Juglindja e vendit ende e paralizuar, shkojnë në 9 cm fundosjet në aksin Librazhd-Prrenjas

0
0

Dëmtimi dramatik i segmentit të rrugës kombëtare Librazhd – Prrenjas, në zonën e Arrave të Dragostunjës, po merr përmasa me pasoja të rënda infrastrukturore dhe socio-ekonomike, duke paralizuar pjesërisht jo vetëm qarkullimin, por edhe jetën e përditshme të një pjese të konsiderueshme të vendit.

Kjo arterie strategjike, që lidh kryeqytetin me juglindjen, tashmë është kthyer në një pikë kritike kombëtare. Prej disa ditësh, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe të gjitha strukturat shtetërore janë në alarm të plotë për të gjetur jo vetëm një zgjidhje emergjente për zhbllokimin e situatës së paprecedentë, por edhe një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme.

Tryeza maratonë me inxhinierët më të mirë

Burime nga grupet teknike konfirmojnë se diskutimet kanë vijuar nga pasditja e djeshme deri në mesnatë, ndërsa edhe sot paradite pritet një tjetër tryezë intensive me inxhinierët më të mirë të projektimit rrugor në vend. Në fokus është rishikimi i plotë i qasjes teknike ndaj segmentit problematik.

Aktualisht, në tryezën e diskutimeve po qarkullon seriozisht ideja e devijimit të projektit ekzistues. Sipas burimeve të besueshme, shumë shpejt mund të merret një vendim për anulimin e përhershëm të punimeve në segmentin aktual, për shkak se zona ka shfaqur gjatë këtij muaji paqëndrueshmëri të theksuar gjeologjike, duke e bërë investimin me risk të lartë edhe në të ardhmen.

Vlerësim tektonik i plotë i zonës

Në ditët në vijim pritet të kryhet një vlerësim i thelluar tektonik dhe gjeodinamik i gjithë zonës ku po realizoheshin punimet nga kompania ANK shpk. Ekspertiza do të përcaktojë nëse territori përbën rrezik të përhershëm për infrastrukturë të rëndësisë kombëtare.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se një nga opsionet më të mundshme është rikthimi te projekti alternativ, ku një segment i rrugës do të kalojë mbi rrjedhën e Lumi Shkumbin ose përgjatë saj, duke shmangur masivin problematik që ka shfaqur lëvizje të vazhdueshme të tokës.

Rikthimi i qarkullimit drejt Juglindjes , emergjencë kombëtare infrastrukturore

Situata tashmë konsiderohet një emergjencë kombëtare infrastrukturore. Bllokimi i këtij aksi ka krijuar zinxhir efektesh në transportin e mallrave, lëvizjen e qytetarëve, shërbimet publike dhe ekonominë rajonale.

Vendimmarrja që pritet në ditët në vijim do të jetë përcaktuese jo vetëm për fatin e këtij segmenti, por për modelin e ndërhyrjes në zona me risk të lartë gjeologjik në të gjithë vendin. Shqipëria përballet me një nga sfidat më serioze infrastrukturore të viteve të fundit dhe zgjidhja kërkon vendim të guximshëm, profesional dhe afatgjatë./BW

Zjarr Tv Ad