Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar se, në kuadër të aktivitetit muzikor “YE”, që do të zhvillohet më 11 korrik 2026 në zonën e Kasharit, do të zbatohen kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore të Tiranës.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 07:00 deri në orën 24:00 do të ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës Durrës–Tiranë, nga zona e “Eiffel” deri te “Casa Italia”. Ky segment do të funksionojë vetëm me sens daljeje për subjektet që operojnë në zonë.
Po në të njëjtin interval kohor, do të bllokohet edhe korsia e daljes së autostradës Durrës–Tiranë në rrethrrotullimin e “Casa Italia”.
Ndërkohë, nga ora 12:00 deri në orën 24:00, nuk do të lejohet qarkullimi në segmentin “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”, si dhe në segmentin “Rruga Sokrat Miho” – rruga “Kasem Shima” – rruga “7 Nëntori”, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.
Policia bën me dije se edhe në aksin nga Ura e Institutit deri te “Casa Italia” mund të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit, në varësi të fluksit të pjesëmarrësve, me qëllim menaxhimin e trafikut dhe garantimin e zhvillimit të sigurt të aktivitetit.
Gjatë orareve të kufizimeve, akses në zonat e bllokuara do të kenë vetëm automjetet e emergjencës dhe mjetet e Policisë së Shtetit.
Koncerti vjen në një moment kur protesta kundër Ramës ka hyrë në ditën e saj të 40-të. Për kryeministrin, zhvillimi i këtij eventi duket se është kthyer në një provë politike: të tregojë se “jeta vazhdon”, pavarësisht revoltës qytetare që prej javësh kërkon dorëheqjen e tij.






