Analisti i njohur Lutfi Dervishi, në një postim në Facebook, hedh një vështrim ironik mbi fenomenin e politikanëve të dështuar, të cilët, ndonëse pa mbështetje reale apo arritje konkrete, vijojnë ‘të ofrojnë receta’ për drejtimin e vendit.
Me titullin simbolik “Gjeneralë pa ushtarë”, Dervishi përshkruan një kategori figurash publike që pa asnjë bazë reale në përfaqësim apo eksperiencë, flasin me siguri për gjithçka nga reformat zgjedhore te politika e jashtme, nga ekonomia te bashkimi kombëtar.
Më poshtë, teksti i plotë i postimit:
Gjeneralë pa ushtarë
Nuk marrin dot një deputet, por japin mend si drejtohet një vend.
Nuk mbajnë dot një parti, por japin leksione për stabilitet politik.
Nuk kanë fituar kurrë një palë zgjedhje, por japin mend për reformen zgjedhore.
Vetë nuk marrin vota, por e dinë më saktësi sa i kanë vjedhur të tjerët, njeri – tjetrit
Nuk kanë mbledhur ndonjëherë forumet e partisë, por kërkojnë rregullisht mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Nuk i “kap” asnjë sondazh, por nuk lënë sondazh pa komentuar!
Nuk kanë lexuar asnjë libër, por komentojnë librat best seller.
Nuk kanë ekspertizë në asnjë fushë, por janë ekspertë për gjithçka.
Nuk gjejnë dot vend pune për veten, por kanë plan për të hapur 300 mijë vende pune.
Nuk mbushin një kafe lagjeje me njerëz, por japin receta për “bashkim kombëtar”
Gjeneralë pa ushtarë që flasin çdo darkë për luftën që nuk e nisën kurrë




