Që Ogerta Manastirliu i ka ngjitur shkallët e karrierës si një nga adhurueset më të devotshme të Edi Ramës, mes shumë të tillash që kanë kapur postet qeveritare dhe që ia dedikojnë tërësisht atij karrierën politike, kjo është e lehtë për t’u kuptuar. Por ajo që bie në sy në bisedën mes saj dhe Ramës në Podcastin “Flasim” është lehtësia me të cilën të dy, e ndajnë me publikun nënshtrimin dhe bindjen e verbër ndaj shefit, si një sjellje që në Partinë Socialiste është kthyer në normalitet.
Vetëm se duke ekspozuar publikisht një grua kaq të përulur para liderit, tërësisht të verbër në admirimin e saj, e gatshme ta falenderojë në çdo hap të karrierës dhe gjithçka ka arritur në jetën e saj profesionale, Rama e ka goditur Manastirliun në atë që mund të ishte vlera e saj kryesore si kandidate për Tiranën; të qënit një grua.
Në gati 50 minuta bisedë, Manastirliu nuk ka hezitim për faktin se ia dedikon totalisht Edi Ramës karrierën e saj politike. Ajo e rrezaton adhurimin ndaj Edi Ramës si të ishte një vlerë e padiskutueshme, një virtyt dhe madje si arritje personale; nga momenti i parë kur e ka njohur, si i vjen ndërmend ai teksa sheh pemët në rrugët e Tiranës, për telefonatat që i kanë hapur dyert e zyrave të rëndësishme shtetërore dhe deri tani në katapultimin e mundshëm në krye të bashkisë më të madhe.
Në anën tjetër, Rama shfaqet plotësisht i rehatuar përballë qënies së nënshtruar që ka përballë, një inferiore si nga ana politike ashtu edhe personale. Instiktivisht ai nuk e sfidon Manastirliun për asnjë mendim, nuk i bën asnjë pyetje për idetë, dilemat apo betejat e saj politike. Kufizohet ta pyesë për çikërrimat e jetës së përditshme, detaje dhe episode pa vlerë që nuk tregojnë asgjë për figurën politike të Ogerta Manastirliut dhe për psenë e përzgjedhjes së saj politike.
Pas mikrofonit të “Flasim”, shohim një Edi Ramë të zhytur në vanitet, që shijon gjithë përkëdheljen e sedrës nga fjalët dhe nga sytë plot ngazëllim të kandidates për Tiranën.
Por pikërisht kjo shfaqje nënshtrimi përballë kryeministrit, e zhvesh Manastirliun nga e vetmja vlerë që mund të kishte kandidimi i saj nga Partia Socialiste në këto rrethana.
Të gjithë kryebashkiakët e Tiranës në të shkuarën, kanë qenë burra. Ajo është e para grua që ka gjasa reale të marrë mbi supe një post kaq të rëndësishëm. Si e tillë nuk kish pse paraqitej publikisht si një grua që gjithçka në jetë e ka arritur falë një burri.
Duke e prezantuar si ndonjë adoleshente të dorëzuar përballë idhullit të saj, Rama e ka dobësuar imazhin e saj, duke ia vrarë dimensionin gjinor të fushatës, që do të tërhiqte më tej simpatinë e grave dhe vajzave të tjera.
Prandaj kush duron deri në fund të bisedës në “Flasim” ka dëgjuar një dialog bosh për nga përmbajtja, i lodhshëm për t’u dëgjuar, por edhe i dëmshëm për profilin politik të Ogerta Manastirliut.
Kushdo nga kandidatët kundërshtarë nuk ka pse të shkojë larg për ta sulmuar. I dehur nga pushteti dhe i sigurtë në fitoren e Tiranës, Rama ia ka ofruar në podkastin e tij një personazh pa shtyllë kurrizore, që s’ka shumë për të rrëfyer, përveç idhujtarisë për shefin.
Lapsi ka mbledhur disa nga këto deklarata, që ia zbehin vlerën kandidaturës së parë grua për Tiranën.
Kontakti i parë me Edi Ramën
“Edi Ramën e njihja si ministër i kulturës dhe gjithë mosha jonë ishte e intriguer nga i riu ministër kulture, që nuk ishte si gjithë të tjerët, me shpirt transformues, pak rebel që thotë gjithmonë atë që mendon. Thashë OK. Hipa në furgon dhe mbërrini ju kryeministër dhe aty filloi një rrugëtim që ishte një vetëdijisim që ka bërë një pjesë të këtij rrugëtimi, por edhe një lloj zgjimi, për të parë përtej qendrës së Tiranës, ku ishte bërë jeta ime në ato vite. Për herë të parë pashë çfarë ndodhte jashtë unazës së Tiranës.”
Vlerësimi për punën e Edi Ramës
“Në tre vite patëm angazhim, filluam një inisiativë në fakt të udhëhequr nga ju, për bibliotekat në Tiranë dhe për mbjelljen e pemëve në Tiranë. Sa herë kaloj më kujtoheni ju, sepse e gjithë Muhamet Gjollesha, gjithë rruga e kombinatit, komplet nga bulevardi Materniteti i Ri, rruga Kavajës, e Durrësit u mbollën në atë periudhë”
Emërimi nga Edi Rama në krye të QSUNT
“Më thirrët dhe më besuat të menaxhoj qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Për mua ishte tërësisht e paimagjinueshme, përfshirja në një detyrë aq me përgjegjësi dhe në një sektor jetik, siç ishte shëndetësia dhe QSUNT”.
Mirënjohje për Edi Ramën
“Kryeministër mua nuk më është dhënë rasti t’ju shpreh mirënjohjen për besimin. E shoh si një përgjegjësi shumë të madhe, një sfidë të përbashkët, në atë që secili prej nesh si qytetar duhet të bëjë për vendin e vet dhe të japë për vendin e vet”
Puna me Edi Ramën në të ardhmen
“Përgjegjësia që mua më është ngarkuar për të çuar përpara transformimin e Tiranës e mbaj mbi supe jo vetëm. E mbaj me ju, ekipin e qeverisë. Se është një gjë, që të jesh vetëm në një betejë dhe është tjetër të jesh me një ekip që e çon Shqipërinë në BE”.
Bindja për Edi Ramën
“Unë jam thirrur në detyrë. Dhe është një thirrje në detyrë për një mision historik. E shikoj si një përgjegjësi që varet e ardhmja e qytetit”
Mirënjohja për Edi Ramën
“Historia ime, s’e kisha menduar asnjëherë në fakt, tani që i rikthehem: nuk është një histori e parashkruar. është një histori besimi, nga ju, që më keni njohur përmes punës, nga njerëzit që kam punuar dhe qytetarët e Tiranës”./Lapsi.al




