Saturday, September 12, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet “Marshi për liri”, qytetarët në Prishtinë zbresin sot në shesh në mbështetje...

“Marshi për liri”, qytetarët në Prishtinë zbresin sot në shesh në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

0
8

Në Prishtinë do të zhvillohet sot “Marshi për Liri”, një tubim në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Aktiviteti do të mbahet në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më 16 shtator pritet të merret vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Marshi organizohet nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, e cila ka bërë të ditur se aktivitetet në mbështetje të tyre do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme në qytete të ndryshme të Kosovës dhe në diasporë.

Në shesh janë vendosur postera me fotografitë e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit me mesazhet “Kosova po pret” dhe “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm”.

Në aktivitet pritet të marrë pjesë edhe Taulant Balla, i cili ka bërë thirrje për mbështetje të marshimit. Ndërkohë, më 15 dhe 16 shtator pritet të zhvillohet edhe “Nata e Pritjes” në Hagë. Rreth 50 veteranë të UÇK-së kanë paralajmëruar udhëtimin drejt Holandës për të qenë pranë ish-komandantëve gjatë këtyre ditëve.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ata përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar.

Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023. Në paraqitjet e tyre para gjykatës, katër ish-krerët kanë deklaruar se lufta e UÇK-së ishte një luftë për çlirimin e Kosovës dhe kanë mbrojtur pafajësinë e tyre.

Mbrojtja ka kërkuar që ata të shpallen të pafajshëm, ndërsa avokatët kanë kundërshtuar akuzat e prokurorisë, duke argumentuar se ato nuk mbështeten në prova të mjaftueshme. Tashmë, vëmendja është përqendruar te 16 shtatori, kur pritet të bëhet e ditur se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Speciale për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.

Zjarr Tv Ad