Joe Walsh, republikani i dytë që sfidon Trump për President

0
10

Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të përballet me të paktën 2 kandidatë nga partia e tij në zgjedhjet presidenciale të 2020-ës. Listës së sfiduesve iu shtua të dielën ish-kongresmeni Joe Walsh, sipas të cilit kreu aktual i Shtëpisë së Bardhë është i papërshtatshëm për postin më të lartë të vendit.

Një tjetër republikan do garojë për t’i mohuar presidentit amerikan, Donald Trump, mandatin e dytë presidencial vitin e ardhshëm.

Ish-kongresmeni, Joe Walsh, shpalli të dielën kandidaturën duke e quajtur kreun aktual të Shtëpisë së Bardhë të papërshtatshëm për postin.

“Në Shtëpinë e Bardhë kemi dikë që të gjithë e dimë se është i papërshtatshëm. Dikë që gënjen sa herë që hap gojën, që vë interesat e tij përpara interesave të kombit, dhe që përkrah Vladimir Putinin dhe jo komunitetin tonë të shërbimeve informative. Nuk mund të durojmë edhe katër vite të tjera më Donald Trump,” deklaroi konservatori 57-vjeçar.

Joe Walsh fitoi një mandat si kongresmen në vitin 2010 në Dhomën e Përfaqësuesve për shtetin e Ilinoisit, por e humbi garën dy vite më pas.

Prej asaj kohe, drejt një emision radiofonik ku mbron pikëpamjet konservatore për reduktim të shpenzimeve qeveritare dhe uljen e taksave.

Në radhët e republikanëve, Uolsh është i dyti kandidat që do të sfidojë Trump, pas ish-guvernatorit Bill Weld, që po ashtu ka shpallur ambicien për karrigen më të lartë të vendit.

Beteja pritet të jetë e vështirë për dy ish-zyrtarët pasi presidenti 73-vjeçar gëzon aktualisht mbështetjen e gati 87 për qind të anëtarëve të partisë.

Për garën e 3 nëntorit 2020 po konkurrojnë edhe 21 demokratë, mes tyre shtatë senatorë, një numër rekord prej 6 kandidate gra, sikurse pjesëtarë nga komuniteti me ngjyrë, hispanoamerikan dhe komuniteti gej.

Zjarr Tv Ad