Thursday, June 4, 2026
Ballina Aktualitet Operacioni për kapjen e një të kërkuari përfundon në tragjedi, humb jetën...

Operacioni për kapjen e një të kërkuari përfundon në tragjedi, humb jetën një polic dhe plagoset një tjetër

0
19

Një operacion policor për arrestimin e një të kërkuari përfundoi në tragjedi mëngjesin e së enjtes në Lozhan të Maliqit. Efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, 34 vjeç, mbeti i vrarë, ndërsa kolegu i tij Edison Adri, 36 vjeç, u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit me Violand Braçellarin, një person i dënuar për trafik droge që fshihej prej kohësh në zonë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 07:30 të mëngjesit në malin Boden, ku policia kishte gjetur stanin ku qëndronte Braçellari. Efektivët rrethuan vendin dhe i kërkuan të dorëzohej. Por 43-vjeçari nuk pranoi. Në vend të kësaj, ai hapi zjarr ndaj policëve.

Plumbat goditën për vdekje Enea Mekollin, ndërsa plagosën në nofull kolegun e tij Edison Adri. Polici i plagosur u dërgua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia iu përgjigj zjarrit dhe plagosi Braçellarin në pjesën e barkut. Ai u arrestua në vendngjarje dhe u dërgua fillimisht në spitalin e Korçës për të marrë ndihmën e parë mjekësore.

Autori nuk ishte një emër i panjohur për policinë dhe drejtësinë. Violand Braçellari konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe me precedentë të shumtë kriminalë. Ai ishte dënuar në vitin 2017 nga Gjykata e Korçës me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për prodhim dhe trafik narkotikësh. Dënimi u la në fuqi më pas nga Apeli dhe në fund edhe nga Gjykata e Lartë, me vendimin e janarit 2024.

Historia që çoi në arrestimin e tij nis që në vitin 2015. Gjatë një operacioni policor në zonën e quajtur “Çezma e Senishtit”, policia ndaloi automjetin ku udhëtonte Braçellari me dy persona të tjerë. Në makinë u gjetën qese plastike dhe doreza kirurgjikale, ndërsa kontrolli i telefonit celular nxori fotografi dhe video që, sipas hetuesve, tregonin parcela me kanabis, transportimin dhe përpunimin e lëndës narkotike.

Përgjimet telefonike të administruara në dosje tregonin biseda për tharjen dhe transportimin e drogës me persona të regjistruar në telefon si “Sandri” dhe “Toni”. Më pas, gjatë kontrollit në një banesë që përdorej prej tij në Lozhan të Sipërm, policia gjeti mbetje të bimës narkotike cannabis sativa.

Megjithatë, pavarësisht se dënimi ndaj tij u bë i formës së prerë, mbetet ende e paqartë se si Braçellari nuk po vuante dënimin dhe si arriti të qëndronte i lirë deri në ditën e operacionit ku u vra një efektiv policie.

Problemet e tij me drejtësinë nuk mbaruan me dosjen e drogës. Në vitin 2024 ai u mor i pandehur nga Prokuroria e Korçës për “plagosje të lehtë me dashje”, ndërsa në janar 2026 gjykata urdhëroi njoftimin e tij për një seancë gjyqësore pasi nuk u gjet në adresën e banimit në Lozhan./Lapsi.al

Zjarr Tv Ad