Një ngjarje e rëndë është regjistruar në mes të ditës në zonën e njohur të kryeqytetit, si zona e Ish-Parkut.
Burime për mediat bëjnë me dije se një person i armatosur është futur në ambientet e një banke të nivelit të dytë, e cila operon në atë zonë dhe ka temtuar të grabisi një shumë parash.
Edhe pse nën kërcënimin e armës, autori i ngjarjes nuk ka arritur dot të grabisi para nga banka. Mësohet se autori është arrestuar nga policia. Në vendngjarje është gjetur një gëzhojë.
“Rreth orës 11:15, në Rrugën e Kavajës, shtetasi B. F., rreth 58 vjeç, dyshohet se ka hyrë në ambientet e një banke, me qëllim vjedhjen e saj, duke qëlluar me armë zjarri, në dysheme. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar, në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Autori i dyshuar është shoqëruar në Komisariat. Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit.
Në përfundim të veprimeve hetimore do të jepet informacion më i plotë për rastin”, njofton Policia.




