Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore është mbledhur këtë të hënë, më 9 nëntor, mes debateve dhe përplasjeve mes mazhorancës dhe opozitës për vijimin e punës dhe ndryshimin e rendit të ditës.
Bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri, akuzoi opozitën se po pengon procesin, duke theksuar se deri më tani nuk ka paraqitur propozime konkrete. Sipas tij, koha në dispozicion është e kufizuar dhe ekziston rreziku që objektivat e komisionit të mos realizohen brenda afateve të përcaktuara.
Gjiknuri deklaroi se komisioni duhet të fokusohet te çështjet prioritare, ndërsa kërkoi që deri në muajin dhjetor të jetë përcaktuar formula e re, duke përfshirë edhe diskutimet për ndarjen e re administrative-territoriale të vendit.
“Kërkoi ndryshimin e rendit të ditës. Opozita nuk ka sjellë propozime konkrete. Koha po ecën dhe ky objektiv nuk po realizohet. I vetmi komision që në çdo kohë bllokohet. Jemi para një fakti që puna e komisionit është bërë e vështirë. Ka pasur kundërshti nga ana e opozitës me ndryshimin e një pike të rendit të ditës. Opozita po e vështirëson punën, koha nuk është në favorin tonë. Pra, kjo është një ngjarje e re që dikton një ndërhyrje të shpejtë. Qëllimi është që të mos ndryshohet sistemi zgjedhor. Opozita po e vështirëson punën, koha nuk është në favorin tonë. Lindi kjo nevojë, e cila nuk është e njëanshme. Është e rëndësishme që ne e kemi hedhur këtë ide, për ndarjen e re administrative të territorit shqiptar. Duhet të kemi formulën e re, brenda dhjetorit.”
Ai paralajmëroi se afati i punës së komisionit përfundon më 30 nëntor dhe se mungesa e dakordësisë politike rrezikon ecurinë e procesit. Sipas Gjiknurit, mazhoranca i ka paketat e propozimeve gati dhe ofertën e saj e ka vendosur në tryezë.
“Opozita nuk ka ardhur me propozime me kufizimet që kërkohen nga ndarja e pushtetit nga shteti. Ju e dini që afati i këtij komisioni është data 30 nëntor dhe ne rrezikojmë këtë komision. Kjo është veto bllokuese që vë në pikëpyetje ecurinë e këtij procesi. Jemi te fakti që ky komision po bllokohet për shkak të mosvullnetit të opozitës. Ne paketat i kemi gati. Unë e kam hedhur një kompromis në tavolinë dhe ka qenë kompromis i dakordësuar politikisht, të paktën në pikëpamjen tonë, për të hapur një rrugë edhe për sistemin zgjedhor. Kemi thënë: nëse ne do të duam të ndryshojmë sistemin zgjedhor, përfshirë edhe variantin e një sistemi proporcional, duhet të adresojmë njëkohësisht dhe numrin e mandateve të deputetëve. Pra, oferta jonë ka qenë në tavolinë. Zotëria përballë e di, zoti Bylykbashi e di. Nëse doni t’i hyjmë asaj çështjeje, le të diskutojmë për shkurtimin e numrit të deputetëve dhe le të mendojmë për sistem proporcional kombëtar. Në qoftë se ju jeni të gatshëm të bëjmë një komision të reformës kushtetuese, qoftë dhe me këtë fokus, që është fokusi vetëm për çështjen e sistemit zgjedhor dhe të përfaqësimit. Këto janë gjëra që i përcakton Kushtetuta.”

