Nga Armir Shkurti: Funeral “Rroft Edi Rama”

0
145

Pas shumë vitesh u ktheva në qytetin e vogël , por me shumë emër, në juglindje të Shqipërisë. Në drekë, mendova se qyteti ishte bosh prej vapës, por një ankth i patreguar më pushtoi kur edhe në mbrëmje rrugët dhe baret ishin pothuaj bosh. As xhiroja tradicionale e darkës dhe as lokalet plot me njerëz që thërrasin nga qejfi i rakisë dhe nga rehati i të ndjerit si në familje.

– O Miro! O Miro! – andej nga vinte thirrja ndodhej një biznes funerali. I vetmi hapur. Të tjerët ishin me qepena mbyllur. Zgurdullova sytë dhe mes arkivoleve dallova Dhimon, një mik timin të vjetër.

– Dhiiimooo! – dhe u përqafuam gjithë mall – Po ti çne këtu? – e pyeta më pas.

Histori e gjatë. Pas 90 -ës Dhimoja doli nga burgu dhe u mor me lëvizjet demokratike. Më pas mbeti pa punë, por gjithësesi rregullohej. Ca para ia niste vëllai nga Greqia, ca i vinin nga e ëma që nuk përtonte të bënte gliko gjithfarësh e ti shiste me porosi në gjithë Shqipërinë.

– Histori e gjatë – mu përgjigj Dhimoja. – Ishim mirë e bukur. Edhe si shoqëri. Mblidheshim darkave, bënim ndonjë punë ditë me shokët, bënim edhe qejf. Para nja 6 vitesh iku Tiku në Amerikë. “Nuk bëhet ky vend në të gjallë tonë o vëllezër” – na tha dhe iku. Edhe Beni i gjatë iku. Iu lut Tikut dhe e sajoi ai. Ndërsa Genci i Halimesë vajti në Gjermani. Infermier është dhe atje i kërkojnë me qiri. Vajti edhe Androni, por ai , se si e se qysh, ra në burg.

Për drogë thonë. Po nejse, punët e tyre. Të mos e zgjas, ikën të tërë. Para se të ikte, Gëzimi më la këtë funeralin. “Gjynah ta mbyllim -tha – se këtu vetëm pleq kanë mbetur. Bëjmë sevap ti varrosim”. Kur iku Kiçoja i kërkova të më lerë lokalin. Ma la i bekuari. Tani bëj varrime, larje xhenazeje, drekën e vakisë… të tëra! Te restoranti punon plaka. I qan gatimet e vakisë plaka. Sivjet po punojmë edhe me turistë të huaj. Menunë e vakisë u bëjmë edhe atyre. Një supë, një sallatë mesore, pilaf me pulë e hallvë në fund. Pesëmijë lekë për njeri.

U kënaq agjencia që na i sjell. Nxërsa turistët – sidomos francezët – ankohen se ka shumë ushqim pjata. Ky sezon po ikën si po ikën, po në tjetrin do shoh ta reduktoj pak. Nejse, se të mërzita. Ndërsa këtu te funerali punoj me nipin dhe me xhaxhain. Xhaxhai merr vesh edhe pak nga feja dhe bën edhe punën e priftit ose të hoxhës, sipas rastit. Se e kemi me çmim të arsyeshëm. Kështu vëlla…

Unë ngrita kokën dhe, në krah të emrit “FUNERAL” lexoj, i lebetitur “RROFT EDI RAMA”

– Dhimo!? Ti, i dënuar politik, themelues i PD – së, të vendosësh tek funerali “Rroft Edi Rama”?

– Vëlla! Po të mos kish qenë Edi Rama, unë te qoshja duke pirë raki do isha tani, me shokët. Falemnderit atij që më largoi shoqërinë e keqe e më bëri me biznes….

Zjarr Tv Ad