Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiri, 44 vjeç, i dyshuar në Shqipëri për vepra që lidhen me mashtrimin dhe përvetësimin përmes mashtrimit, do të vijojë të qëndrojë në burgun e Beauvais në Francë.
Beqiri u arrestua pasi më 25 korrik, teksa drejtonte avionin e tij të vogël, fluturoi mbi centralin bërthamor të Penly, në Seine-Maritime, mes Dieppe dhe Le Tréport.
Sipas raportimit të medias franceze Paris Normandie, biznesmeni ndodhej në komandën e avionit kur përfundoi duke fluturuar mbi centralin, një objekt jashtëzakonisht i ndjeshëm për sigurinë. Nuk është bërë e qartë nëse bëhej fjalë për një gabim në drejtim apo shpërqendrim.
Avioni u ul më pas në aeroportin e Méaulte, pranë Albertit, në departamentin Somme, ku Beqiri u arrestua nga autoritetet.
Më 27 korrik, ai u paraqit para gjykatës në Amiens dhe u gjykua për fluturim të paautorizuar mbi një objekt bërthamor, në kuadër të procedurës së pranimit të fajit. Për këtë shkelje ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh.
Por çështja nuk përfundoi me dënimin për incidentin ajror. Ndërsa Beqiri ndodhej nën shoqërimin e autoriteteve franceze, Shqipëria i dërgoi Francës kërkesën për ekstradimin e tij.
Ai kërkohet në Shqipëri në lidhje me një hetim të gjerë për tendera të dyshuar si të manipuluar dhe vepra të tjera penale. Sipas SPAK-ut, ndaj tij janë ngritur dyshime për një sërë veprash, përfshirë grup të strukturuar kriminal, pastrim parash, korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe shkelje të barazisë në tendera.
Pasuritë e dyshuara në Francë
Në kuadër të hetimeve, autoritetet franceze kanë identifikuar disa pasuri që lidhen me Beqirin.
Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK-u, bëhet fjalë për llogari bankare me vlerë totale mbi 2 milionë euro, dy apartamente, mjete motorike, një avion privat/turistik dhe një kështjellë në departamentin Oise, me vlerë rreth 2.6 milionë euro.
Kjo e fundit është identifikuar nga raportime të mediave shqiptare si Château d’Auteuil, në Berneuil-en-Bray, pranë Beauvais. Të dhënat publike franceze tregojnë se prona është shitur më 30 dhjetor 2024 për 2.612.200 euro, shifër që përputhet me vlerën e përmendur në njoftimin e SPAK-ut.
Raportimet kanë vënë në dukje gjithashtu se në rubrikën ligjore të faqes së kështjellës figuron emri “Ermal Beqiri” si botues i faqes, me adresën e pronës.
“Kam ardhur në Francë në moshën 16-vjeçare”
Më 20 gusht, Beqiri u paraqit para trupit gjykues të Apelit të Amiens, ku kërkoi lirimin.
Avokati i tij pretendoi se klienti është viktimë e një “ndalimi të paligjshëm”. Sipas mbrojtjes, Beqiri kishte mësuar nga mediat shqiptare se ishte në kërkim dhe ua kishte bërë të ditur autoriteteve franceze se ku ndodhej.
“Ai u vu në dispozicion të autoriteteve, dha adresën e tij. Si mund të flitet atëherë për një ‘person në kërkim që është arratisur’?”, argumentoi avokati.
Prokuroria kundërshtoi lirimin, duke argumentuar se mundësitë financiare të Beqirit dhe licenca e pilotit krijojnë rrezikun që ai të largohet nga autoritetet.
Gjatë seancës, Beqiri foli edhe për lidhjen e tij me Francën.
“Kam ardhur në Francë në moshën 16-vjeçare, këtu kam familjen time të dytë. Po, lëviz shumë: Turqi, Slloveni, Francë… Mund të kisha shkuar kudo, edhe në Dubai, por unë e dua Francën. Edhe pse nuk zgjodha vendin më të mirë për t’u fshehur, as vendin më të mirë për taksat…”, deklaroi ai.
Gjykata: Do të vijojë të qëndrojë në burg
Më 25 gusht, Gjykata e Apelit në Amiens mori vendimin përfundimtar për kërkesën e tij për lirim dhe vendosi që Beqiri të vijojë të qëndrojë në burgun e Beauvais. Ky është zhvillimi më i fundit i raportuar nga mediat franceze për çështjen.
Ndërkohë, autoritetet franceze dhe shqiptare vijojnë procedurat lidhur me kërkesën për ekstradimin e tij në Shqipëri, ndërsa hetimet mbi pasuritë dhe aktivitetin e tij financiar në Francë vazhdojnë.






