Mbahet sot në Gjykatën Kushtetuese seancë në lidhje me masën e sigurisë të vendosur ndaj zëvendës kryeministres Belinda Balluku, “pezullimi i ushtrimit të detyrës publike”, vendim i marrë nga Gjykata e Posaçme.
Seanca nis në orën 10:00 dhe mbahet pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama, i cili pretendon se me vendimin e pezullimit të Ballukut, gjykata ka shkelur kompetencat e tij si kryeministër.
Mësohet se Presidenti i Republikës do të përfaqësohet nga Ilir Rusmali, këshilltar; Hemioni Braho, shef kabineti; dhe Eriola Shia, drejtoreshë e përgjithshme.
Kuvendi do të përfaqësohet nga drejtoresha juridike, Mimoza Arbi, ndërsa qeveria nga drejtori juridik, Herald Jonuzaj.
Ndërsa dy prokurorët e SPAK për rastin e Ballukut, janë Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, të cilët kanë mbërritur në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë pak më herët GJKKO njoftoi se nuk do të ishte pjesë në seancë.
Gjykata e Posaçme vendosi që ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Balluku akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese, ndërsa akuzave u është shtuar edhe shkelje e barazisë me tendera në Unazën e Madhe.




