Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me videot e shpërndara në rrjetet sociale, të cilat ngritën shqetësim në kryeqytet, pasi në to shfaqeshin dy gra me shami duke iu afruar fëmijëve të mitur.
Sipas uniformave blu, hetuesit janë vënë menjëherë në veprimin pas qarkullimit të këtyre videove, duke bërë të mundur, identifikimin e dy grave të cilat më par janë shoqëruar.
“Duke marrë shkas nga një lajmin i publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohej se disa gra të mbuluara komunikonin në mënyrë të dyshimtë me të mitur, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit nisën menjëherë me iniciativë, verifikimet dhe hetimet përkatëse. Si rezultat i veprimeve të kryera, u bë i mundur identifikimi i dy shtetaseve që shfaqen në videon e publikuar. Shtetaset, me inicialet M. G. dhe A. G., u shoqëruan më datë 21.04.2026 në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Mirëpo pas verifikimeve, ka rezultuar se këto shtetase janë me shtetësi iraniane dhe janë të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, për arsye humanitare.
Uniformat blu garantojnë se dy gratë iraniane nuk përbëjnë asnjë rrezik për fëmijët shqiptarë: “Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve. Policia e Shtetit garanton qytetarët se, në këtë rast, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve.”




