Të martën u mbyll dita e 52-të e protestës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit brohoritën thirrje si “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Ju erdhi fundi”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Rama, jep dorëheqjen”.
Gjatë tubimit, qytetarë dhe aktivistë shprehën pakënaqësitë për qeverisjen, kostot e larta të jetesës, shëndetësinë, arsimin, emigracionin dhe korrupsionin. Si çdo mbrëmje, ata deklaruan se protesta nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e zonave të mbrojtura, por me situatën e përgjithshme ekonomike dhe sociale në vend. Kritika pati gjithashtu edhe për financimin me 4.3 milionë euro të koncertit të Kanye West. Në podium u ngritën edhe akuza ndaj klasës politike të 35 viteve të fundit.
Aktivistët përsëritën gjithashtu thirrjet drejtuar SPAK-ut. Ata kërkuan hapjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se mbështetja për institucionet e drejtësisë duhet të shoqërohet me rezultate konkrete.Në fund të fjalimeve, aktivistët njoftuan se protesta do të zhvendoset të enjten para Kuvendit. Grumbullimi është paralajmëruar të nisë në orën 08:00, gjatë zhvillimit të seancës parlamentare.
Pas fjalimeve para Kryeministrisë, qytetarët vijuan marshimin në kryeqytet. Ata përsëritën se nuk pranojnë negociata për kërkesën e tyre kryesore: dorëheqjen e Edi Ramës dhe largimin e qeverisë.






