Vetëm katër ditë para Zgjedhjeve, Kryeministri Edi Rama, është ndalur në një takim elektoral në Fushë-Krujë, ku po zhvillon një takim elektoral me qytetarët.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri tha se nuk është i kënaqur me zhvillimet e deritanishme, pasi nëse do të ishte i kënaqur nuk do të vazhdonte të luftonte me mish e me shpirt.
Sipas Ramës, zgjidhja për të pakënaqurit nuk është të votosh opozitën, të cilët sipas tij sa herë kanë qenë në qeveri, i kanë bërë mbrapsht punët, por të votosh për ata që kanë synimin të arrijë majën, duke u kërkuar kështu të votojnë PS në 25 Prill.
“Kush më thotë sot se është i kënaqur nuk e besoj. Sot të jesh i pakënaqur është gjëja më normale. Unë nuk jam i kënaqur. Po të isha i kënaqur nuk do të isha këtu, do të isha në shtëpi. Po të isha i kënaqur për çfarë arsye do vazhdoja të luftoja me mish e me shpirt. Aman pyetja ime për ata që janë të pakënaqur është si zgjidhet. Zgjidhet duke u ul, duke fle gjumë, duke besu se rrapushi u ngjalle tashti boll me votu Lulin me karvanin e automobilit. Më votu ata që nuk i kanë thënë punës mirmëngjes. Kur kanë pasur fatin të drejtojnë këtë vend i kanë bërë punët mbrapsht. Me votu ata zgjidhet si me tramvajin e Tiranës. Zgjidhet duke vazhduar të ngjitemi. Përmasa e një burri nuk matet në ditë të mira por të këqija. Përmasa e një burri matet kur ngjitet në një të përpjetë dhe nuk do të dorëzohet pa arritur majën që ki ka vënë syrin të ngjitet”, tha Rama.




