Ballina Blog Faqe 52

Berisha: Policia përdori spraj ariu kundër qytetarëve

0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dënoi dhunën që policia përdori ndaj protestuesve dhe ndaj të arrestuarve në protestën e djeshme. Duke folu në bashkëbisedim me qytetarët, Lideri i opozitës theksoi se ndaj deputetëve të PD është hedhur spraj që përdoret kundër arinjve, kjo sipas tij përbën vepër penale.

Sipas tij, përdorimi i këtij spraji përbën një krim, një vepër të rëndë penale dhe është i ndaluar në të gjithë konventat. Kryedemokrati thrksoi ndër të tjera se, në mënyrë selektive janë goditur dhe shënjuar me spraj drejtuesit kryesorë të PD-së dhe deputetët e saj Flamur Noka, Luçiano Boçi, Klevis Balliu, Ivi Kaso, Blendi Himçi, Aulon Kalaja dhe shumë të tjerë.

“Para së gjithash dëshiroj të përshëndes ata dhjetëra mijëra qytetare e qytetarë, opozitare e opozitarë, që dje me uraganin e fuqishëm në kryengritjen tonë paqësore i kallën datën dhe tmerrin narkoregjimit të Edi Ramës.
Të përshëndes përzemërsisht herionjtë tanë në qelitë e komisariateve, të cilët përballë torturave çnjerëzore, goditjeve shtazore që morën nga narkopolicë të droguar, qëndruan të pamposhtur dhe nuk pranuan të japin asnjë deklaratë siç donin banditët që i arrestuan.

Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe dhunën e hapur dhe të programuar ndaj drejtuesve kryesorë të PD dhe deputetëve të kësaj partie, të cilët ishin absolutisht që të gjithë në protestën më paqësore dhe po jepnin kontributin më të madh për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës, të cilën banditë me uniformë, narkokomisarë të tipit Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, Enton Pallushi dhe Dashi i operacionales bënë gjithçka për ta shndërruar aët në një protestë të dhunshme.

Për këtë qëllim, në mënyrë të programuar ata përdorën një armë me fuqi të njohur letale siç është spraji kundër ariut, i cili është dhjetëra herë më i fuqishëm se spraji që përdoret kundër njeriut. Përdorimi i këtij spraji përbën një krim, një vepër të rëndë penale dhe është i ndaluar në të gjithë konventat. Kjo është policia e parë në botë që përdor sprajin e ariut kundër qytetarëve dhe protestuesve. Në mënyrë selektive janë goditur dhe shënjuar me spraj drejtuesit kryesorë të PD dhe deputetët e saj Flamur Noka, Luçiano Boçi, Klevis Balliu, Ivi Kaso, Blendi Himçi, Aulon Kalaja dhe shumë të tjerë.

Me këtë rast dënoj me forcën më të madhe shtazërinë e treguar ndaj demonstruesve. Dënoj torturat e ushtruara ndaj tyre në komisariat. Edhe sot në komisariat ka demonstrues të torturuar me shenja të hapura tortura. Aulon Kalaja, pasi u verbua me spraj ariu, u godit në një hakmarrje të verbër me shkop prapa koke, duke e lënë pa ndjenja. Po kështu janë një seri demonstruesish paqësorë,” tha Berisha.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Zjarri te komplelsi “Arlis”, banorët e prekur nënshkruajnë një peticion me 10 kërkesa urgjente

0

Banorët e prekur nga zjarri i rënë në kompleksin “Arlis” në zonën e Farmacisë 10 kanë nënshkruar sot një peticion, ku kanë shtruar disa pika.

Kërkesat e tyre konstatojnë me dëmshpërblimin e qirasë derisa apartamentet të rindërtohen dhe formalizimin e çdo detaji të këtij procesi.

Ata i kushtojnë rëndësi të theksuar edhe certifikimit dhe kolaudimit të sistemeve të sigurisë elektrike dhe asaj kundër zjarrit apo fatkeqësive të tjera natyrore.

PETICIONI I BANORËVE

Përshëndetje banorë të kompleksit Arli! Mendoj se kërkesat tona të përmbledhura, janë si më poshtë:

  1. Ekspertizë e pavarur dhe e detajuar teknike për të vlerësuar sigurinë e materialeve termoizoluese të përdorura në fasadë.
  2. Zëvendësimi i menjëhershëm i çdo materiali të rrezikshëm me materiale të certifikuara dhe rezistente ndaj zjarrit, sipas standardeve europiane.
  3. Audit i plotë i sistemit të mbrojtjes kundër zjarrit, përfshirë: sistemet e alarmit, pajisjet e fikjes së zjarrit, rrugët e evakuimit.
  4. Transparencë nga kompania ndërtuese, mbi materialet e përdorura dhe kontrollin e cilësisë gjatë ndërtimit.
  5. Përgjegjësi ligjore dhe administrative, nëse konstatohet neglizhencë apo shkelje e standardeve të sigurisë, për mos certifikimin e impianteve elektrike, etj.
  6. Zhdëmtimi i të gjithë banorëve dhe bizneseve të dëmtuara.
  7. Kontratat e porosisë të formalizohen pranë noterit.
  8. Apartamentet të rikthehen në gjendjen e mëparshme, sipas përmbajtjes së kontratës.
  9. Të sigurohet strehimi dhe të mbulohen shpenzimet e qirasë për banorët, apartamentet e të cilëve janë dëmtuar/djegur.
  10. Kompleksi të pajiset me hidrantë dhe fikse zjarri funksionale, pasi aktualisht kanë qenë jashtë funksionit…

Doja të shtoja që Normat e Sigurise Europiane EN, duhen përdorur tek ne si në çdo vënd Europian, psh:

Detytimi i Kontrollit të instalimeve, ujë, energji elektrike, gas, ashensor etj:

  1. Për gjithë instalimet e kryera, duhet certifikata Sigurie dhe garancie sipas standardeve evropiane..
  2. Duhet me vërtet një projektligj, që pas e shumta 20 vitesh të kryhet kontroll i detyrueshëm i gjendjes së gjithë instalimeve të kryera.
  3. Salvavita e detyrueshme për gjithë Instalimet elektrike qendrore dhe në çdo banesë.
  4. Matja e tokëzimit, i cili është pjesa me rëndësishme e të gjithë instalimeve elektrike.

Me respekt,

Banorët e pallatit “Arlis”

(Tiranë, zona “Farmacia 10”)

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Kryebashkiaku Flamur Golemi dhe 18 punonjës të infektuar me SIDA? Reagon për herë të parë Bashkia Gjirokastër

0

Bashkia Gjirokastër ka thyer heshtjen dhe ka reaguar për herë të parë lidhur me lajmet që po qarkullojnë gjatë 24 orëve të fundit, ku është aluduar se kryebashkiaku Flamur Golemi si dhe 18 punonjës të institucionit që ai drejton janë infektuar me virusin HIV/AIDS.

Përmes një reagimi zyrtar, Bashkia e Gjirokastrës i ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar të pavërteta, të fabrikuara dhe pa asnjë bazë faktike. Sipas institucionit, përhapja e tyre synon të krijojë panik dhe pasiguri te qytetarët, si dhe të dëmtojë figurën e bashkisë dhe të drejtuesve të saj.

Reagimi i plotë i Bashkisë së Gjirokastër:

Bashkia Gjirokastër dënon me forcën më të madhe përhapjen në rrjetet sociale dhe në çdo formë tjetër publike të informatave dhe pretendimeve të rreme, të fabrikuara dhe alarmuese, të cilat kanë për qëllim të qartë krijimin e një gjendjeje pasigurie dhe paniku te qytetarët. Pretendimet e shpërndara së fundmi, sipas të cilave Kryetari i Bashkisë dhe 18 punonjës të këtij institucioni rezultojnë të infektuar me virusin HIV/AIDS, janë tërësisht të pavërteta, të sajuara dhe pa asnjë bazë faktike apo reale.

Bashkia Gjirokastër e konsideron këtë jo thjesht si një akt dezinformimi, por si një veprim të rëndë, të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm, i cili synon të dëmtojë figurën e institucionit, të cenojë dinjitetin dhe integritetin e punonjësve të administratës vendore, të godasë reputacionin e Kryetarit të Bashkisë dhe, mbi të gjitha, të përhapë panik dhe pasiguri te qytetarët. Përmbajtje të tilla nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën për informim, por përfaqësojnë një përpjekje dashakeqe për të helmuar klimën publike me të pavërteta dhe për të krijuar shqetësim të pajustifikuar në komunitet.

Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, përbën vepër penale, të parashikuar shprehimisht nga neni 267 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon dënim me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Në këtë rast, është e qartë se qëllimi i këtyre pretendimeve të rreme nuk është thjesht përhapja e një të pavërtete, por krijimi i panikut te qytetarët, cenuarja e qetësisë publike dhe nxitja e pasigurisë në opinionin publik. Pikërisht ky element i qëllimit e bën këtë sjellje të lidhet drejtpërdrejt me parashikimin e nenit 267 të Kodit Penal.

Për këtë arsye, Bashkia Gjirokastër u bën thirrje të drejtpërdrejtë Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të nisin pa vonesë verifikimet dhe hetimet përkatëse për identifikimin e autorëve, nxitësve, publikuesve dhe shpërndarësve të këtij informacioni të rremë dhe alarmues, si dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore çdo person të përfshirë në këtë veprim. Një sjellje e tillë nuk mund të trajtohet si një deklarim i zakonshëm në rrjetet sociale, por si një akt me pasoja të drejtpërdrejta për rendin publik, për besimin e qytetarëve dhe për funksionimin normal të jetës institucionale.

Bashkia Gjirokastër garanton qytetarët se nuk ekziston asnjë situatë e tillë, siç pretendohet në mënyrë dashakeqe në këto publikime. Çdo informacion i shpërndarë në këtë drejtim është plotësisht i rremë dhe i ndërtuar me qëllim dëmtimin e figurës së institucionit dhe krijimin e alarmit të pabazuar në publik. Qytetarët duhet të jenë të sigurt se Bashkia Gjirokastër vijon normalisht ushtrimin e funksioneve të saj dhe si gjithmon në shërbim të qytetarëve.

Njëkohësisht, Bashkia Gjirokastër bën me dije se do të ndjekë me vendosmëri të plotë të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit të institucionit, të figurës së Kryetarit të Bashkisë dhe të dinjitetit të çdo punonjësi të saj, duke kërkuar marrjen e masave ligjore ndaj autorëve të këtij materiali të rremë dhe alarmues.

Bashkia Gjirokastër u bën gjithashtu thirrje qytetarëve, mediave dhe përdoruesve të rrjeteve sociale që të tregojnë përgjegjësi, të verifikojnë burimet e informacionit dhe të mos bëhen pjesë e shpërndarjes së përmbajtjeve të pavërteta që synojnë të krijojnë panik. Ruajtja e qetësisë publike, e përgjegjshmërisë qytetare dhe e komunikimit të bazuar në të vërtetën është një detyrim i përbashkët i çdo qytetari dhe i çdo institucioni.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Fasadat moderne si kurthe zjarri

0

Ngjarja e fundit në Tiranë, ku një pallat shumëkatësh u përfshi nga një zjarr i rrufeshëm që u përhap shumë shpejt përmes fasadës, ka rikthyer në qendër të vëmendjes sigurinë e teknologjive moderne të ndërtimit.

Ndonëse fasadat e ventiluara tani janë zgjedhja e preferuar e arkitektëve për shkak të efikasitetit termik dhe estetikës, ato mbartin një rrezik të madh që mund të shndërrohet në katastrofë nëse nuk respektohen standardet teknike kundër zjarrit.

Inxhinieri Nikolin Risilia, i cili është specializuar për sistemet kundër zjarrit shpjegoi se, politikat për eficiencën e energjisë po nxisin teknologji të reja në ndërtim dhe sidomos në fasada. Suvaja e dikurshme ose sistemi kapot po avancon drejt fasadave e ventiluara.

Kjo lloj teknologjie, shpjegojnë inxhinierët, funksionon si një lëkurë e dytë e ndërtesës, ku mbi strukturën mbështetëse prej alumini ose çeliku montohen panelet dekorative.

Ky lloj sistemi krijon një hapësirë ajrore midis murit dhe panelit, e cila lejon qarkullimin natyral të ajrit. Kjo zgavër shërben për të larguar lagështinë dhe për të mbrojtur strukturën nga agjentët atmosferikë, duke ulur ndjeshëm nevojën për energji gjatë dimrit dhe verës.

Megjithatë, pikërisht ky element që garanton komoditetin termik, shndërrohet në një përbindësh në rast zjarri. Nëse nuk përdoren materialet e duhura dhe projekti nuk merr për bazë masat kundër zjarrit, fasada e ventiluar shndërrohet në një kanal përhapjeje vertikale, duke krijuar atë që ekspertët e quajnë efekti oxhak. Djegia e pallatit te njësia nr. 10 ishte tipik ky rast.

Sfida më e madhe për sigurinë e këtyre objekteve lidhet me klasifikimin e materialeve sipas standardeve europiane, të njohura si Euroklasat. Për të garantuar mbrojtjen e jetës së banorëve, është jetike që veshja e jashtme të bëhet me materiale të klasës A1 ose A2, siç janë qeramika, guri natyral apo panelet fibro-çimento, të cilat konsiderohen plotësisht të padjegshme.

Por në Shqipëri, standardet nuk janë të rregulluara, thotë z. Risilia, pasi vendit i mungojnë Eurokodet për mbrojtjen nga zjarri. Sipas tij, këto kode garantojnë të gjithë zinxhirin ligjor për masat antizjarr që nga projekti, ndërtimi, materialet, kontrollet dhe përgjegjësitë. Për shkak të kësaj mungese, edhe në rastin kur ndodh dëmi, nuk nxirren mësime dhe nuk dalin përgjegjësit.

Ndërtuesi p.sh. nuk mund të fajësohet pasi materiali i fasadës që është djegshëm nuk ka kufizime në import dhe nuk ka ligje dhe rregull që trajtojnë masat dhe përgjegjësitë. Në mungesë të tyre, polica arreston dhe ndjek njerëzit që nuk janë shkaktarët realë të ngjarjes.

Mirëpo për arsye se, Tirana prej vitesh është në një fazë të vrullshme ndërtimesh dhe nga ana tjetër, ndërtuesit po përdorin gjithnjë e më shumë materiale të djegshme, eurokodet ligjet dhe rregullat janë urgjencë.

Pse marrin flakë fasadat moderne dhe si mund të parandalohen

Objektivat që Bashkimi Europian ka vendosur për vitin 2030 janë për 40% më pak emetime karboni dhe ulje deri në 30% të konsumit të energjisë në ndërtesa. Kjo politikë ka nxitur garën drejt ndërtesave të “gjelbra”. Mirëpo sa më shumë izolim të shtohet për të mbajtur nxehtësinë brenda, aq më shumë lëndë djegëse po grumbullohet rreth banesave, shpjegojnë inxhinierët.

Sektori i ndërtimit është identifikuar si potenciali më i madh për kursim, duke u dhënë jetë direktivave, të cilat diktojnë performancën energjetike të çdo objekti të ri. Kjo ka çuar në përdorimin masiv të materialeve izoluese. Nga njëra anë kemi produktet e padjegshme, si leshi i gurit apo i qelqit (klasat A1/A2), të cilat mbeten zgjedhja parësore për sigurinë, por kanë kosto më të lartë.

Nga ana tjetër, tregu ynë dominohet nga materiale me përbërje plastike, të cilat ndonëse eficiente, shkrihen dhe pikojnë gjatë një zjarri, duke e përshkallëzuar situatën, si në rastin e fundit në Tiranë dhe rastet me parë.

Inxhinierët shpjegojnë se fasadat moderne me ventilim në vendin tonë janë të rrezikshme për zjarrin kur bëhen kompromise me koston, p.sh. duke përdorur panele kompozite alumini me bërthamë plastike (polietilen). Këto panele, të klasifikuara si të djegshme, shërbejnë si karburant për flakët, veçanërisht në ndërtesat e larta.

Për t’u mbrojtur duhet bërë zgjedhja e materialit izolues, i cili në kohët e sotme është një vendim që përcakton fatin e një ndërtese në pak minuta kritike.

Përdorimi i leshit të gurit është i panegociueshëm në këtë sistem, pasi ky material ka një pikë shkrirjeje mbi 1000°C dhe shërben si një barrierë e vërtetë ndaj zjarrit.

Megjithatë, mbrojtja finale kundër “efektit oxhak” që pamë në Tiranë qëndron te barrierat horizontale kundër zjarrit, ose të njohura si “Fire Breakers”, pohojnë ekspertët. Këto janë profile metalike apo materiale inteligjente që vendosen brenda zgavrës së ventilimit në çdo kat. Në kushte normale, ato lejojnë ajrin të qarkullojë lirisht, por në momentin që detektojnë nxehtësinë e zjarrit, ato fryhen apo mbyllen mekanikisht, duke e ndërprerë rrugën e flakëve drejt kateve të sipërme.

Tragjedia e Tiranës është një shembull se edhe një fasadë e ventiluar mund të jetë po aq e sigurt, madje edhe më rezistente se një fasadë tradicionale, vetëm nëse do të trajtohej si një sistem i plotë inxhinierik. Problemi më i madh në vendin tonë është shmangia e rregullave teknike për përfitime afatshkurtra.

Përdorimi i materialeve jo të djegshme dhe instalimi i barrierave horizontale janë detyruese në rastin e objekteve shumëkatëshe. Inxhinieri Risilia thotë se i gjithë ky proces nuk duhet të lihet në ndërgjegjen e ndërtuesve, por duhen miratuar kodet dhe rregullat që i detyrojnë ata të respektojnë standardet dhe i bëjnë përgjegjës në rastet kur nuk i respektojnë.

Pse po shtohen zjarret në banesa

Kur temperaturat e ulëta kulmuan në këtë dimër, një seri zjarresh në pak ditë përfshinë disa banesa në Tiranë, ku për fat nuk pati viktima. Më i rëndi ishte pak ditë më parë në pallatin e ri në zonën e farmacisë 10. Shoqata e Inxhinierëve të Mbrojtjes nga Zjarri (SFPE) pohoi se rreziku nga zjarret në vendin tonë do të rritet edhe më tej në të ardhmen, pasi kushtet pro fenomenit po rriten.

Tirana është përfshirë në një urbanizim të shpejtë, i cili nuk po merr parasysh standardet me të cilat ndërtohet sot, të tilla si hapësirat, materialet antizjarr etj.

Ndërtimi i kullave me shumë kate rrit edhe më tej rrezikun nga zjarret. Instalimi i sistemeve antizjarr rrit kostot e ndërtimit të një objekti me 5-10%, tha z. Risilia.

Por jo të gjithë investitorët në sektorin e ndërtimit janë gati të paguajnë. Prandaj bota e zhvilluar si SHBA dhe BE aplikojnë Kode ndërtimi shumë novatore që përcaktojnë masat e ndërtimit antizjarr.

Përveç volumeve të ndërtimit, tani gjithnjë e më shumë investitorët përdorin materiale që nxisin zjarrin, p.sh. fasadat me izolim që shpesh përhapin zjarrin.

Tani dritaret janë plastike, që digjen më shpejt se metali (duralumini) dhe përgjithësisht materialet e tarracave dhe dyert që përdoren në procesin e ndërtimit e favorizojnë zjarrin. Në anën tjetër, pajisjet elektrike në banesat kolektive janë shtuar.

Gjithnjë e më shumë familjet dhe bizneset përdorin mjete dhe pajisje që shkaktojnë zjarr. Ka pasur raste kur një karikues telefoni i lënë në prizë ka shkrumbuar një banesë.

Bombolat e gazit, sobat dhe frigoriferët në restorantet që janë zona banimi janë rreziqe potenciale.

Bardhyl Gjana, i cili drejton sektorin e zjarrfikëseve në Kamzë, tha se në 90% të rasteve, zjarri po shkaktohet nga disa bombola kampingu me gaz që qytetarët i përdorin gabimisht për gatim në shtëpi.

Edhe në Tiranë është e njëjta situatë. Në treg janë disa bombola që përdoren për gatime të shpejta në kamping, zakonisht për çaj ose për të ngrohur diçka shpejt. Kjo lloj bombole e ka grykën e zjarrit shumë afër depozitës dhe qytetarët shpesh e përdorin në shtëpi për gatime të gjata.

Zjarrfikësit e konsiderojnë bombolën e kampingut një eksploziv të vërtetë dhe bëjnë thirrje që të ndalohet importi i saj.

Sfidat dhe urgjenca për reformë në sigurinë nga zjarri

Në kuadrin aktual ligjor të mbrojtjes nga zjarri në Shqipëri, vërehet mungesë e theksuar e një kodi kombëtar të unifikuar që do të rregullonte në mënyrë të integruar të gjithë ciklin e jetës së një ndërtese, që nga projektimi dhe ndërtimi, deri te përdorimi dhe mirëmbajtja e saj në raport me sigurinë dhe shpëtimin nga zjarri.

Normat bazë që rregullojnë sot këtë sektor, të konkretizuara në vitin 2015 përmes VKM-së nr. 626 dhe Udhëzimit të ministrit të Punëve të Brendshme nr. 424, përfaqësojnë përpjekje për të përshtatur modele të huaja, specifikisht ato britanike dhe italiane.

Ky “huazim” nga standardet BS 9999 dhe DM 16 Maggio 1987 ka sjellë një sfidë të madhe konceptuale, pasi këto dy dokumente mbartin filozofi rrënjësisht të ndryshme mbi sigurinë. Ekspertët nga SFPE Albania, një degë e Shoqatës Ndërkombëtare e Inxhinierëve të Mbrojtjes nga Zjarri (SFPE), shprehën se teksa modeli britanik nxit përdorimin e sistemeve aktive si sprinklerët dhe ventilimi i tymit për të reduktuar nevojën për masa pasive, rregullorja italiane fokusohet fort te rezistenca e strukturave dhe distancat e sigurisë, duke mos i bërë sistemet aktive gjithmonë të detyrueshme për banesat.

Ky dualitet qasjesh dhe këndvështrimesh të ndryshme, mbi të cilat mbështeten rregullat tona aktuale, përforcon domosdoshmërinë për hartimin e një Kodi Unik Kombëtar të Zjarrit që i përshtatet realitetit dhe nevojave tona specifike, thekson shoqata.

Sipas tyre, një dokument i tillë duhet të shërbejë si një kornizë ligjore dhe teknike e detajuar, duke përcaktuar me saktësi procedurat për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit. Duke u bazuar në praktikat më të konsoliduara ndërkombëtare, ky kod i ri do të duhej të ndërthurte kërkesat e qarta ligjore me standarde të larta inxhinierike dhe mekanizma të fuqishëm kontrolli.

Vetëm përmes një dokumenti të tillë të integruar, Shqipëria mund të sigurojë një nivel të lartë sigurie dhe përputhshmëri të plotë me praktikat më të mira globale, duke lënë pas fragmentimin e tanishëm dhe duke garantuar një mjedis ndërtimi më të sigurt për të gjithë.

Tre vitet e fundit, zjarret në banesa po shtohen dhe veçanërisht në Tiranë. Rritja e fluksit të ndërtimeve dhe moszbatimi i një kodi për mbrojtjen nga zjarri do t’i bëjë edhe më shumë agresive zjarret në të ardhmen.

Teksa volumi i ndërtimeve po rritet me ndërtesa shumëkatëshe, me çmime si në metropolet e Europës, në anën tjetër, shteti shqiptar nuk ka ende një kuadër ligjor bashkëkohor dhe nuk ka as burimet njerëzore të trajnuara për të inspektuar, për të monitoruar dhe për të shmangur dëmet

 Modeli italian, lidh incidentet me përgjegjësi penale

Italia ka revolucionarizuar qasjen e saj përmes Kodit të Parandalimit të Zjarrit, i cili zhvendos fokusin nga rregullat strikte “shabllon” drejt lirisë inxhinierike të bazuar në performancë. Ky model dallohet për një ndërthurje unike mes zgjidhjeve inovative teknike dhe një kornize ligjore jashtëzakonisht të rreptë.

Shtylla kryesore e këtij sistemi është “autocertifikimi”, ku pronari i një objekti mban përgjegjësi të plotë ligjore për funksionalitetin e sistemeve mbrojtëse çdo vit. Ajo që e bën këtë model efikas është lidhja organike me Kodin Penal.

Çdo neglizhencë apo deklarim i pasaktë konsiderohet vepër penale, duke krijuar një presion të vazhdueshëm për mirëmbajtje reale dhe jo thjesht formale. Trupa e zjarrfikësve luan rolin e autoritetit suprem që kontrollon jo vetëm mjetet, por edhe projektet teknike, duke garantuar një standard të lartë sigurie kombëtare.

Modeli Gjerman, standarde teknike të larta

Sistemi gjerman përfaqëson kulmin e saktësisë teknike, ku çdo detaj ndërtimor rregullohet nga ligjet e landeve dhe standardet e famshme DIN. Filozofia gjermane bazohet në parimin se shteti nuk mundet dhe nuk duhet të kontrollojë çdo gjë vetë, prandaj ka integruar figurën e inspektorit të pavarur të licencuar. Këta ekspertë privatë veprojnë si garantë të interesit publik, duke audituar me rigorozitet çdo fazë të projektit dhe zbatimit.

Në Gjermani, siguria nga zjarri nuk shihet si një kosto shtesë, por si një komponent integriteti i ndërtesës, ku materialet e certifikuara dhe rezistenca strukturore llogariten me saktësi matematikore përmes Eurokodeve. Ky model eliminon subjektivitetin dhe mundësitë për abuzime përmes një zinxhiri të qartë certifikimesh, që nga prodhuesi i materialit izolues e deri te certifikata finale e përdorimit.

 Modeli Britanik, monitorim i vazhdueshëm

Mbretëria e Bashkuar operon me një sistem që është ndër më proaktivët në botë, i njohur si “Fire Safety Order”. Ndryshe nga modelet që fokusohen vetëm te momenti i ndërtimit, modeli britanik e konsideron sigurinë një proces të gjallë që zgjat gjatë gjithë jetës së objektit.

Pesha kryesore bie mbi personin përgjegjës, pronarin ose menaxherin, i cili ka detyrimin ligjor të kryejë dhe dokumentojë vlerësime të vazhdueshme të rrezikut. Ky model nxit përdorimin masiv të sistemeve aktive, si sprinklerët dhe detektorët inteligjentë, për të kompensuar rreziqet strukturore.

Autoriteti i Zjarrfikësve ka kompetenca të gjera për të kryer inspektime të befasishme, dhe nëse konstatohet se siguria e jetës është në rrezik, ata kanë fuqinë ta mbyllin objektin menjëherë, duke e bërë sigurinë një faktor kritik për mbijetesën e çdo biznesi.

Modeli i SHBA-së, standardet dhe sigurimet si leva të fuqishme

Në Shtetet e Bashkuara, siguria nga zjarri drejtohet nga një aleancë e fuqishme mes standardeve teknike të NFPA-së dhe industrisë së sigurimeve. Ky model është ndoshta më efikasi, pasi përdor levën ekonomike për të garantuar zbatimin e rregullave.

Nëse një ndërtesë ose një pajisje nuk mban vulën e certifikimit nga laboratorë të pavarur si UL ose FM, ajo bëhet praktikisht e pasigurueshme.

Në një treg ku asnjë bankë nuk financon dhe asnjë investitor nuk blen një objekt të pasiguruar, përputhshmëria me kodet kundër zjarrit bëhet e vlefshme detyrimisht. Ky sistem krijon një gjuhë të përbashkët teknike që përdoret në nivel global, duke siguruar që nga ndërtesat e larta e deri tek impiantet industriale, mbrojtja e jetës dhe e pronës të jetë e garantuar përmes inspektimit të rreptë nga palë të treta dhe presionit të vazhdueshëm të tregut të sigurimeve. /Monitor

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Liri Berisha: Si e mbajtëm të fortë martesën për 55 vite mes sfidave dhe politikës, Saliu është shumë romantik

0

Një zonjë me një përkushtim dhe rol të veçantë në shoqërinë shqiptare. Liri Berisha është gruaja që ndërthur me elegancë profesionalizmin në mjekësi me një profil human dhe qytetar.

E formuar si mjeke pediatre, ajo i ka kushtuar jetën kujdesit ndaj fëmijëve. Në vitet e para të tranzicionit demokratik, në rolin e saj si zonja e parë e Shqipërisë gjatë periudhës 1992-1997 ajo u shqua për një prezencë dinjitoze dhe angazhim të vazhdueshëm në nisma sociale.

Si Presidente e Qendrës Rajonale për Autizmin dhe drejtuese e fondacionit shqiptar për fëmijët, Liri Berisha ka qenë vazhdimisht një zë i qëndrueshëm  në mbështetje të fëmijëve të sëmurë, jetimëve dhe shtresave më vulnerabël.

Në jetën e saj personale ajo mbetet një figurë e dashur familjare, një bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar e dy fëmijëve duke ruajtur një ekuilibër mes familjes dhe aktiviteteve të saj humanitare. Sot vjen në emisionin “Mes’dritë” në Vizion Plus me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova  ku si rrallëherë flet për jetën e saj personale krah liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Zonja Berisha:  Saliu nuk shkruan poezi, por ka lexuar shumë poezi. Ajo që mua më habiste në njohjen tonë ka qenë interpretimi, më lexonte poezi rusisht, faqe të tëra. Më lexonte edhe shqip. Vetë nuk shkruan poezi, shkruan bukur, por jo poezi. Ka qenë dhe është shumë romantik, edhe pse duket sikur s’është.    Ka pasur jo një, por shumë momente stresi, momente mërzitjeje, ankthi, që politika nuk ia ka dhënë vetëm Berishës, por të gjithë politikanëve shqiptarë. Politika në Shqipëri k a qenë e egër. Unë jam munduar që kjo egërsi të mos kalojë në bisedat tona familjare, që t’i dëgjonin fëmijët. Megjithëse fëmijët kanë qenë jo shumë të vegjël në kohën që filloi kjo situatë, por jam munduar t’i mbaj larg. Në të gjitha mënyrat jamë munduar të krijoj në shtëpi një atmosferë të qetë, një atmosferë të ngrohtë që s’kishte të bënte me politikën.

Tregon edhe “sekretin” e një martese të gjatë dhe të lumtur, pas 55 vitesh krah kryetarit të Partisë Demokratike. Në një rrëfim të sinqertë, zonja Berisha ndalet te cilësitë që, sipas saj, e kanë bërë të fortë këtë marrëdhënie ndër vite, duke veçuar vullnetin dhe memorien e bashkëshortit, por edhe mbështetjen e ndërsjellë në jetën familjare.

Zonja Berisha: Saliu ka një vullnet të jashtëzakonshëm. Dy gjëra më kanë habitur; vullneti dhe memoria. Këto kanë qenë dy gjërat që gjithmonë më kanë habitur. Në detyrat familjare ne kemi ndihmuar njëri-tjetrin. Pastaj politika…nuk mund të them se e kam ndihmuar. Kemi qenë mbështetja e njëri-tjetrit. Mbështetja, sinqeriteti, dashuria, respekti, bashkëpunimi, janë shumë elementë që ndikojnë në një martesë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Çfarë tregon reagimi për statuset e Elisa Spiropalit në Facebook

0

Që prej ditës kur nxorri këmbën nga rreshti duke thyer urdhrin e partisë, Elisa Spiropali po e sheh veten nën lëkurën e një lebroze politike, e braktisur nga shokët dhe shoqet dhe e sulmuar prej atyre institucioneve për të cilat dikur mjaftonte një mesazh i shkurtër për t’i vënë nën kontroll. Me gjasë karriera e deputetes së Tiranës, ish-Ministre e Jashtme dhe ish-Kryetare e Kuvendit është drejt perëndimit dhe ajo sapo ka hyrë në fazat e para të diskretitimit publik, nëpërmjet metodave që evokojnë traditën e hershme të “internimeve”.

Sipas një shkrimi ekskluziv të publikuar nga Lapsi.al një grup inspektorësh tatimorë kanë kryer kontrolle në biznesin e bashkëshortit të Elisa Spiropalit dhe ky veprim ka irrituar deputeten e Partisë Socialiste. Jo më kot, mesazhi i fundit që ka shpërndarë Spiropali në rrjetet sociale tingëllon edhe si një alarm i brendshëm për atë vetë dhe familjen e saj.

Po më këshillojnë të hesht” shkruan 43-vjeçarja, që refuzon ta pranojë këtë këshillë meskine. “Shpirtkatran që më qërtojnë, janë qën’ që s’më kafshojnë” citon ajo vargjet e Lasgush Poradecit, duke lënë të kuptohet se ndjehet ende e fuqishme dhe se është gati t’i përgjigjet flakë për flakë kërcënimeve.

Interesante është se si një nga altoparlantët e sinkronizuar me propagandën dhe shijet e Edi Ramës i ka fshirë nga shiriti lavdet për kryeministrin dhe Partinë Socialiste. Sepse janë ende të freskëta në memorie kohët kur ajo e quante Partinë Socialiste një forcë politike energjizuese, promotore e integrimit për Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe si një instrument me fuqinë e ndryshimit për ripërtëritjen e Shqipërisë dhe shtetit tonë.

Por sapo ka provuar shijen e abuzimit, frazat e Spiropalit vetëm nxijnë. A thua se po përshkruan një organizatë kriminale që tërheq fijet në majë të shtetit shqiptar. Spiropali flet për një model qeverisjeje, ku “institucionet janë instrumente presioni”, që nuk i përgjigjen ligjit, por “klanit” që i kontrollon.

Shteti, sipas Spiropalit është zëvëndësuar me një “makineri të pashpirt” që mund të përdoret kundër çdokujt, pasi administratës i jepen “urdhëra të paligjshëm për interesa dhe presione eprorësh të dhunshëm dhe fuqiplotë”.

Eshtë e njëjta dorë thotë deputetja e Tiranës që përdor “portale të paguara me para të errëta, që fillojnë të sulmojnë në mënyrë brutale deri edhe familjarë, në punë të tyre”. Këto struktura shtetërore që përdoren për hakmarrje personale Spiropali i quan “hanxharë” për të frikësuar kundërshtarët. “Kufijtë janë tejkaluar, thotë ajo,- nuk bëhet më fjalë për politikë”.

Duhet thënë se deri dje, i njëjti shtet nuk krijonte asnjë shqetësim për Spiropalin. Vetëm kur tatimet u afruan në biznesin e bashkëshortit të saj, ajo po reagon me alarm. Kur rreshtohej mes besnikëve të Edi Ramës, ajo vetëm ka heshtur.

Por shpërthimet e Elisa Spiropalit në këto momente dëshpërimi e kanë një vlerë. Përtej përtej luftës së egër brenda llojit në Partinë Socialiste, përtej faktit se janë një dëshmi e dorës së parë, nga një antar i vjetër i organizatës, ato janë edhe një lakmus për agresivitetin e pushtetit të Edi Ramës në vitin e 13 në pushtet.

Po ta shohësh me kujdes, “mëkatet” e Elisa Spiropalit përballë partisë së saj janë pak statuse në rrjetet sociale dhe mungesa në seancën parlamentare për imunitetin e Ballukut në 12 Mars. Por në atë seancë, duhet thënë se mungesa e Spiropalit as nuk e vinte në diskutim rezultatin e votimit.

E megjithatë këto herezi të vogla të Spiropalit, që janë shumë larg lëvizjeve të dikurshme brenda Partisë Socialiste dhe që as nuk synojnë të shkojnë më tej, kanë vënë menjëherë në punë mekanizmat e ndëshkimit me mjete apolitike. Reagimi ka qenë i menjëhershëm dhe pas asaj “qepe gojën” në mbledhjen e grupit parlamentar nga Edi Rama erdhën sulmet mediatike për pasurinë e familjarëve të saj, ndërsa tani përshkallëzimi me kërcënimet e inspektorëve të tatimeve.

Përballë Spiropalit që me gjasë do t’i dorëzohej partisë me ofertën e parë, është shfaqur një pushtet luftarak që ndëshkon menjëherë këdo që i del potencialisht kundër, edhe një figurë që deri dje ishte pjesë e bërthamës së tij. Mjaftojnë dy statuse në Facebook dhe mesazhi është i qartë për të tjerët: askush nuk është i paprekshëm dhe çdo fjalë duhet matur mirë.

Por kjo sjellje përmban brenda saj edhe një paradoks. Sepse sa më agresive të jetë sjellja e një pushteti, aq më i pasigurt është ky pushtet në thelbin e tij./Lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Protesta e opozitës dhe përplasjet me policinë/ 11 të arrestuar dhe 9 të lënduar

0

Opozita zhvilloi pasditen e djeshme protestën e radhës kombëtare përpara Kryeministrisë. Ashtu si edhe tubimet e kaluara, edhe kjo protest u shoqërua me tensione dhe përplasje me uniformat blu. Situata u agravua pas përfundimit të fjalimit të Sali Berishës, ku një protestuesit hodhën fishekzjarrë dhe molotov drejt godinës së kryeministrisë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i policisë, ku ndryshe nga herët e tjera uniformat blu kanë ndërhyrë me shpejtësi, duke shpërndarë në pak sekonda protestuesit me ujë dhe gaz lotsjellës. Si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës dhe spajt me piper disa deputetë të PD dhe ish kandidati për deputet, Aulon Kalaja mbetën të lënduar dhe u transportuan në spital.

Në total nëntë persona mbetën të dëmtuar, 5 janë nga radhët e uniformave blu dhe 4 janë protestues. Nga ana e saj Partia Demokratike akuzoi Policinë e Shtetit se me urdhër të Ramës përdori dhunë ndaj protestuesve.

Burime nga blutë bëjnë me dije se 11 persona janë arrestuar nga policia, ndërsa në total u shoqëruan 22 protestues.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Bordi ndryshon sërish çmimi i naftës, rritet me 3 lekë

0

Bordi i Transparencës ka ndryshuar sërish çmimet e tregtimit të naftës dhe benzinës në vend.

Në vendimin e marrë sot, i cili hyn në fuqi në orën 16:00, nafta do të shitet me 210 lekë, nga 207 lekë për litër që ishte dje, ndërsa benzina do të shitet me 176 lekë për litër, nga 174 që ishte dje.

Njoftimi:

Bordi i Transparencës në datë 17 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 176 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 164 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 17 ora 16.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarw dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë per llogaritjen e cmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Veliaj bën padi në Prokurorinë e Tiranës: Nesti Angoni nuk ekziston!

0

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim për falsifikim dokumentesh lidhur me dokumentin e depozituar në SPAK nga një person anonim i identifikuar si Nesti Angoni, dhe që shërbeu si bazë që Prokuroria të niste procedimin penal ndaj tij.

Në kërkesën drejtuar organit të akuzës, Veliaj thekson se bëhet fjalë për një rast falsifikimi, pasi emri në fjalë nuk rezulton i regjistruar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Sipas tij, dokumenti i paraqitur në SPAK është hartuar në formën e një kallëzimi të identifikuar, duke përdorur një identitet të rremë dhe një nënshkrim fizik.

“Në fund të dokumentit, poshtë emrit “Nesti Angoni”, është vendosur një nënshkrim me shkrim dore. Ky fakt tregon qartë se personi që ka hartuar dokumentin nuk është kufizuar në paraqitjen e informacionit në mënyrë anonime, por ka zgjedhur të krijojë një identitet të rremë dhe ta materializojë atë përmes një nënshkrimi fizik, duke e paraqitur dokumentin si të ardhur nga një subjekt konkret dhe i identifikueshëm. Ky veprim përbën një paraqitje të rreme të rrethanave faktike përpara një organi publik, me qëllim ndikimin në vendimmarrjen e tij.”, thuhet në shkresën e Veliajt.

Po ashtu, sipas tij, dokumenti përmban pretendime të përgjithshme dhe të paverifikuara mbi marrëdhënie dhe përfitime të mundshme të tij. Veliaj argumenton se procedimi penal i nisur nga SPAK ndaj tij është i papranueshëm sepse është vënë në lëvizje nga elementë, që sipas tij, përbëjnë vepër penale. Ai thotë se hartimi dhe nënshkrimi i dokumentit në emër të një identiteti të rremë përbën vepër penale dhe duhet që të hetohet.

“Pra, mungesa e një personi real me këtë emër nuk e përjashton përgjegjësinë penale, por është pikërisht një tregues i mënyrës së kryerjes së veprës, nëpërmjet simulimit të identitetit, me qëllim shmangien e identifikimit dhe rritjen e besueshmërisë së dokumentit të paraqitur. Në këtë kuptim, subjekti i veprës penale nuk është personi fiktiv i përdorur në dokument, por personi real që ka hartuar dhe nënshkruar këtë dokument në emër të një identiteti të rremë, i cili mbetet për t’u identifikuar nëpërmjet hetimit penal. Për rrjedhojë, elementi i subjektit të veprës penale rezulton i plotësuar, pasi ekziston një autor real, edhe pse aktualisht i paidentifikuar, i cili ka kryer veprimet materiale të përshkruara më sipër.”, shton ai.

Kryebashkiaku thotë se rasti ndaj tij nuk është kallëzim penal i rregullt sepse nuk përmbush asnjë standard formal dhe procedurial për t’u quajtur i tillë.

“Në asnjë rast nuk mund të konsiderohet e pranueshme që një procedim penal të vihet në lëvizje mbi bazën e veprimeve që në vetvete paraqesin elementë të një vepre penale. Pranimi i një logjike të tillë do të çonte në legjitimimin e përdorimit të mjeteve të kundërligjshme për të inicuar ndjekje penale, duke deformuar rëndë funksionin e drejtësisë dhe duke cenuar parimet themelore të shtetit të së drejtës.”, shton ai.

Veliaj kërkon gjithashtu që të identifikohet personi real që qëndron pas emrit “Nesti Angoni”.

“”Për sa më sipër, kërkoj: i. regjistrimin e procedimit penal për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal si dhe cdo vepër tjetër relevante që del gjatë hetimit. ii. identifikimin e autorit real që ka hartuar dhe nënshkruar dokumentin “Të dhëna për SPAK”, thotë ai.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ilir Vrenozi thirrje Berishës: Nëse e ke seriozisht, merr karrigen sot dhe nis grevën para Kryeministrisë

0

Pak para nisjes së protestës së opozitës, Ilir Vrenozi i është drejtuar me një kërkesë konkrete Sali Berishës dhe deputetëve të PD.

Vrenozi thotë se protesta me shashka dhe tym nuk bëhen dhe nuk sjellin rrëzim pushteti. Sipas tij nëse PD e ka vërtetë qëllim të rrëzojë Edi Ramën, atëherë duhet që Berisha dhe deputetët e tij të nisin grevë para Parlamentit ose Kryeministrisë.

“Në qoftë se sot në orën 19, nëse e keni seriozisht të rrëzojmë Ramën, sot Berisha dhe deputetët e opozitës marrin një karrige dhe ulen para parlamentit ose kryeministrisë, dhe fillojnë një grevë urie ose ngujim.

Nëse e ke me gjithë mend merre karrigen dhe ulu, që të të shikojë populli që ka seriozitet, sepse merr e hidh shashka…

Ja shiko rrugës për Tiranë, por rruga për Tiranë duhet të bëhet edhe pak me motivim.

Nga ana e deputetëve, ata duhet të japim pak nga vetja e tyre, se ardhja aty dhe hidh shashka, hidh tym e ik me vrap, edhe çfarë? Edhe Rama vazhdon.

Do që Rama të mos jetë më në pushtet? Merrni nga një karrige dhe uluni para parlamenti, kjo prej burrash… pastaj nëse duan të bëjmë ‘au iu’, hajde bëjmë”, thotë Vrenozi.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx