Liria në botë në vitin 2018 ra për të tretin vit radhazi. Hapa prapa kanë bërë një sërë vendesh që më parë renditeshin si më të lirat, duke nisur nga demokracitë si Shtetet e Bashkuara te regjimet autoritare si Kina apo Rusia. Shqipëria dhe Kosova në raportin e vitit 2019 vlerësohen si shtete pjesërisht të lira.
Gazetaria e pavarur në botë është nën presionin e udhëheqësve që synojnë të konsolidojnë pushtetin e tyre, qoftë demokratik apo autoritar.
Organizata joqeveritare me seli në Shtetet e Bashkuara, “Freedom House”, thekson në raportin e fundit për lirinë dhe mediet në vitin 2019 se situata është alarmante për të 13-in vit radhazi.
Për Shqipërinë këtë vit nuk ka pasur ndryshim në notën për lirinë dhe mediet, duke u vlerësuar me 68 pikë nga 100 pikë të mundshme si një vend pjesërisht i lirë për treguesit e lirive politike dhe qytetare.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Kosovë dhe shumicën e rajonit të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Greqisë e cila konsiderohet një vend i lirë.
Për Ballkanin veçohet gjendja e vështirë e gazetarisë kritike dhe e lirisë në përgjithësi në Serbi dhe Malin e Zi.
Këto dy vende citohen të kenë bërë hapa prapa si pasojë e konsolidimit të pushtetit në mënyrë jokushtetuese rreth presidentëve përkatës, Aleksandër Vuçiç dhe Milo Gjukanoviç.
Tendencat për shtypjen e medieve janë vërejtur në të gjitha rajonet, por më tepër në Europë, Eurazi dhe Lindjen e Mesme.
Me sfida në vitin 2019 përballet edhe demokracia e Shteteve të Bashkuara, e cila raportohet të jetë dobësuar në tetë vitet e fundit.
Ekspertët e “Freedom House” rekomandojnë që liria dhe mediet në botë mund të forcohen duke ndërhyrë me politika konkrete në respekt të të drejtave të qytetarëve, përmes investimit në arsim, ruajtjes së politikës nga ndikimet e huaja, investimit në infrastrukturën zgjedhore për të mos lejuar manipulimet, inkurajimit dhe mbrojtjes së gazetarëve dhe lirisë së medies dhe dënimit të personave dhe zyrtarëve që abuzojnë të drejtat e njeriut apo janë të përfshirë në korrupsion.




