Kryeministri Edi Rama këtë të hënë gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së sqaroi se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale synojnë të qartësojë kufijtë e masës së pezullimit të detyrës për funksione të larta shtetërore.
Rama theksoi se pezullimi i një ministri cenon funksionin dhe jo individin, ndërsa ndryshimet e propozuara nuk prekin pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe mbrojnë autonominë vendimmarrëse të pushtetit ekzekutiv.
Sipas propozimeve, pezullimi i një ministri në fazë paraprake konsıderohet i pajustifikueshëm, sepse nuk prek vetëm individin nën hetim, por dëmton funksionin institucional.
Më tej theksohet se pezullimi i një ministri nënkupton bllokim të punës së institucionit, jo thjesht mungesë personale në detyrë. Sipas propozimit, nisma ligjore synon të mbylle boshllëqet e interpretimit kushtetues me përcaktime të qarta “funksion për funksion”.
Më tej theksohet se aktualisht, neni përjashton “personat e zgjedhur sipas ligjit elektoral”. Me ndryshimet e propozuara, këtij rrethi do t’i shtohen: Presidenti i Republikës, Avokati i Popullit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, Ministrat, Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Kryetari i Kontrollit të Larte të Shtetit.
Ndryshimi i propozuar paraqitet si parimor dhe jo i lidhur me një rast konkret. Shumica paralajmëron reagim institucional për të kundërshtuar pezullimet që i konsideron ndërhyrje ne pushtetin ekzekutiv.
Më tej theksohet se mbështetet drejtësia e pavarur. Sipas propozimeve, ndryshimet synojnë adresimin e një mangësie në përcaktimet e nenit 242 te Kodit të Procedurës Penale.




