Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në Shkodër, teksa ka mbetur i plagosur një person.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shtoj rreth orës 10:40, në ambientet e jashtme të një lokali. I plagosuri Taulant Hoti është këngëtar në lokalin ku u plagos.
Këngëtari po pinte kafen e mëngjesit kur papritur një person me maskë si ato që përdoreshin në kohën e Covidit, është afruar dhe e ka qëlluar nga pas shpine duke e lënë të plagosur.
Në njoftimin zyrtar të policisë bëhet e ditur se i plagosuri u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Rreth orës 10:40, në fshatin Shtoj, dyshohet se në ambientet e jashtme të një lokali, një shtetas ende i paidentifikuar ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin T. H., i cili është dërguar në spital dhe po merr ndihmë mjekësore”, njofton policia.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.






