Ballina Blog

Goditet biznesi/ Edi Rama dhe Petrit Malaj rrisin dhunshëm taksat në fshehtësi

0

Nga Klodian Tomorri

Një pabesi e tillë ndaj biznesit dhe sipërmarrjes vendase nuk ishte parë kurrë në historinë e tranzicionit shqiptar.

Vetëm tre ditë më parë, në mbledhjen zyrtare të Këshillit Tatimor, ministri i Financave, Petrit Malaj, u ul përballë dhomave të tregtisë dhe shoqatave të biznesit duke i parë në sy e duke i garantuar me zë të plotë se nuk do të kishte asnjë ndryshim taksash.

Madje sikur të mos mjaftonte kjo ministria e Financave u shpërndau bizneseve një paketë të rreme fiskale, e cila parashikonte vetëm disa ndryshime të papërfillshme më së shumti proceduriale. Por premtimi i ministrit karton të Financave zgjati më pak se 72 orë.

Mbrëmë, në orën 10 të natës, në pabesi të plotë dhe nën errësirën e mungesës së transparencës, qeveria u nisi bizneseve Paketën e re Fiskale 2027. Ajo që u zbulua nuk ishte thjesht një korrigjim teknik, por një ndryshim rrënjësor dhe një rritje e ndjeshme e taksave që godet në palcë ekonominë.

Paketën nuk e di askush se kush e ka bërë. E sigurtë është vetëm që ajo nuk është përgatitur nga ministria e Financave. Por kjo lëvizje e Edi Ramës dhe Petrit Malajt shënon herën e parë që në Shqipëri ndodh një rritje taksash kaq e dhunshme në fshehtësi, duke përdorur mashtrimin e hapur si instrument qeverisës.

Deri dje, reformat tatimore, sado të ashpra, të paktën kalonin në filtrin e debatit dhe konsultimit publik. Sot, kjo dyshe ka zgjedhur të sillet si një “qeveri e prapaskenave”, duke hartuar ligje në korridore të mbyllura dhe duke goditur pas shpine pikërisht ata që mbajnë me gjak e me djersë buxhetin e shtetit.

Projektligjet e reja parashikojnë masa shtrënguese që do të tronditin tregun: rritje të tatim-fitimit për korporatat në 17%, rritje të normës standarde të TVSH-së në 21%, dhe një goditje fatale për turizmin e agroturizmin duke e çuar TVSH-në e akomodimit nga 6% në 10%. Si të mos mjaftonte kjo, tatimi mbi dividendin pothuajse dyfishohet duke kërcyer në 15%.

Të gjitha këto ndryshime u mbajtën qëllimisht të fshehura deri në momentin e fundit për të shmangur rezistencën e natyrshme të grupeve të interesit.

Ky akt nuk është thjesht një politikë e gabuar ekonomike; është një dëshmi e qartë e mungesës së moralit shtetëror. Kur një qeveri gënjen hapur përpara se të fusë duart në xhepat e qytetarëve dhe sipërmarrësve të saj, ajo humb çdo legjitimitet dhe sillet si një grup okult interesash.

Biznesi shqiptar sot nuk po përballet vetëm me një barrë të re financiare, por me një pabesi të pastër institucionale që shkatërron përfundimisht sigurinë juridike dhe klimën e besimit në vend.

Me këtë natë të gjatë të spastrimit fiskal, Rama dhe Malaj kanë kapërcyer një vijë të kuqe që nuk ka kthim. Ata provuan se për këtë ekzekutiv, fjalë e dhënë, institucioni i dialogut dhe partneriteti me privatin nuk vlejnë as sa letra e projektligjeve të tyre të hartuara në terr.

Duke zgjedhur pabesinë ndaj atyre që gjenerojnë vendet e punës dhe mbajnë në këmbë shtetin, kjo qeverisje vulosi natyrën e saj të vërtetë. Kur sunduesit fillojnë e sillen si zuzarë që vjedhin natën atë që premtojnë të mbrojnë ditën, ata nuk meritojnë më as bindje tatimore dhe as respekt institucional.

Ky nuk është më shtet ligjor; ky është një pritë financiare në errësirë ku biznesi nuk trajtohet si partner, por si pre e radhës./kapitali.al

PD thërret protestë kombëtare të shtunën në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve

0

Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat, ka bërë me dije të shtunën me 31 tetor do të mbahet një tjetër protestë kombëtare në mbështetje të studentëve.

“Plotësisht dhe fuqishëm. Partia Demokratike thërret protestë kombëtare në mbështetje të studentëve. Asgjë nuk e ndan më Partinë Demokratike nga këto dy parime: mbështetje e fuqishme, mbrojtje e tyre. Ky është përcaktimi ynë”, tha ai.

Berisha ka dënuar dhunën ndaj protestuesve duke e cilësuar si “terror dhe dhunë antikushtetuese’. Sipas tij, komisariatet e policisë po veprojnë në shkelje të plotë të ligjeve dhe Kushtetutës, duke shoqëruar dhe marrë deklarata nga qytetarët pa asnjë shkak apo motiv ligjor.

“Së fundi, dënoj me forcën më të madhe terrorin, dhunën antikushtetuese që komisariatet në shkelje të gjitha ligjeve po ushtrojnë ndaj qytetarëve në qytete dhe kudo për pjesëmarrjen e tyre në protesta paqësore.

Pa asnjë shkak, pa asnjë motiv, duke shkelur kode dhe Kushtetutë, marrin deklarata dhe besojnë si të verbër se me instrumentet e frikës do mund të shpëtojnë Vuçiçin shqiptar. Edi Rama, argati i Vuçiçit, apo siç e kanë quajtur, Pashiqi shqipfolës, do të ketë fatin e tij ose të Çausheskut. Duhet të zgjedhë vetë. Protestat nuk ndalen”, tha ai.

“Përdorimi i dhunës nuk e shpëton dot Vuçiçin shqiptar”/ Berisha paralajmëron Ramën: Do të kesh fatin e tij ose të Çausheskut!

0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dënuar ashpër veprimet e policisë ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protestat kundër qeverisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor frikën dhe dhunën për të ruajtur pushtetin. 

Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se komisariatet e policisë po ushtrojnë presion ndaj protestuesve pa asnjë shkak ligjor, duke shkelur, sipas tij, Kushtetutën dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Kryedemokrati e krahasoi Ramën me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe ish-diktatorin rumun Nicolae Çaushesku, ndërsa paralajmëroi se protestat nuk do të ndalen.

Berisha deklaroi se marrja në pyetje e qytetarëve për pjesëmarrjen në tubime paqësore është një përpjekje për të frikësuar protestuesit, por sipas tij, këto metoda nuk do të arrijnë të ndalin kundërshtimin ndaj qeverisë.

“Së fundi, dënoj me forcën më të madhe terrorin, dhunën antikushtetuese që komisariatet, në shkelje të të gjitha ligjeve, po ushtrojnë ndaj qytetarëve në qytete dhe kudo për pjesëmarrjen e tyre në protesta paqësore”, u shpreh Berisha. Ai akuzoi strukturat policore se po shkelin ligjin duke marrë deklarime nga qytetarët, ndërsa theksoi se përdorimi i frikës nuk do ta shpëtojë kryeministrin.

 “Pa asnjë shkak, pa asnjë motiv, duke shkelur kode dhe Kushtetutë, marrin deklarata dhe besojnë si të verbër se me instrumentet e frikës do mund të shpëtojnë Vuçiçin shqiptar”, deklaroi kreu i PD-së. Në përfundim, Berisha ashpërsoi gjuhën ndaj Ramës, duke e krahasuar me figura politike që janë larguar nga pushteti pas protestave dhe përmbysjeve politike.

 “Edi Rama, argati i Vuçiçit, apo siç e kanë quajtur, Pashiqi shqipfolës, do të ketë fatin e tij ose të Çausheskut. Duhet të zgjedhë vetë. Protestat nuk ndalen”, përfundoi Berisha. Deklaratat e kryedemokratit vijnë në vijim të akuzave të opozitës për përdorim të paligjshëm të forcës dhe presion policor ndaj pjesëmarrësve në protestat studentore dhe qytetare.

“Rama mund të bjerë më shpejt se Vuçiç”, Nazarko: Opozita u zhduk në zgjedhjet në Serbi

0

“Rama mund të bjerë më shpejt se Vuçiçi, për arsye që janë krejtësisht të brendshme. Kështu deklaroi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, analisti Mentor Nazarko, sipas të cilit nuk ka efekt domino në vendin tonë, ndërsa i njeh disa merita Vuçiçit.

“Unë jam në favor të autokratëve të ndritur, që i shërbejnë vendit të vet. Nuk dua ta shpall Vuçiçin autokrat të ndritur por për të krahasuar parametrat e zhvillimit gjatë qeverisjes së tij. Rritja e rrogës minimale, mesatare, shtim të investimeve të huaja, subvencione në bujqësi, ulje të borxhit të jashtëm, vendi ka njohur zhvillime gjatë këtyre viteve. Nuk shoh lidhje të tipit domino. Kjo është klishe propagandiste për shkak të afërsisë së dy liderëve”, tha Nazarko në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Për entuziazmin e opozitës shqiptare pas rënies së Vuçiçit në Serbi, Nazarko e paralajmëron se duhet të jetë më e trishtuar, pasi nga zgjedhjet në Serbi u zhduk opozita.

“Opozita duhet të jetë më e trishtuar se nga zgjedhjet në Serbi u zhduk opozita. Nuk ka asnjë parti opozitare me përjashtim të pakicave hungareze e shqiptare dhe Sanxhakut. Në këtë kuptim opozita nuk duhet të jetë shumë e lumtur se nuk shoh atë lidhje që vijon të kultivohet ende për një afërsi Rama Vuçiç. Ka patur një afërsi 2017-2022 në kuadër të një projekti që e nxiste Merkel, pastaj e mori në dorë administrata Trump e parë. Kjo afërsi është në mendjen e atyre që i krijojnë këto klishe”.

  (A2 Televizion)

Protesta e studentëve, vijon bojkoti i mësimit në Universitetin e Korçës

0

Bojkoti i mësimit në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë pritet të vijojë, pasi shumica e studentëve të përfshirë në votimin e zhvilluar janë shprehur pro bojkotit.

Burime bëjnë me dije se 610 studentë janë shprehur pro vijimit të bojkotit, ndërsa 325 janë shprehur kundër dhe në favor të zhvillimit të mësimit.

Në bazë të këtyre rezultateve, Këshilli Studentor ka vendosur të mbështesë vijimin e bojkotit, duke iu referuar qëndrimit të shumicës së studentëve pjesëmarrës në votim.

Ndërkohë, studentët që janë pro zhvillimit të mësimit pritet të njoftojnë pedagogët për qëndrimin e tyre, çka mund të sjellë vijimin e procesit mësimor për një pjesë të studentëve.

Sipas burimeve, rezultati i mbledhjes do t’u komunikohet pedagogëve, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të organizohet procesi mësimor në ditët në vijim.

U plagos në sy gjatë protestës, reagon Erjon Vishkulli para operacionit në Itali: Zoti do të krijojë lehtësim pas vështirësive

0

Erjon Vishkulli, protestuesi që u plagos në sy me plumb gome gjatë protestës të tre ditëve më parë, ka reaguar para operacionit të kryer në Itali. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Vishkulli shkruan: “Zoti do të krijojë lehtësim pas vështirësive”, ndërsa me duar bënte shqiponjën dykrenare.

Në një reagim për Top Channel, ai thotë se doktorët i kanë dhënë shumë shpresa se operacioni do të shkojë me sukses.

Ndërkohë, dy prokurorë kanë nisur me iniciativën e tyre hetimet për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kryerja e veprimeve arbitrare”, ku dyshohen oficerë të Policisë së Shtetit, pas konfliktit gjatë të cilit u plagos 28-vjeçari.

Në kuadër të hetimeve janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të dëmtuar, mes tyre edhe ajo e 28-vjeçarit.

Të shtëna në Shkodër/ Plagoset me armë zjarri një këngëtar, u qëllua nga një person me maskë

0

 Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në Shkodër, teksa ka mbetur i plagosur një person.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shtoj rreth orës 10:40, në ambientet e jashtme të një lokali. I plagosuri Taulant Hoti është këngëtar në lokalin ku u plagos.

Këngëtari po pinte kafen e mëngjesit kur papritur një person me maskë si ato që përdoreshin në kohën e Covidit, është afruar dhe e ka qëlluar nga pas shpine duke e lënë të plagosur.

Në njoftimin zyrtar të policisë bëhet e ditur se i plagosuri u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Rreth orës 10:40, në fshatin Shtoj, dyshohet se në ambientet e jashtme të një lokali, një shtetas ende i paidentifikuar ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin T. H., i cili është dërguar në spital dhe po merr ndihmë mjekësore”, njofton policia.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.

Protestat/ Tabaku: Janë 1000 të rinj të shoqëruar e të arrestuar, 250 prej tyre të mitur

0

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, gjatë mbledhjes së komisionit parlamentar të të Drejtave të Njeriut dhe Medias, deklaroi se protestat e zhvilluara në Tiranë gjatë muajve të fundit kanë nxjerrë në pah një krizë përfaqësimi dhe besimi te institucionet.

Tabaku tha se ajo që po kërkojnë shqiptarët është tërheqja e qeverisë dhe krijimin e nje qeverie teknike, duke theksuar se “kjo eshte axhenda qe ka Shqiperia sot”.

“Duhet patjetër që sot të kemi një qasje tjetër. Të kemi një ndryshim. Unë e kam humbur shpresën që ju do reflektoni dhe do ndryshoni. Po të më kërkonit 2013-ën, do ju sillja amendamente. E kemi bërë këtë. Po sot njerëzit kërkojnë një zgjidhje politike, kërkojnë tërheqjen e qeverisë, kërkojnë një qeveri teknike, kërkojnë që të reflektojmë për këtë sistem që sot ka përqendruar çdo pushtet në një dorë dhe që sot fatkeqësisht ka ndrydhur edhe të ardhmen e Shqipërisë. Kështu që kërkesa ime është që kjo axhendë që Shqipëria ka që nuk e vendosim dot ne, e ka vendosur rruga, e kanë vendosur studentët, e ka vendosur protesta, të sillet edhe këtu në parlament dhe ne të kemi këtë rend dite sot”, deklaroi Tabaku.

Po ashtu ajo ngriti edhe shqëtësimin e dhunës policore të ushtruar ndaj të rinjve protestues, duke thene se jane 1000 të rinjë të shoqëruar e arrestuar, nga të cilet 250 janë të mitur.

“Në emër të opozitës kam kërkuar që në këtë komision të raportojë Ervin Demo. Kam kërkuar që të raportojë Skënder Hitaj. Kam kërkuar që të raportojë komisioneri për antidiskriminimin. Sepse ne kemi parë qytetarë të Tiranës të dhunoheshin e tërhiqeshin zvarrë. Në cilësinë e kryetares së këtij komisioni kam qenë 2 herë në ditë në paraburgim. Kam qenë çdo darkë në komisariatet e policisë. Kam qenë çdo ditë në spitalin e Traumës. Dhe ju siguroj, pa asnjë konotacion politik, se është bërë barbari ndaj të rinjve. Janë 1.000 të rinj të shoqëruar të arrestuar, 250 prej të cilëve janë të mitur. Janë të mitur, si do ndiheshin në qoftë se fëmijët tuaj atje do të arrestoheshin? E ju do prisnit jashtë derës së komisariatit vetëm pse ishin veshur me të zeza. Si do ndiheshit në qoftë se do ishin të afërmit tuaj? Si do ndiheshit në qoftë se do ishin persona të cilët ju keni lidhje? Kam takuar prindër të shokuar.

Kam takuar prindër që ishin thyer fëmijëve gjymtyrët. Që i ka gjuajtur policia në mënyrë çnjerëzore në kokë. Dhe sot neve nuk mund të mblidhemi dhe të sillemi sikur asgjë s’ka ndodhur. Unë e kam theksuar gjithmonë që unë jam për përdorimin e institucioneve. Por ne duhet që t’i japim vlerë parlamentit. Dhe duhet që në këtë parlament, patjetër të raportonte ministri i brendshëm. Me një kërkesë që unë kam bërë këtu që një javë më parë. Duhet të raportonte drejtori i policisë për masat ekstreme që ka marrë. Për trajtimin çnjerëzor, për rrahjen në komisariate. Duhet të raportonte se kush ishin ato persona pa numër identifikimi që kanë rrahur të rinjtë e Tiranës. Duhet të raportonte për shkeljen e të drejtave të njeriut”, tha Tabaku.

Më tej, Tabaku deklaroi se 47 gazetarë janë kërcënuar, intimiduar ose goditur në 43 raste që lidhen me veprimet e policisë. Deputetja iu referua gjithashtu një raporti të Reporterëve pa Kufij, për të cilin tha se ngre shqetësime lidhur me trajtimin e gazetarëve dhe pengesat në ushtrimin e profesionit të tyre, edhe kur ata janë të identifikuar si përfaqësues të medias.

‘Të dy në një varkë’/ Rama-Balluku takim kokë më kokë te Vila 30

0

Belinda Balluku mungoi në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku kishte shkuar edhe vetë Edi Rama. Por ndryshe nga deputetët e tjerë, ajo ka trajtim special. Kryeministri i kishte rezervuar asaj kohë më vete për një takim “tete a tete”.

Sipas Lapsi.al, Rama e Balluku u takuan dje pas dreke në Vilën 30 në zonën e ish-Bllokut, ku kanë qëndruar rreth një orë e pak. Arsyet e takimit dhe çfarë është biseduar mes tyre natyrisht që nuk dihen.

Por takimi mes të dyve ndodhi pak pasi Erion Veliaj ishte shfaqur i ngazëllyer për humbjen e Vuçiç në Serbi dhe hoqi paralele për Tiranën duke ndjellë gjithashtu edhe kapitullimin e Edi Ramës përballë protestës studentore.

“Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate”, shkruajti Veliaj në Facebook.

Përballë një Erion Veliaj që po nxjerr dhëmbët kundër Edi Ramës edhe pse është brenda katër mureve, qëndron Belinda Balluku e gatshme për t’i ofruar besnikëri në mënyrë që ajo të vijojë të mbrohet politikisht përballë hetimeve të SPAK. Fundja janë të dy në të njëjtën varkë. Nëse bie Balluku, fundoset edhe Rama. Nëse kapitullon ky i fundit, i ka orët e numëruara edhe Bela.

Takimi te Vila 30 përkonte edhe me një zhvillim tjetër në SPAK, ku ishte paraqitur biznesmeni Behgjet Pacolli, lidhur me hetimet intensive për aeroportin e Vlorës. Pacolli qëndroi aty për rreth 7 orë. Natyrisht që çdo veprim lidhur me aeroportin e Vlorës është bërë me dakordësinë e dyshesh Rama-Balluku.

Kujtojmë që për një takim tjetër të ngjashëm si ky i sotmi ka folur ditë më parë edhe ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj. Sipas tij, Rama e Balluku kanë qëndruar për kohë të gjatë te vila e kuqe në periferi të Tiranës ndërkohë që kishin shpërthyer protestat e të rinjve.

Takimet e tyre të shpeshta mund të lidhen edhe me zhvillimet nga SPAK, ku Ballukut i janë komunikuar zyrtarisht akuza të reja ndonëse për çudi s’ka ende në Kuvend një kërkesë të dytë për arrestimin e saj. Nga ana tjetër duket se laku për Ballukun po ngushtohet edhe mediatikisht.

Top Channel që dikur buçiste sukseset e saj brenda tuneleve dhe jo vetëm, sot e ka target ish-zv.kryeministren. Kjo e fundit në një prej reagimeve ka shprehur keqardhje që kjo media është shitur e po keqpërdoret, por pa dhënë emra sa nga kush. Sidoqoftë, duket sikur diçka po lëviz. Ky mund të jetë dimri i fundit ose dimri i vetmisë së madhe për Ramën e Ballukun. Ose për të dy bashkë. /Lapsi.al

Kush qendron pas protestës në Shqipëri? Ja si përgjigjet Arlind Qorri

0

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus të Ylli Rakipit, ka folur mbi protestën që po zhvillohet në Shqipëri.

Qori tha se pas protestës qëndron shumica dërrmuese e popullit shqiptar. Sipas tij, Rama ka vendosur të përballet duke përdorur dhunë dhe jo duke respektuar demokracinë.

Pjesë nga biseda:

Rakipi: Ditët e fundit të protestës, komenti i kryeministrit?

Qori: Kennedy, në vitin 1962, u drejtohej diktatorëve të Amerikës Latine, se kush e bën të pamundur revolucionin paqësor, e bën të mundur revolucionin e dhunshëm. Shqiptarët gjithë këto ditë protestuan paqësisht, Rama nuk dëgjoi asnjë kërkesë të protestuesve. Dua t’ju kujtoj se para disa javësh, kur shkoi në SHBA, projekti i Kushnerit do të vazhdojë, sikur s’ka ndodhur asgjë. Po ashtu, për ligjin 21/2024 për zonat e mbrojtura, Rama ka thënë që ky ligj nuk ka asnjë problem.

Ja ku jemi në tetor dhe, duke nisur nga studentët, pati një radikalizim. Kam qenë përditë në protestë, policia është përgjigjur me dhunë joproporcionale. Janë me dhjetëra rastet e qytetarëve të goditur me plumba gome. Është e ndaluar të qëllosh me plumba gome mbi brezin. Unë disa herë u kam bërtitur policëve të ulin tytën kur qëllojnë me plumba gome.

Kolegu im, Alfred Bushi, është arrestuar si protestues. E kanë mbajtur 72 orë në arrest dhe, në mjediset e komisariatit numër 4, e kanë goditur policë me maskë. Ka dëshmitarë që thonë se i janë sulur kur kanë marrë vesh që është profesor.

Rama, në vend t’i përgjigjet politikisht krizës, po përgjigjet me policë. Në vend që të japë dorëheqjen, Rama ka thënë që s’do të marrë asgjë në konsideratë. Nëse në protestë ka 10 mijë vetë dhe një person gjuan me gurë, sipas Ramës, përgjegjës janë 9999 të tjerët. Nëse hyn në fuqi, kjo pamundësohet.

Rakipi: A ka gjasa të jenë të suksesshëm?

Qori: Kur tjetri nuk ka frikë nga plumbi i gomës, do të thotë se këto masa nuk do të kenë efekt. Është një popull i tërë që do të ketë ndryshim. Rama është simbol i së keqes.

Demalia: Sa është populli shqiptar?

Qori: Shumica dërrmuese.

Demalia: Po flisni të gjithë në emër të popullit, ti je si ata të ’46-ës.

Qori: Asgjë s’ka ndodhur në ’46-ën, ka ndodhur në ’44-ën. Kur flasim në emër të popullit, flasim për një frymë. Përmasat e protestës kanë qenë më të mëdha. Ky është një tregues që mbrapa protestuesve qëndron populli shqiptar. Shkohet me një qeveri jopartiake në qeveri dhe aty testohet. Përpara më pak se një viti, në Bullgari, kryeministri u përball me protesta si në Shqipëri dhe dha dorëheqjen. Precedentë ka sa të duash. Rama nuk ka minimumin e përgjegjësisë dhe ka vendosur zgjidhje policore.

Demalia: Demagog.

Qori: PS-ja, në një kohë tjetër, po të shihej e sulmuar selia, do të kishte dalë një mësues për ta mbrojtur. Tani që është e Ramës dhe Agasit, dalin halabakë ta mbrojnë.