Gjykata kundër korrupsionit ka refuzuar kërkesën e Arbër Çekajt për pezullim të procesit deri në ndryshim të prokurorit. Gjykata nuk e mori parasysh kërkesën e të akuzuarit për 613 kilogram kokainë, duke vendosur vazhdimin e gjykimit. Të njëjtin vendim treshja gjykuese mori edhe për kërkesën e dyte të avokatëve që kërkuan shuarje të masës së sigurisë.
Gjykata i ka thënë jo kërkesës së Arbër Çekajt për pezullimin e procesit derisa të shprehet KLP-së, për ndryshimin e prokurorit Edvin Kondili. Avokatët mbrojtës të Çekajt, kërkuan gjithashtu edhe shuarje të masës së sigurisë.
Të dyja kërkesat u rrëzuan nga treshja e gjyqtarëve. Ndërkohë që procesi u zhvillua me debate mes të pandehurit dhe prokurorit Edvin Kondili.
Çekaj e akuzoi përfaqësuesin e akuzës se kishte manipuluar provat dhe e kishte hapur qëllimisht kontenierin në magazinën e tij në Shijak, ndërkohë që nuk kishte vepruar në të njëjtën mënyrë me një sasi tjetër droge e kapur në kontenieret me banane që i përkisnin një biznesmeni nga Vlora.
Çekaj tha se prokurori e përdori çështjen e tij për të kaluar vettingut dhe për të qenë pjesë e SPAK. Ai kërkoi një tjetër prokuror për të vijuar hetimet, madje duke propozuar edhe të huaj.
Por deklaratave të bëra nga i pandehuri i është kundërpërgjigjur prokurori, i cili tha se nuk e trembnin kërcënimet indirekte dhe se i pandehuri te vijonte procesin ne mënyre të rregullt ligjore duke kërkuar të dalë i pafajshëm.
Në përfundim të pretendimeve trupa ka rrëzuar kërkesat e avokatëve ndërsa ka vendosur datën 13 janar për mbrojtjen dhe vendimin për tre të akuzuarit.




