Thursday, May 21, 2026
Ballina Aktualitet Kandidati i Trump për ambasador konfirmon prioritetet e reja të SHBA ndaj...

Kandidati i Trump për ambasador konfirmon prioritetet e reja të SHBA ndaj Shqipërisë

0
12

Për këdo që nuk ishte bindur se qasja amerikane kundrejt Shqipërisë ka ndryshuar dhe se ajo është tani më praktike se formale, fjala hapëse e të nominuarit për ambasador amerikan në Shqipëri, Eric Uendt, shuan çdo dyshim.

Kandidati i Presidentit Donald Trump për postin e ambasadorit në Tiranë dha që në fjalën e parë para Senatit Amerikan një mesazh të drejtpërdrejtë për atë që Uashingtoni e sheh si përparësi në Shqipëri: luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. 

“Do të eksplorojmë mënyra për të mbështetur Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës që lidhet me kartelet latine, për të ndihmuar që Shqipëria dhe SHBA të jenë më të sigurta”, deklaroi ai.

Kandidati për ambasador u ndal veçanërisht te bashkëpunimi me ushtrinë shqiptare gjatë misioneve të NATO-s dhe në Afganistan, duke vlerësuar trupat shqiptare dhe duke treguar se njeh, të paktën, heroin tonë kombëtar.

“Gjatë drejtimit të forcave të NATO-s, trupat shqiptare ishin pjesë e komandës sime dhe kam punuar me ta në terren. Në Afganistan kam shërbyer me trupa shqiptarë. Trupat shqiptare kanë shpirtin luftarak të heroit shqiptar Skënderbeut dhe njerëzit shqiptarë janë mikpritës dhe punëtorë”, u shpreh Uendt.

Ish-ushtaraku shprehu falenderime për nominimin nga Presidenti Trump për këtë pozicion, teksa kujtoi se ka shërbyer edhe në njësinë legjendare elitare të forcave speciale amerikane, Green Beret. 

“Jam i nderuar nga besimi i Presidentit Trump për këtë pozicion. Për më shumë se 34 vite kam shërbyer SHBA-ve si ushtar. Kam kaluar vite në këmbësori dhe si ‘Beretë e Gjelbër’”, deklaroi ai.

Uendt bëri me dije se ka shërbyer edhe si pjesë e ambasadës amerikane në Jerusalem, duke raportuar pranë Departamentit Amerikan të Shtetit.

Një mesazh që po përsëritet nga Uashingtoni 

Mesazhi i Eric Uendt nuk vjen nga hiçi. Ai futet në të njëjtën vijë paralajmërimesh që administrata Trump ka ndërtuar prej muajsh ndaj Shqipërisë dhe i ka sinjalizuar ato haptazi.

Edhe në urimin e Presidentit Donald Trump për 28 Nëntorin, në vend të formulave të zakonshme ceremoniale, u theksua si prioritet “përballja me organizatat kriminale ndërkombëtare”, krahas stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit ekonomik.

Urimi i Trump për Festën e Flamurit: 

“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira juve dhe popullit të Shqipërisë ndërsa festoni pavarësinë tuaj.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë të krijuar nga lidhje të ngushta sigurie, ekonomike dhe njerëzore. Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit tonë mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë stabilitetin rajonal, përballjen me organizatat kriminale ndërkombëtare dhe zgjerimin e mundësive dypalëshe të biznesit dhe tregtisë. Ju uroj juve dhe popullit të Shqipërisë një Ditë të gëzuar Pavarësie”, shkroi Presidenti Donald J. Trump në telegramin e tij dërguar Presidentit Begaj më 28 nëntor.

Në të njëjtën ditë, edhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio dha një mesazh edhe më të drejtpërdrejtë, kur foli për partneritetin me forcat ligjzbatuese shqiptare përballë “grupeve kriminale ndërkombëtare, karteleve të trafikut të drogës dhe atyre që bashkëpunojnë me to”. Ishte një gjuhë e pazakontë për një urim feste kombëtare dhe një sinjal i qartë se Uashingtoni po e sheh Shqipërinë gjithnjë e më shumë përmes prizmit të sigurisë.

Në të njëjtën frymë kanë qenë edhe mesazhet e të ngarkuarës me punë të SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, e cila ka përsëritur vazhdimisht se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës mbetet një prioritet kyç i marrëdhënies mes dy vendeve.

Prandaj në këtë kontekst të ri, fjala e parë e Eric Uendt sot në Senatin Amerikan nuk bën gjë tjetër veçse konfirmon se linja amerikane ndaj Shqipërisë është tashmë ndryshe. Nëse më parë nga ambasada në Tiranë apo nga përtej oqeanit vinin komente për lloj-lloj aktualiteti politik në Shqipëri, tani sinjali që vjen nga Uashingtoni është më i prerë. Partneriteti me Shqipërinë do të matet gjithnjë e më shumë me rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit, trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. ©LAPSI.AL 

Zjarr Tv Ad