Ballina Blog Faqe 136

Përgjimet/ Si e mësoi SPAK që Balluku e thërriste Ramën “palloshi i gjatë”

0

Ditët e fundit që kur doli lajmi se Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, shumë eksponentë të opozitës, duke përfshirë Sali Berishën po i kujtojnë me ironi faktin që me vartësit e vet, ajo e etiketonte shefin si “palloshi i gjatë”. Kjo nuk është në fakt thjesht një nga nofkat që lideri historik i PD-së, në stilin e tij proverbial, u ngjit kundërshtarëve politikë. Lapsi.al ka zbuluar se ky është një togfjalësh që gjendet në dosjen e zv/kryeministres.

Ashtu sikurse dihet tashmë Balluku ka rënë në çark falë mesazheve që u gjetën në celularin e sekuestruar të ish-vartësit të saj Ervis Berberi, ish drejtor i rrugëve, i burgosur për abuzime në tendera. Ndërmjet të tjerave, në mesazhet që Berberi ruante, madje për t’i pasur të sigurta, i kalonte edhe me screenshot tek celulari i gruas, gjendet edhe një që Belinda i ka shkruar atij.

Ajo i bën me dije se në një orë të caktuar do hynte tek zyra e Ramës, dhe pas 5 minutash që ajo do gjendej aty, ai duhet t’i dërgonte një njoftim në telefon, në mënyrë që të dy të shtireshin sikur po e merrnin vesh aty për një çështje që ata kishin vendosur t’i paraqisnin kryeministrit si surprizë, duke dashur t’ia hedhin atij. Në këtë kontekst Balluku i shkruan Berberit: ” Në filan orë do hyj tek Palloshi i gjatë…”.

Ndonëse për shkak se nuk ka shkuar ende në gjykatë, nga dosja Balluku ka rrjedhur shumë pak. Publiku nuk është njohur ende me imtësi të saj, siç ka ndodhur me dosje të ngjashme. Prandaj, për këtë arsye, nuk dihet me saktësi se për çfarë teme po komunikonin të dy bashkëbiseduesit, as dhe se pse kjo i ka interesuar hetuesve. Por një gjë është e sigurtë. Ndoshta për t’i çuar sinjal Ramës se nuk duhet të vazhdojë me mbrojtjen e zëvëndëses së tij, prokurorët e kanë lënë qëllimisht këtë info të rrëshqasë.  Vështirë të kuptohet se ç’efekt ka pasur ky ‘zbulim” dhe se cila pjesë Ramën e ka prekur më shumë, etiketimi që i bënte Belinda me vartësit apo bashkëpunimi mes tyre në përpjekje për t’ia hedhur atij./Lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Afera e inceneratorit të Tiranës, GJKKO liron Alqi Bllakon!

0

Gjykata e Posaçme ka dënuar ish deputetin socialist Alqi Bllako me 4 vite heqje lirie, ndërsa ai ka lënë po sot ambientet e burgut të Fierit.

Trupa gjykuese e kishte shpallur Bllakon fajtor për korrupsion pasiv, duke përfituar 119 mijë euro dhe një shumë tjetër prej 7 milion lekësh. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u ul në 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa, përveç kësaj, i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Por GJKKO ka vendosur lirimin e Bllakos pasi është vendosur shuarja e masës së sigurimit “arrest në burg” dhe është urdhëruar lirimi i tij nëse nuk ka masë tjetër.

Sipas Prokurorisë, Bllako akuzohet se përfitoi në mënyrë të tërthortë rreth 120 mijë eurosh nga pronarët e shoqërisë koncesionare, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij në Ersekë.

VENDIMI I PLOTË:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “ Gjykimin e çështjes penale në lidhje me procedimin penal nr.255/2 të vitit 2020 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me të pandehur Alqi Bllako, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas parashikimeve të këtij neni para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021, dy herë sipas episodeve përkatëse”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Rudina Palloj, Etleva Deda dhe Atalanta Zeqiraj, bazuar në nenet 112, 152, 261, 379, 380, 381, 390 , 403, 405, 406 të K.Pr.Penale dhe nenet 35, 47-57, 55, 259 të K.Penal, me vendimin nr. 69, datë 04.11.2025, vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Alqi Edmond Bllako, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas kësaj dispozite para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021 (fakti penal për përfitimin e parregullt të shumës 119,715 euro) dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Alqi Edmond Bllako, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas kësaj dispozite para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021 (fakti penal lidhur me përfitimin e parregullt për shtetasin V.B. në vlerën 7.520.000 lekë), dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Alqi Edmond Bllako dënohet me një dënim të vetëm prej 4 (katër) vite burgim. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Alqi Edmond Bllako i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vite e 8 (tetë) muaj burgim.

Në zbatim të nenit 35, pg 1 të Kodit Penal, të pandehurit Alqi Edmond Bllako i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vitesh.

Llogaritja e dënimit fillon nga data e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, me datë 09.12.2023 dhe bazuar në nenin 261, pika 1, shkronja c) të Kodit të Procedurës Penale, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “Arrest në burg”, Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; gjykata.gov.al caktuar ndaj të pandehurit Alqi Edmond Bllako me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit është më e madhe se masa e dënimit të dhënë.

Urdhërohet lirimi i të pandehurit Alqi Edmond Bllako nga paraburgimi nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër të ligjshëm. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e vendimit.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Vrasja për kalin në Berat, bashkëshortja e viktimës: Ja e vërteta…

0

Blendi Fevziu ka publikuar në rrjetet sociale një mesazh nga bashkëshortja e Keli Hoxhës, 42-vjeçarit të vrarë më 28 tetor në kalanë e Beratit për një kalë. Vjola Haxhia ka sqaruar të gjithë dinamikën e tragjedisë së asaj dite ku babai i dy fëmijëve u vra nga 63-vjeçari Kristo Mema pas një debati për kalin.

Haxhia thotë se familja jeton prej 14 vitesh në Britani dhe gjendej në Shqipëri për pushime. Kur ndodheshin në kalanë e Beratit, vajza ka parë kalin dhe i ka kërkuar të atit ta prekë, por 63-vjeçari nuk ka qenë aty. Sapo i janë afruar kalit, ai është shfaqur duke ulëritur.

Edhe pse 42-vjeçari i ka thënë se di si të sillet me kuajt, Kristo Mema e ka ofenduar. Kjo bie ndesh me pretendimet e tij se ka qenë viktima e para që e ka fyer. Pasi Keli Hoxha i ka kthyer shpinën, ai e ka pështyrë. Sërish, 63-vjeçari ka deklaruar se këtë veprim e ka bërë i ndjeri.

Pasi 42-vjeçari është sulmuar me thikë, i ka kërkuar bashkëshortes të njoftojë ambulancën. Ajo rrëzon plotësisht versionin që ka qarkulluar se situata ka ndodhur për shkak se nuk është bërë pagesa. Më tej, thotë se nuk ka reagim për situatën e saj, ndërsa fëmijët që dëshmuan vrasjen e të atit, janë në gjendje shoku.

“Përshëndetje zoti Fevziu,

Unë jam Vjola Haxhia, bashkëshortja e Keli Hoxhës që u vra të martën në Berat. Fillimisht doja t’ju falënderoja shumë për çështjen që keni trajtuar edhe kohën që i keni kushtuar ngjarjes sonë.

Ne, familjarisht, kemi 14 vite që jetojmë në Britaninë e Madhe, kishim ardhur në Shqipëri për pushime dhe një nga destinacionet tona ishte vizita në kalanë e Beratit për t’ju mësuar edhe fëmijëve më shumë nga historia shqiptare.

Ne vizituam kalanë me familjen time dhe nënën e bashkëshortit, diku nga qendra e kalasë ishte një kalë i lidhur në shtyllë që vajza ime 8-vjeçare, Sevia, e pa dhe i tha babait të saj: ‘A mund të afrohem ta prek pak kalin?’ Theksoj që në atë moment kali ishte vetëm, nuk kishte të zotin aty. Keli, bashkë me vajzën, u afruan ta preknin kalin nga gusha, në atë moment shfaqet pronari i kalit duke ulëritur direkt që mos ta preknin kalin sepse acarohet. Burri i tha: ‘Mos u shqetëso, sepse unë jam rritur në fshat, ku kisha edhe kalë dhe di si ta trajtoj.’

Ai filloi të debatojë me bashkëshortin tim në një gjuhë shumë vulgare. Bashkëshorti im i tha se ishte në moshën e gjyshit tim dhe nuk po merrem të debatoj me ty. Theksoj se në ato momente Keli ishte dorë për dore me vajzën.

Ai u kthye me shpinë dhe u nis të vinte nga ne. Në atë moment ai e pështyu nga mbrapa burrin tim tri herë dhe e ofendoi nga familja. Burri im u kthye dhe iu afrua, por në sekondë direkt u kthye nga unë dhe, me dorë në bark, më tha: ‘Shpirt, njofto ambulancën se më vrau me thikë’, dhe ra në tokë i mbuluar me gjak. Aty kishte mbi 100 turistë që po shikonin dhe mund të keni mjaftueshëm dëshmitarë për ta konfirmuar.

Kam lexuar në disa media që u vra sepse nuk bëri pagesën. E kundërshtoj rreptësisht një lajm të tillë, sepse nuk bëri asnjë foto.

Pse mediat nuk flasin apo shteti nuk interesohet si janë fëmijët e mi? Që janë në shok, që mund të më ishte vrarë edhe fëmija me thikë në ato momente. Fëmijët janë në gjendje shoku. Nuk flenë, nuk hanë, nuk flasin.”

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Rama zbulon shifrat, ja sa do të rriten pensionet nga janari

0

Kryeministri Edi Rama përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale ka zbuluar në shifra rritjen që do t’i bëhet pensioneve sipas çdo kategorie. Sipas kreut të ekzekutivit pensionet do të rriten çdo vit përgjatë mandatit të tretë të qeverisë së tij, ashtu siç u premtua në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit.

Pensionistët do të marrin edhe bonusin e fundvitit, nga i cili do të përfitojnë 515 mijë individë dhe do të jetë më i lartë se vitin e kaluar.

“Mbrëmë i përcollëm parlamentit projektbuxhetin 2026 dhe jam realisht i lumtur sot tu them pensionistëve se jua ashtu siç u zotuam në zgjedhje ky mandate do të jetë mandate i rritjes së përvitshme të pensioneve. Siç e kam thënë gjithnjë kjo është pjesa më e vështirë e politikës financiare të një vendi: Pensionet. Por pikërisht se nuk jemi më ai vendi që mezi mbahej në këmbë, por jemi një vend me ekonomi të qëndrueshme që rritet çdo vit, mund ta bëjmë atë për të cilën u zotuam. Të arrijmë vit për vit të rrisim pensionet sipas objektivave të shpallura për secilën kategori. Kështu pensionistët tanë përveçse do të marrin këtë dhjetor bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari do të kenë tanimë një rritje të shtrirë muaj për muaj. Përmbi indeksimin e përvitshëm natyrisht”, tha Rama.

Konkretisht sipas kategorive në fund të mandatit duhet të arrijmë që pensioni mesatar të rritet si më poshtë:

Pensioni urban me vite të plota pune të shkojë 40 mijë lekë të reja nga 27.350 që është sot

Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë të reja nga 15.850 lekë që është sot

Pensioni rural të shkojë në 18 mijë lekë të reja nga 11.500 që është sot

Pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë të reja nga 11.400 që është sot

Pensioni i invaliditetit të shkojë në 30 mijë lekë të reja nga 20 mijë që është sot

Prandaj nga janari i vitit 2026 pensionet do të rriten çdo muaj përmbi indeksimin si vijon:

Pensioni urban me vite të plota pune  – 1.800 lekë

Pensioni urban i pjesshëm – 800 lekë

Pensioni rural – 1000 lekë

Pensioni familjar – 700 lekë

Pensioni I invaliditetit – 600 lekë

Kryeministri sqaroi më tej se të njëjtat shifra do të dyfishohen për secilën kategori në 2027, do të trefishohen në 2028 dhe do të katërfishohen në 2029.

“Për të arritur vlerën e premtuar në qershor të këtij viti kur shqiptarët na dhanë plot 83 mandate. Ky jam unë dhe këta jemi ne, them dhe themi atë që bëjmë, dhe bëjmë gjithnjë atë që themi”, theksoi Rama.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Kushtetuesja rrëzon Qeverinë dhe Presidenti, Veliaj rikthehet si kryetar Bashkie i Tiranës 

0

Gjykata Kushtetuese ka vendosur t’i japë të drejtë Erion Veliajt për të vijuar detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Raportohet se trupa gjykuese votoi me 5 pro dhe 3 kundër për rrëzimin e vendimit të Qeverisë që kishte firmosur shkarkimin e tij, pas propozimit të bërë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Me këtë vendim, anulohet gjithashtu edhe dekreti i Presidentit Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve në Tiranë.

Të premten që lam pas, Erion Veliaj u përball për 7 orë në gjykatë me kryeministrinë dhe presidencën, njëra që firmosi shkarkimin e tij, e tjetra që dekretoi zgjedhje në kryeqytet.

Shkarkimi i Veliajt

Vendimi për shkarkimin e Veliajt u mor më 25 shtator nga Këshilli i Ministrave, dy ditë pas miratimit të propozimit nga Këshilli Bashkiak. Pas shkarkimit, Bashkia e Tiranës drejtohet përkohësisht nga Anuela Ristani, ndërsa Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për zgjedhjet me kandidaten Ogerta Manastirliu, duke ecur sipas “logjikës së fakteve të kryera” të kryeministrit Edi Rama.

Hetimet ndaj Veliajt: 13 akuza nga SPAK

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Erion Veliajn, bashkë me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dhe 28 persona e subjekte të tjera të përfshira në të ashtuquajturën “dosja Veliaj”.

SPAK ka ngritur 13 akuza ndaj Veliajt, mes të cilave përfshihen:

Korrupsion pasiv në 9 raste,

Pastrim parash,

Mosdeklarim pasurie,

Shpërdorim detyre,

Futje e sendeve të ndaluara në burg.

Sipas hetimeve, Veliaj dhe Xoxa kanë përfituar shuma të mëdha parash dhe pasuri të paluajtshme nga kompani që morën leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës. Paratë, sipas SPAK, janë kanalizuar përmes OJF-ve dhe shoqërive tregtare të kontrolluara nga bashkëshortja e Veliajt, për të fshehur origjinën e tyre të paligjshme.

Në dosje përfshihen edhe një sërë biznesmenësh të njohur dhe kompani ndërtimi, si “Fusha” shpk, “Kontakt” shpk, “Agi Kons” shpk, “Palushi” shpk, “Gerard-A” dhe të tjera, të akuzuara për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.

Në listën e të pandehurve përfshihet edhe ish-deputetja Klotilda Bushka, e akuzuar për pengim të zbulimit të së vërtetës, si dhe gardiani Fatjon Baci, i cili dyshohet se i ka dhënë Veliajt një telefon gjatë transferimeve nga burgu në gjykatë.

Sipas SPAK, një pjesë e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme janë përdorur për shpenzime luksi dhe blerje online në vlerën e 86.7 milionë lekëve, për të financuar aktivitetet tregtare të kontrolluara nga Ajola Xoxa.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Akomodim e masazhe indiane, ja faturat që Mediu ka paguar për fushatën e 11 majit

0

Konsulenti amerikan Chris LaCivita që pagoi Sali Berisha për fushatën e 11 majit ka përfituar edhe nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i cili i ka paguar fatura për akomodim në hotele luksi në Tiranë, por edhe për masazhe.

Nga raporti për shpenzimet dhe të ardhurat që Mediu ka dorëzuar në KQZ, evidentohet se ai ka paguar 118 mijë lekë akomodim e masazhe indian për Chris LaCivita.

Po ashtu, Mediu ka paguar edhe 112 mijë lekë për Paul Manafort dhe 82 mijë lekë për Stewart James Jackson.

Akomodim në Hotel (Maj 2025):

– Fatura për Stewart James Jackson: 81,312.00 ALL (kryesisht akomodim).
– Fatura për Paul Manafort: 112,116.00 ALL (akomodim dhe shërbime të tjera).
– Fatura për Chris LaCivita: 118,916.00 ALL (akomodim, bar dhe shërbime masazhi).

Fushata e 11 majit, Mediu kontraktoi kompaninë amerikane 35 mijë dollarë për median online

Fatmir Media ka kontraktuar një kompani amerikane për zgjedhjet e 11 majit, për të bërë strategjinë e rrjeteve sociale. Në raportin që ka dorëzuar në KQZ, thuhet se Mediu ka paguar 35 mijë euro kontratën e PR me Harris Media.

Pjesë nga kontrata

“Klienti do t’i paguajë Kontraktorit një Mbajtëse sipas orarit të mëposhtëm:

a.) Do të paguhet paraprakisht për shërbimet që përfshijnë konsulencën dhe strategjinë dixhitale, menaxhimin e mediave sociale, dizajnin grafik, menaxhimin e bazës së të dhënave, redaktimin e videove të lehta, marketingun me email, mirëmbajtjen e faqes së internetit dhe ndihmën me METА.

b.) Kontraktori do të shërbejë si strateg i medias dixhitale, duke marrë pjesë në thirrje dhe takime ditore dhe/ose javore me kërkesë të Klientit dhe duke përgatitur raporte mbi aktivitetet dhe planet mbi iniciativat kryesore në mënyrë të rregullt me kërkesë të Klientit.

Si pjesë e Marrëveshjes së Mbajtjes, Kontraktori do të dërgojë Zëvendëspresidentin e Çështjeve Politike të Harris Media, Brian Ruddle, në Tiranë për datat nga 12 prilli 2025 deri më 19 prill 2025. Përveç kësaj, Harris Media do të dërgojë një nga ekzekutivë tanë të lartë të kontabilitetit, Austin Parsons, për t’u vendosur në vend nga 12 prilli  deri në fund të fushatës. Anëtari/anëtarët e stafit të integruar do të punojnë në koordinim të ngushtë me ekipin e Klientit për të ofruar mbështetje në vend, për të ekzekutuar detyra të lidhura me fushatën dhe për të siguruar integrim të përsosur me përpjekjet e vazhdueshme të marketingut dixhital. Kjo dispozitë nuk do të interpretohet si një marrëdhënie pune midis anëtarit të stafit të integruar dhe Klientit. Anëtari i stafit do të mbetet nën drejtimin dhe punësimin e Kontraktorit gjatë gjithë kohëzgjatjes së detyrës.

Shpenzimi do të paguhet sipas skemës së mëposhtme:

– Shpenzim një herësh prej 35,000 dollarësh, për të gjithë kohëzgjatjen e kësaj marrëveshjeje

(2) Klienti do të rimbursojë Kontraktorin për të gjitha rregullimet e udhëtimit dhe akomodimit në përputhje me kushtet e përcaktuara në seksionin e lartpërmendur të kësaj Marrëveshjeje”.

Partia Republikane (PR) ka pasur një total të ardhurash prej 11,808,057 lekë.

Këto të ardhura janë ndarë sipas burimeve si më poshtë, bazuar në Përmbledhjen Financiare të subjektit:

  1. Totali i të ardhurave nga fondet publike (Financime publike):

    – Shuma: 2,689,113.00 ALL.

  1. Totali i të ardhurave të krijuara nga vetë partia (Financime jopublike):

    – Shuma: 9,118,944.84 ALL. 

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Shkelja e barazisë në tendera, nga ministrja Balluku te Ervis Berberi, zbulohen emrat e të gjithë të pandehurve

0

Ka vijuar komunikimi i akuzave për veprën penale “Shkelje e barazisë në tendera”.

Pas marrjes si të pandehur të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tashmë janë zbuluar edhe emrat e tjerë të të pandehurve.

Personat e tjerë të marrë të pandehur janë Gentian Gjyli, Erald Elezi, Ervis Berberi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica.

Pas paraqitjes në SPAK të ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ditën e sotme në SPAK është paraqitur edhe kreu i ARRSH, Gentian Gjyli.

Ai u mor i pandehur, teksa burimet jo zyrtare raportojnë se SPAK i ka komunikuar ditën e sotme akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera”.

Numri dy i qeverisë, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku kaloi të premten derën e Prokurorisë së Posaçme ku u mor e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë në tendera”.

Për më pak se 60 minuta përballë prokurorit Dritan Prençi asaj iu parashtruan faktet për të cilat dyshohet. Për zëvendëskryeministren njëkohësisht ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë kjo përballje me organin e akuzës është vetëm një proces.

Në një njoftim zyrtar Prokuroria e Posaçme thotë se Balluku është marrë e pandehur dhe po hetohet për veprën penale Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, hetim ky i bashkuar me një tjetër të nisur një vit më parë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

A do ta mbështesë PS-ja Belinda Ballukun në ushtrimin e detyrës së saj? Ja si përgjigjet Taulant Balla!

0

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se mazhoranca nuk bën asnjë koment për emra të veçantë në lidhje me hetimet për Belinda Ballukun, e cila u mor zyrtarisht e pandehur nga SPAK.

I pyetur nëse Partia Socialiste do ta mbështesë Ballukun në punën e saj tashmë që SPAK i ka komunikuar akuzat, Balla dha këtë përgjigje:

PS edhe në diskutimet që patëm gjatë javës së kaluar sa i takon raportimit të institucioneve të drejtësisë, kemi qenë të qartë që kurrë nuk do të bëjmë komente mbi meritat dhe çështjet që trajtojnë institucionet e drejtësisë. Zyrtarisht PS nuk bën komente për asnjë çështje të veçanet”.

Belinda Balluku u mor e pandehur po për këtë tender, të premten e 31 tetorit. Numrit dy të qeverisë iu komunikua akuza e shkeljes së barazisë në tendera.

Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Lulzim Basha në SPAK për ’21 Janarin’, ja çfarë thotë Berisha

0

Kryedemokrati, Sali Berisha ka folur në lidhje me paraqitjen në SPAK të Lulzim Bashës për çështjen e 21 Janarit.

Në një prononcim për mediat jashtë ambjenteve të SPAK, Berisha është shprehur se hetimet për këtë dosje janë penguar sipas tij nga Edi Rama.

Ai tha se zbardhja e çështjes është në interesin e tij maksimal, ndërsa shtoi se nëse do i shkojë një fletëthirrje nga SPAK do të paraqitet.

“Nga 2013 deri në 2025 njeri që ka penguar atë dosje ka vetëm një emër dhe është Edi Rama. Hetimi dhe zbardhja e kësaj çështje është interesi më maksimal i Sali Berishës dhe PD, ishte e qartë, ishte demonstrata më e dhunshme me agjendë politike për përmbysjen e pushtetit. Nuk ka pasur urdhër nga askush, nuk do mund të gjejnë kurrë që ka pasur një urdhër, sepse s’ka pasur. Garda ka vepruar në përputhje me ligjin, ligji është miratuar nga mazhoranca e asaj kohe. Në çdo fletëthirrje që të më bëhet, jam thirrur në SPAK sa herë më kanë thirrur, do e bëj”, tha Berisha.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Bujar Leskaj i paraqet Berishës dorëheqjen

0

Deputeti demokrat Bujar Leskaj përmes një postimi në Facebook ku bën një analizë të gjatë të situatës ku ndodhet Partia Demokratike dhe opozita, bën po ashtu me dije se i ka komunikuar kryetarit Sali Berisha, dorëheqjen e tij nga posti i drejtuesit politik për qarkun e Vlorës.

“Analiza e zgjedhjeve, mbas denoncimit të farsës zgjedhore dhe raportit të OSBE/ODIHR, duhet të fillojë nga drejtuesit politikë që humbën në zgjedhjet e 11 majit në qarqet e tyre, pavarësisht farsës dhe manipulimit të zgjedhjeve. Këta drejtues duhet ose të japin dorëheqje (personalisht, menjëherë pas zgjedhjeve, në maj 2025, i paraqita Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berishës dorëheqjen time, si drejtues politik i qarkut Vlorë) dhe/ose të zëvendësohen me të rinj, nga kandidatët e PD-së në listat e hapura që fituan ose morën mbështetje të gjerë nga elektorati”, shkruan Leskaj.

Leskaj po ashtu sqaron se do të largohet edhe nga jeta parlamentare në të ardhmen e afërt duke lënë mandatin e deputetit.

“Personalisht, pas dy vitesh, do të lë mandatin tim të deputetit tek kandidati pasardhës në listë, për të inkurajuar deputetët e rinj, nxitur rinovimin dhe për të sjellë një frymë të re të të bërit politik. Ky është një proces që duhet të ndiqet nga të gjithë deputetët aktual; të cilët më vonë si ish-deputetët duhet të vazhdojnë të kontribuojnë maksimalisjt si të ishin deputet, me veprimtari. Kjo formulë në optikën time e bën më të shëndetshme Partinë Demokratike, duke e bërë më të fortë, më te hapur dhe më të sigurt për të ardhmen”, shprehet ai.

Në vijim ai shprehet se për të ndërtuar një PD më të fortë, është e domosdoshme që partia të fillojë një proces të thellë riorganizimi, i cili duhet të përfshijë çdo nivel të saj.

“Kjo do të thotë që të krijohen struktura që mund të adresojnë në mënyrë më efektive nevojat e qytetarëve dhe të angazhojnë forca të reja. Një pikë tjetër ka të bëjë dhe me rolin e institucionit të Drejtuesit Politik. Ky ndryshim nuk duhet parë si një akt formal, por si një proces i thellë rinovimi, që sjell progres për partinë dhe shoqërinë”, nënvizon ai.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx