. Pa frikë dhe derisa ta bëjmë opozitën fituese dhe te largojme autokratet në qeveri dhe opozitë!”, shkruan Salinji në fb.




